Sport

Ideja e veçantë e Eroll Salihut

Më 21 prill Eroll Salihu do të marr pjesë në video-konferencën e UEFA-s me 55 vendet anëtare të saj.

Konferenca do të mbahet në nivel të sekretarëve gjeneralë, ndërsa pritet të diskutohet për edicionin e mbetur në gjysmë për shkak të pandemisë së koronavirusit. Sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu nuk e përjashton mundësinë që të propozohet ndonjë ide se si të përmbyllet edicioni aktual, ndërkohë që koha po kalon.

Salihu ka thënë se FFK-ja do t’iu përmbahet standardeve të vëna nga UEFA dhe FIFA, e përfshirë së fundi.

Salihu, që është gjatë në futboll, e ka një ide se si do të mund të zgjidhej çështja. Por idenë nuk pritet ta prezantojë në video-konferencën e UEFA-s.

“Është ide revolucionare sa i takon futbollit”, ka thënë Salihu për Koha.net, të enjten mbrëma.

“Ideja ime është që në fillim të vitit 2021 të nis edicioni që do të zhvillohej përgjatë tërë vitit e jo si tani në vjeshtë të një viti e në pranverë të vitit tjetër. Për shumë gjëra do të ishte më mirë që edicioni të zhvillohej brenda një viti e jo në dy vite të ndryshme. Por pasi jemi federatë e vogël nuk do të dal me këtë propozim për momentin”, ka shtuar Salihu.

Ka disa vende që kampionatet i zhvillojnë gjatë tërë vitit. Por shumica i zhvillojnë përgjatë dy viteve.

“Unë mendoj se kjo do të ishte më e mirë për tërë botën. Për edicionin aktual ideja ime është që në vjeshtë të luhet dhe të shpallet kampioni i vitit 2020. Ndërsa prej fillimit të vitit të ardhshëm të luhet për kampionin e vitit 2021. Kjo do të ishte shumë më e qëlluar kur shpallen më të mirët në fund të vitit. Golashënuesi do të ishte më i miri i tërë vitit e jo si tani kur ka kontradikta. Lidhet edhe me përfundimin e vitit financiar e shumë gjëra tjera”, ka theksuar Salihu.