Vlerësimet për ekipin e Kosovës në xhudo kurrë nuk kanë qenë më të larta. Me paraqitjen e suksesshme nëpër garat e nivelit më të lartë, xhudistët kosovarë kanë fituar respektin e figurave më të njohura të këtij sporti. Kosovën e vlerësojnë lart edhe Federata Ndërkombëtare e Xhudos e po ashtu Federata Evropiane, raporton Koha.net.
Së fundi një vlerësim për ekipin e Kosovës e ka dhënë ish-xhudistja e njohur nga Gjermania, Yvonne Boenisch. 39-vjeçarja aktualisht punon si trajnere në përfaqësuesen e Izraelit. Ajo kishte fituar medaljen e artë olimpike në “Athina 2004”. Boenisch ka edhe dy medalje të argjendta botërore e po ashtu dy medalje të argjendta evropiane.
Nga Judo Inside, gjermania Boenisch është pyetur se cili ekip ndërkombëtar po e impresionon më së shumti.
“Jam vërtetë e impresionuar me ekipin e xhudos nga Kosova. Ekipi i Kosovës punon në grup shumë të vogël dhe ofron numër masiv të medaljeve”, ka thënë Yvonne Boenisch.
Ekipi i Izraelit, po ashtu vlerësohet lartë në botën e xhudos. Ekipi i Kosovës ka raporte të mira me ekipin e Izraelit, ndërsa në këtë vend xhudistët kosovarë disa herë janë rikuperuar nga lëndimet.
Ditë më parë edhe një xhudiste e Holandës ka vlerësuar lartë ekipin e Kosovës në xhudo dhe punën që bëhet nga trajneri Driton Kuka dhe nxënësit e tij. Pleuni Cornelisse së bashku me xhudistet tjera të përfaqësueses së Holandës kishin qëndruar gjashtë ditë për stërvitje në Kosovë.
“Në Kosovë kanë ekip vërtetë të fortë të xhudos. Stërvitjet atje janë vërtetë të forta”, kishte thënë ajo.
Vlerësimet që vijnë nga xhudistë e trajnerë nga anë të ndryshme të botës e bëjnë krenar trajnerin Driton Kuka.
“Është për t’u krenuar kur një kampione olimpike dhe trajnere e një përfaqësuese elitare vlerëson punën që po e bëjmë. Respekti për ne është i madh nga të gjithë, ndërsa këtë e kemi arritur vetëm me punë”, ka thënë Driton Kuka për Koha.net.
Nxënësit e tij kanë fituar të gjitha medaljet e mundshme.