Sport

IOC-ja konfirmon se rusët e bjellorusët mund të garojnë si neutralë në Olimpiadë

Disa sportistë rusë do të lejohen të garojnë në lojërat olimpike “Parisi 2024”, tha Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) të premten. Është një vendim që përjashton opsionin e një ndalimi të plotë të rusëve për pushtimin e Ukrainës.

Vendimi i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar konfirmon lëvizjet që IOC-ja i filloi një vit më parë për të riintegruar Rusinë dhe aleaten e saj ushtarake Bjellorusinë në sportet globale. Vendimi erdhi nëntë muaj pasi IOC-ja u kërkoi organeve drejtuese të sportit të shikonin mënyrat për t'i lënë sportistët individualë të garojnë.

Tani i takon organit drejtues të çdo sporti olimpik të vlerësojë dhe të zbatojë statusin neutral për sportistët individualë që nuk e kanë mbështetur në mënyrë aktive luftën dhe nuk janë në raporte kontraktuale me agjencitë ushtarake ose shtetërore të sigurisë.

Nëpërmjet një njoftimi të lëshuar të premten, IOC-ja tha se tetë sportistë nga Rusia dhe tre nga Bjellorusia janë në mesin e 4.600 sportistëve nga mbarë bota, të cilët tashmë janë kualifikuar në Lojërat Olimpike të vitit të ardhshëm. Rusia kishte dërguar ekip prej 335 sportistëve në Olimpiadën e Tokios të mbajtur në vitin 2021, por vetëm një pjesë e vogël e tyre do të paraqiten në Paris. Rusia mbetet e suspenduar nga sportet ekipore pasi vetëm sportistët e sporteve individuale do të mund të paraqiten dhe atë me status neutral.

“Vetëm një numër shumë i limituar i sportistëve do të kualifikohen në Lojërat Olimpike nëpërmjet sistemit ekzistues të kualifikimeve”, thuhet në komunikatën e IOC-së. “Bordi Ekzekutiv ka vendosur që Sportistët Individualë Neutralë (AIN), që janë kualifikuar përmes sistemeve ekzistuese të kualifikimit të Federatave Ndërkombëtare, të shpallen të kualifikuar për të garuar në Paris”.

Sportistëve që u jepet statusi neutral duhet të konkurrojnë pa flamur, emblemë dhe himn. Uniformat me ngjyrë të kaltër tashmë janë konfirmuar nga Federata Ndërkombëtare e Gjimnastikës.

Trajnerja e gjimnastikës, rusja Valentina Rodionenko, e hodhi poshtë rëndësinë e vendimit të IOC-së.

“IOC-ja duke lejuar sportistët tanë të marrin pjesë në Olimpiadë, ruajti të njëjtat kushte jashtëzakonisht poshtëruese që ishin përshkruar më parë në rekomandimet për federatat ndërkombëtare. Unë besoj se ne nuk kemi nevojë të shkojmë në Paris në kushte të tilla”, tha ajo për mediumet ruse. ​

Sportistët neutralë do të garojnë vetëm në sporte individuale pasi asnjë ekip nga të dyja vendet nuk do të lejohet të marrë pjesë në Paris. IOC-ja, e cila pezulloi Komitetin Olimpik të Rusisë për njohjen e organizatave rajonale nga katër territore të aneksuara nga Ukraina, tha gjithashtu se sportistët që mbështesin në mënyrë aktive luftën në Ukrainë nuk do të kenë të drejtën e paraqitjes në Olimpiadë.

Sipas IOC-së, asnjë zyrtar i qeverisë ose shtetit rus apo bjellorus nuk do të ftohet apo akreditohet për LO “Parisi 2024”.

IOC-ja shtoi se sportistët nuk duhet të ndëshkohen për veprimet e qeverive të tyre. Ukraina ka kundërshtuar praninë e sportistëve rusë, qoftë edhe si neutralë, në Lojërat Olimpike të Parisit. Pezullimi i Rusisë nga atletika për doping të sponsorizuar nga shteti u hoq këtë vit, por pas pushtimit të Ukrainës, të cilin Moska e quajti një “operacion special ushtarak”, të gjithë rusët dhe bjellorusët u ndaluan nga ky sport.

Në përgjigje të vendimit të IOC-së, Federata Ndërkombëtare e Atletikës tha: “Pozicioni ynë për pjesëmarrjen e atletëve rusë mbetet i njëjtë dhe ka qenë shumë i qartë që në fillim: Të gjithë atletët, personeli mbështetës dhe zyrtarët nga Rusia dhe Bjellorusia janë të përjashtuar nga e gjithë bota. Ne do të vazhdojmë të monitorojmë situatën, por nëse nuk ka një ndryshim të madh në rrethanat nga tani deri në Lojërat Olimpike, ky përjashtim do të zbatohet edhe për Paris”.