Sport

Goditen kurdisjet në basketboll, ndalen Daut Mehmeti e Arbnor Rifati

Ashtu si pritej, FIBA nuk ishte institucioni i vetëm që merrej me arbitrin Daut Mehmeti dhe me kurdisjet në basketbollin kosovar. Lidhur me kurdisjet në basketboll kanë hetuar gjatë edhe institucionet e Kosovës. Dhe veprime konkrete u panë të premten.

Mehmeti, i përjashtuar përjetë nga basketbolli me një vendim të Federatës Ndërkombëtare të Basketbollit, është arrestuar. Por Mehmeti nuk është i vetmi i arrestuar. Masa e ndalimit prej 48 orëve i është caktuar edhe Arbnor Rifatit, trajnerit shumëvjeçar të Ponte Prizrenit. Për Rifatin ka shumë vjet që në rrethet e basketbollit përflitej për përfshirje në kurdisje. Por nuk kishte ndonjë masë apo akuzë publike ndaj tij deri të premten.

Është drejtoria për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit në Policinë e Kosovës që po merret me dyshimet për kurdisje në basketboll.

“Sektori i hetimeve financiare ka zbatuar urdhër kontrollin e lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë për kontroll në dy lokacione të ndara, njëri në Prishtinë dhe tjetri në Prizren. Urdhërkontrolli është zhvilluar me qëllim të sigurimit të dëshmive shtesë dhe arrestimin e dy të dyshuarve lidhur me veprën penale ‘kurdisje e ndeshjes ose sportit’. I dyshuari i parë, refer i basketbollit, dyshohet të ketë kurdisur ndeshjet basketbollistike në kuadër të Superligës së Kosovës, Ligës Unike dhe Ligës Ballkanike. Veprimet i ka kryer në bashkëveprim me të dyshuarin e dytë, trajner i basketbollit”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia nuk ka përmendur emrat, por burime të KOHËS kanë konfirmuar se bëhet fjalë për Daut Mehmetin dhe Arbnor Rifatin. Mehmeti javë më parë u përjashtua nga basketbolli me vendim të FIBA-s për kurdisje të ndeshjeve në Ligën Ballkanike. Por të dyshimta janë edhe ndeshje të Superligës dhe të Ligës Unike. Liga Ballkanike dhe Liga Unike prej fillimit kanë dhënë rezultate shumë të dyshimta.

Kurdisjet natyrisht janë bërë për përfitime materiale. Sipas njoftimit të policisë, arbitri ka bashkëpunuar me arbitra dhe trajnerë në vende të tjera me qëllim të kurdisjes së ndeshjeve.

Policia gjatë kontrollit ka sekuestruar disa fletëpagesa, katër telefona dhe dy shtëpiza të kompjuterit.

“Të dyshuarve pas intervistimit me urdhër të Prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë u është shqiptar masa e ndalimit prej 48 orëve”, ka njoftuar policia.

Pas arrestimit të arbitrit dhe trajnerit të basketbollit, me deklaratë doli Federata e Basketbollit e Kosovës.

“FBK-ja mirëpret vendimet e organeve të rendit dhe shpresojmë në zgjidhje të shpejtë të rastit dhe sjelljen para drejtësisë të të gjithë personave të përfshirë në fenomene negative në sportin tonë”, thuhet në deklaratën e FBK-së. Federata e Basketbollit ka njoftuar se është duke bashkëpunuar ngushtë me organet e rendit lidhur me arrestimet.

“Ne e kemi raportuar menjëherë pranë Këshillit për Parandalimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive të themeluar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë së Shtetit rastin sapo na është bërë i ditur, kemi marrë të gjitha masat e nevojshme për të bashkëpunuar me organet e rendit që nga viti i kaluar si dhe i kemi marrë masat e duhura për të iniciuar dhe zhvilluar procedurat e brendshme disiplinore ndaj personave të apostrofuar, gjithë kohën në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me FIBA. Federata e Basketbollit e Kosovës do të luftojë me ngulm dhe vendosmëri çdo dukuri negative në sportin tonë, duke u angazhuar si përherë në garantimin e integritetit të garave tona”, thuhet tutje në deklaratën e FBK-së. FBK-ja ka shkruar se zotohet për lojë të ndershme dhe se do të luftojë dukuritë negative deri në fund.

Daut Mehmeti për gati një dekadë ishte prej arbitrave kryesorë në basketbollin kosovar. Pasi u përjashtua nga FIBA, javë më parë, ai mohoi përfshirjen në kurdisje. Madje, paralajmëroi ankese që nuk është njoftuar të jetë bërë. Mehmeti u dënua nga FIBA për kurdisje të shumë ndeshje të Ligës Ballkanike, duke përfshirë ndeshje të Rahovecit dhe Sigal Prishtinës.

Ndërkohë, Arbnor Rifati është emër i njohur në basketbollin kosovar. Ishte njeriu kryesor i Ponte Prizrenit, tek e cila skuadër ishte trajner. Për një kohë ka qenë edhe në shtabin teknik të përfaqësueses së Kosovës. FBK-ja nuk ka përmendur faktin që Rifati ishte në shtabin teknik të Kosovës.

Liga Ballkanike ka refuzuar të flasë për dyshimet për kurdisje të ndeshjeve të saj. Liga Unike më nuk ekziston.

Dyshohet që shumë i përfshirë është edhe një gjyqtar i basketbollit nga Mali i Zi, i suspenduar nga FIBA deri në gusht për mosbashkëpunim. Ai ishte në të gjitha ndeshjet për të cilat FIBA e dënoi Mehmetin. Rrjeti i kurdisjeve ishte fuqishëm i shtrirë edhe në Shqipëri, Maqedoni të Veriut e disa vende të tjera.