Sport

Gjilani kishte shumë lojtarë me përvojë, por afrikani 23-vjeçar shënoi golat vendimtarë

Më 30 maj të vitit të kaluar, Keita Razak shënoi një gol që e mbajti Gjilanin në Superligën e Kosovës në futboll. Mbi një vit më vonë, Razaku shënoi gola të tjerë për sukses historik të Gjilanit – për të siguruar pjesëmarrjen e parë në gara evropiane.

Gjilani vjet luajti në barazh, ndërsa fitoi 1:0 ndaj Besës së Pejës. Razaku kishte shënuar golin e vetëm në minutën e 24-t. Këtë edicion Gjilani doli nënkampion me 68 pikë, sa i mblodhi edhe kampionia, Drita. Si nënkampion, Gjilani do të luajë në kualifikimet e Ligës së Evropës.

Dy golat e fundit dhe rrjedhimisht edhe vendimtarë, i shënoi Keita Razaku, 23-vjeçari nga Bregu i Fildishtë.

Të dielën ai shënoi për fitoren 1:0 ndaj Flamurtarit, me të cilën Gjilani siguroi pozitën e dytë. Pozita e dytë do të ishte mision i pamundur, sikur Razaku në ndeshjen e parafundit, ndaj Ballkanit, të mos realizonte golin e barazimit (2:2) në minutën e 95-të.

Razaku ka shënuar edhe gola të tjerë këtë edicion, disa prej tyre me vlerë të pikëve. Por dy golat e fundit e konfirmuan si lojtar të rëndësishëm për Gjilanin, ndonëse jo vazhdimisht gjatë kampionatit ka luajtur për skuadrën. Në një fazë më shumë ka qëndruar në stol.

Në fakt, Gjilani ka në përbërje lojtarë me shumë përvojë, kryesisht nga Shqipëria, por edhe nga vende të tjera të rajonit. Konkurrencë të madhe ka pasur edhe në sulm dhe rrjedhimisht Razaku një kohë “ngrohi stolin”, ndonëse edicionin e kaluar realizoi gol vendimtar.

Keita Razaku te Gjilani luan me vëllain binjak, Keita Aziz. Ata janë te Gjilani prej shkurtit të vitit të kaluar. Vitin e kaluar ishin larguar për një kohë nga Gjilani, por ishin kthyer sërish. Për dallim nga Razaku, që luan në qendër të sulmit, Azizi aktivizohet në mesfushë.

“Ishte dëshirë e Zotit që ne të luajmë në kualifikime evropiane. E falënderoj Zotin që e bëri këtë të mundur. Për vëllain tim dhe për mua është me shumë rëndësi që do të luajmë në kualifikimet e Ligës së Evropës. Është një ëndërr fëmijërore e bërë realitet”, ka thënë Keita Razak për KOHËN, të martën.

Razaku ka thënë se dëshirë e tij ishte të shpallej kampion me Gjilanin. Por ka thënë se e pranon edhe vendin e dytë dhe se tani do të përgatitet për ndeshjet kualifikuese në Evropë.

“Unë jam krenar me ekipin, pasi kemi një ekip shumë të mirë. Paraqitjet e mia nuk ishin perfekt, por as për t’i hedhur poshtë”, ka shtuar Razaku.

Për kohën kur nuk luante, Razaku thotë se ishte vendim i trajnerit. Ai respekton zgjedhjet e trajnerit. Trajneri Gentjan Mezani përzgjodhi Razakun për ndeshjet e fundit dhe ai shpërbleu besimin.

“Jam më shumë se i lumtur. Është me rëndësi për moralin, vetëbesimin dhe është dëshirë e secilit sulmues që të shënoj gola vendimtarë”.

Me përulësi, Razaku thotë se nuk mund të deklarojë që është lojtar vendimtar në skuadër. Sipas tij, Gjilani ka shumë lojtarë të mirë në çdo pozitë.

“Kur njëri mungon, një tjetër mund të kompensojë. Unë kam bërë punën time dhe kjo është normale. Për aq kohë sa do të mund të shënoj gola që do të ndihmojnë klubin të arrijë synimet, do ta bëj këtë pa ndonjë hezitim”, ka theksuar Razaku.

Në fakt, në Kosovë vazhdimisht luajnë futbollistë nga Afrika. Por jo të gjithë e kanë ndikimin që vëllezërit Razak e kanë aktualisht te Gjilani. Gjilani ka pasur shumë lojtarë nga vende të tjera në përbërje. Një përzierje e tyre me disa lojtarë të vendit, solli suksesin.

Vëllezërit Razak kanë luajtur së bashku edhe në Bregun e Fildishtë, Arabi Saudite dhe Oman. Sulmuesi thotë se është fati i tyre që të luajnë së bashku.

“Kontratave tona po u vjen fundi së shpejti. Ne tani jemi të fokusuar në ndeshjet evropiane dhe më pas do të shohim se çka do të vendosë Zoti për të ardhmen tonë. Unë e falënderoj presidentin e Gjilanit për të gjitha që ka bërë për ne. E falënderoj edhe stafin e klubit, pa harruar tifozët. Pa përkrahjen e tyre do të ishte e pamundur të arrijmë këtë sukses”, ka theksuar Razak.

Image