Sport

Heshti 35 mijë shikues me supergol, Selahi synon Evropianin me Shqipërinë

Dinamo e Zagrebit dhe Hajduku i Splitit janë skuadrat më të mëdha e më të njohura kroate. Por është Rijeka që udhëheq aktualisht në kampionatin e Kroacisë. Kjo edhe falë supergolit që Lindon Selahi e shënoi fundjavën e kaluar në stadiumin e Hajdukut në Split, në “Poludin” e famshëm.

VIDEO E GOLIT:

Rijeka e mposhti Hajdukun me rezultatin 2:1, ndërsa Selahi e realizoi golin e fitores në minutën e 75-të me goditje mjeshtërore. Stadiumi ishte i stërmbushur me 35 mijë shikues, që drejtuan sytë kah shqiptari kur ai realizoi golin vendimtar dhe festoi me pasion, ndër të tjera, duke e bërë figurën e shqiponjës dykrenore.

Pak ditë para ndeshjes në “Polud”, mesfushori 24-vjeçar vazhdoi kontratën me Rijekën. Kështu brenda pak ditëve, karriera e futbollistit të lindur në Belgjikë u kthye në binarë.

“Kam pasur dy muaj të vështirë te Rijeka. Me drejtuesit e klubit nuk jemi kuptuar për kontratë. Herë kam ushtruar me ekipin e parë e herë jo. Kam mbetur disi anash. Është e vërtetë që më kanë kontaktuar disa herë nga Hajduku dhe më kanë pyetur për situatën në klub. Pra ishin të interesuar për mua. Por ideja ime nga fillimi ishte të vazhdoja me Rijekën, ndonëse interesim kanë shfaqur edhe 4-5 skuadra të tjera, jo vetëm në Kroaci. Por kam vlerësuar se nuk është gjë e duhur të ndryshoj skuadër në mes të kampionatit dhe më në fund e arritëm marrëveshjen dhe e vazhdova kontratën. Më pas erdhi edhe goli ndaj Hajdukut në Split”, ka thënë Selahi për KOHËN. Ai ka lënë të kuptohet se në verë mund të ketë ndonjë lëvizje në drejtim të ndonjë klubi më të madh evropian, por ka thënë se momentalisht është fokusuar vetëm te paraqitjet për Rijekën.

Derbit në “Polud”, si ky i Adriatikut, që ishte i 100-ti me radhë, nuk janë asnjëherë të lehtë për kundërshtarët e Hajdukut. Tifozët e Hajdukut, të njohur në gjithë Evropën si “Torcida”, janë të zjarrtë. Për ekipet rivale, sidomos për Dinamon, e bëjnë goxha të vështirë.

Atmosfera në stadiumin në Split duket që e ka motivuar Selahin.

“Ishin plot 35 mijë shikues, por e kam pasur mendjen e qetë. Por kam qenë edhe emocional, pasi e kam ditur që familja ime po e shikon ndeshjen. Kam festuar me shqiponjë, pasi çdo gol e festoj kështu. Dua që të gjithë ta dinë që jam shqiptar dhe që jam shumë krenar për këtë. Po ashtu dua të festoj me simbolin e flamurit kuqezi, që është flamuri më i mirë në botë”, ka theksuar Selahi.

Ai ka nisur karrierën në Belgjikë, ndërsa është zhvilluar edhe te Standard Liege dhe Anderlechti. Në nivelin e të rriturve nisi te Standardi. Më pas luajti te Twente në Holandë, ndërsa huazim ishte edhe te Willem II. Prej vitit 2021 është te Rijeka.

“Kam luajtur në Feyenoord para 50 mijë shikuesve, po ashtu ndaj Ajaxit. Por në ‘Polud’ është shumë më vështirë të luash. Tifozët nga Spliti e duan shumë Hajdukun. Toka dridhet. Për lojtarët kundërshtarë nuk është lehtë, ka fyerje të shumta, por unë isha i fokusuar në lojë dhe nuk kam parë asgjë tjetër. Vetëm pasi kam shënuar golin, jam kthyer nga shikuesit dhe kam kuptuar se çfarë goli të rëndësishëm kam realizuar”, ka thënë Selahi.

Ai vlerëson se gara për titull me Hajdukun e Dinamon do të jetë shumë e fortë. Por thotë se çdo gjë është në dorë të Rijekës.

Para se të transferohej te Rijeka, Selahi nga Kroacia kishte njohur vetëm Dinamon e Hajdukun. Thotë se klubi është shumë profesional, shumë i organizuar dhe me kushte shumë të mira për punë. Edhe si qytet thotë se Rijeka është shumë i bukur.

Selahi kishte nisur karrierën te Belgjika U16, ndërsa më pas luajti për U17 e U21 të Shqipërisë. I ka katër paraqitje për Kombëtaren A të Shqipërisë. Debutoi më 14 tetor të vitit 2019. Së fundi ka luajtur më 18 nëntor të vitit 2020, ndërsa i grumbulluar së fundi ishte më 27 mars të vitit të kaluar, në ndeshje ndaj Polonisë.

“Prej atëherë, nuk kam pasur ndonjë kontakt me Kombëtaren. Çdoherë objektiv e kam që të luaj për Shqipërinë. E vërtetë që po kaloj formë shumë të mirë këtu në Kroaci dhe mund ta pranoj që synoj ftesën nga Shqipëria. Paraqitja në Evropian me Shqipërinë do të ishte diçka e jashtëzakonshme për mua. Do të ishte gjë e madhe. Në bazë të formës që po kaloj, mund të them që e pres ftesën. Por natyrisht ky vendim i takon selektorit. Unë e respektoj çdo vendim të tij. Mua më mbetet të vazhdoj të punoj shumë dhe të paraqitem edhe më mirë”, ka thënë Selahi.

Nëse vazhdon me formë si atë që e shfaqi ndaj Hajdukut, Selahi mund të përfshihet në planet e Sylvinhos.