Italia, kampione në fuqi e Evropës, dhe Kroacia, gjysmëfinaliste e Kupës së Botës, janë në mesin e përfaqësueseve në dy vazot e fundit, nga katër sa janë gjithsej për shortin për “Euro 2024” që tërhiqet të shtunën.
Është pak e befasishme se si UEFA ka vendosur ta përcaktojë vendosjen e përfaqësueseve nëpër vazo për këtë turne kontinental.
Përderisa FIFA mbështetet në renditjen botërore për të qenë e sigurt që asnjë përfaqësuese e fortë të mos jetë në vazon e katërt për Botëror, UEFA bazohet në rezultatet e ekipeve dhe pikët e marra në kualifikimet për Evropian.
Kështu që Italia, që përfundoi e dyta në grupin kualifikues dhe lëshoi shumë pikë përgjatë rrugëtimit, është në vazon e katërt bashkë me tre fituesit e plejofit që do të caktohen në muajin mars.
Kroacia dhe Holanda janë në vazon e tretë bashkë me përfaqësueset si Skocia dhe Sllovenia, që rrallë kualifikohen në turne madhorë.
Nikoqirja Gjermania dhe fituesit e disa grupeve janë në vazon e parë për shortin e 24 përfaqësueseve. Shorti tërhiqet në Hamburg, në ceremoninë që nis në orën 18:00 të shtunën.
Shorti do të ketë tri vende të lira në vazon e katërt. Vendet janë të rezervuara për tre fituesit e plejofit, që kanë shans të dytë për kualifikim në Evropian.
Top-ekipet
Në vazon e parë bashkë me Gjermaninë janë edhe pesë përfaqësueset me rezultatet më të mira nga dhjetë grupet kualifikuese: Portugalia, Franca, Spanja, Belgjika dhe Anglia.
Portugalia kishte bilanc të përkryer me 10 fitore. Pesë përfaqësuese humbëm vetëm nga një ndeshje. Spanja u mposht 2:0 në Skoci në muajin mars.
Ato pesë përfaqësuese janë në top tetëshen më të mirë të FIFA-s në renditjen botërore. Gjermania, me telashe të shumta këtë vit, ka zbritur në vendin e 16-të.
Ekipet e vazos së dytë
Vazoja e dytë përfshin pesë fitues të grupeve dhe përfaqësuesja e vendit të dytë me bilancin më të mirë. Bëhet fjalë për Austrinë që u kualifikua nga grupi të cilin e fitoi Belgjika.
Ka edhe disa befasi, si Shqipëria që fitoi grupin ku ishin edhe Polonia dhe Republika e Çekisë.
Rumania e fitoi grupin para Zvicrës dhe Turqia ishte më e suksesshme se Kroacia për vendin e parë.
Hungaria dhe Danimarka, gjysmëfinalistja e “Euro 2020”, kompletojnë ekipet në këtë vazo. Asnjë nga gjashtë opsionet nuk do të shkaktonte net pa gjumë për disa përfaqësuese që janë në vazon e tretë.
Vazoja e tretë
Kroacia dhe Holanda janë në mesin e gjashtë përfaqësueseve që përfunduan në vendin e dytë në grupe, por gjenden në vazon e tretë pasi lëshuan pikë më shumë sesa Austria.
Holandezët u mposhtën si vendas e si mysafirë dhe u dominuan nga Franca.
Si Kroacia ashtu edhe Holanda u mposhtën nga Argjentina vitin e kaluar në Kupë të Botës, në gjysmëfinale dhe në çerekfinale respektivisht, dhe janë kundërshtarët më të vështirë në vazon ku përfshihen edhe Çekia, Skocia, Sllovakia dhe Sllovenia, që për herë të fundit në Evropian ishte kualifikuar në vitin 2000.
Ekipet në vazon e fundit
Kualifikimet për turne të mëdhenj janë aventura për Italinë. Pasi nuk shkoi në dy Botërorët e fundit, renditja në vazon e katërt ndoshta nuk është edhe aq keq për kampionen në fuqi, pas një tjetër cikli kualifikues jo bindës.
Italia u mposht dy herë në kualifikime nga Anglia dhe i duhej barazimi 0:0 me Ukrainën javën e kaluar, për të përfunduar në vendin e dytë në grup.
Zvicra dhe Serbia janë në këtë vazo, si dhe tre fituesit e plejofit, ku në opsion janë nga Polonia e Robert Lewandowskit, deri te Luksemburgu.
Plejofi bazohet në rezultatet e Ligës së Kombeve të vitit të kaluar. Luksemburgu është përfaqësuesja me renditjen më të dobët bashkë me Gjeorgjinë, Kazakistanin dhe kampionen e Evropianit të vitit 2004, Greqinë.