Kalimin te skuadra e famshme e Greqisë, Olympiacos, Zymer Bytyqi e vlerëson si hap të madh në karrierë.
Bytyqi në ditën e fundit të afatit kalimtar të janarit vendosi t’i bashkohej kampionit grek edhe pse kishte oferta nga shumë klube. Reprezentuesi i Kosovës thotë se zgjodhi Olympiacosin për shkak të historisë që ka ky klub dhe për faktin që është klubi më i suksesshëm i Greqisë.
Olympiacosi në total ka 79 trofe në futbollin grek, përfshirë 47 tituj kampioni.
Sulmuesi i krahut, Bytyqi, tek Olympiacosi u transferua nga Konyaspori i Turqisë, ekip për të cilin luajti për dy vjet. Ai me kampionin e Greqisë ka firmosur kontratë afatgjate ndërsa synimet i ka të mëdha. 26-vjeçari beson se me Olympiacosin i ka mundësitë më të mira për të fituar trofe, por edhe për të luajtur në Ligën e Kampionëve apo Ligën e Evropës.
“Jam shumë i lumtur që jam pjesë e një ekipi të madh si Olympiacosi dhe shpresoj të vazhdoj me formën e mirë për ta ndihmuar në objektivat që ka. Për mua është eksperiencë e re, një eksperiencë e madhe dhe shpresoj që të jap më të mirën nga vetja”, ka thënë Bytyqi për KOHËN.
Bytyqi thotë se tek Olympiacosi e kanë pritur mirë. Ai ndihet i privilegjuar që bashkëlojtarë i ka yjet e futbollit, si kolumbianin James Rodriguez dhe brazilianin Marcelo. Të dy më parë kanë qenë pjesë e Real Madridit, ndërsa prej fillimit të këtij edicioni po luajnë me fanellën e kampionit në fuqi të Greqisë.
Bytyqi nuk do të jetë shqiptari i vetëm në ekip, pasi aty janë edhe Pajtim Kasami e Andreas Ndoj.
Bytyqi këtë edicion kishte një gol dhe tri asistime në 23 paraqitje për Konyasporin. Ai te Konyaspori qe transferuar në janar të vitit 2021 nga Vikingu i Norvegjisë dhe kishte kontratë deri në verë.
“Sigurisht që Olympiacosi është ekip që lufton për trofe, lufton për Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Evropës. Besoj se mund të arrijmë gjëra të mëdha së bashku. Më kanë pritur shumë mirë të gjithë. Jam krenar dhe i lumtur që jam pjesë e këtij ekipi. Të luash me lojtarë si James Rodriuez, pastaj Marcelo e Kasami është përvojë shumë e mirë dhe e nevojshme për të fituar trofe. Jam i bindur se të gjithë do të më ndihmojnë shumë për t’u ngritur edhe më shumë”, është shprehur Bytyqi.
Integrimi në ekipin e ri nuk e shqetëson aspak Bytyqin. Ai thotë se për këtë do të kujdesen Kasami e Ndoj, të cilët ishin të parët që e pritën ngrohtësisht.
Bytyqi shpreson që edhe me fanellën e Olympiacosit të ketë paraqitje të mira sikurse te Konyaspori, në mënyrë që ta shpërblejë besimin e klubit. Kalimi te Olympiacosi do t’i shërbejë të zhvillohet edhe më shumë si futbollist, ndërsa këtë edicion do të luftojë vetëm për trofetë e futbollit grek.
Olympiacosi u eliminua në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve, ndërsa përfundoi i fundit në Grupin G të Ligës së Evropës. Në kampionat është në garë për ta mbrojtur titullin, ndërsa në kupë do të luajë në gjysmëfinale.
“Sigurisht që me ndihmën e Kasamit dhe Ndojit do të ambientohem shpejt te Olympiacosi dhe do të jap më të mirën time në fushë”, thekson lojtari i krahut.
Bytyqi si futbollist është zhvilluar në Norvegji te skuadra e Sandnesit, ndërsa ka qenë edhe pjesë e Salzburgut të Austrisë. Ai ka luajtur për gjeneratat e reja të Norvegjisë, përpara se të vendosë ta përfaqësojë Kosovën në nivelin senior.
Me “Dardanët” ka debutuar në fillim të vitit 2020 dhe deri më tani ka shënuar një gol në 16 paraqitje.