Sport

Kapiten Abedini: Duhet të mësojmë nga loja me Anglinë

Ka sakrifikuar për të qenë pjesë e Kosovës U-21 në ndeshjen ndaj Anglisë. Eris Abedini është munduar të udhëheqë skuadrën të premten në “Fadil Vokrri”, por në pjesën e dytë nuk kishte sukses.

Kosova U-21 pësoi thellë, 6:0, nga Anglia U-21 në kuadër të kualifikimeve për Evropian. Është kjo humbja më e lartë e Shpresave të Kosovës.

Abedini ishte kapiten i Përfaqësueses dhe ndër të paktit lojtarë titullarë të rregullit që ishin nën urdhrat e trajnerit Rafet Prekazi për këtë ndeshje. Rreth 15 lojtarë, sipas FFK-së, nuk kanë mundur të grumbullohen për shkak të kufizimeve në udhëtim.

“Ndeshjen ndaj Anglisë duhet ta marrim si mësim për ndeshjet e ardhshme që na presin. Sigurisht që na vjen keq për të gjithë tifozët tanë. Gjithsesi ne kemi pasur shumë mungesa, kemi luajtur me lojtarë shumë të rinj që ishin për herë të parë në ekip. E kemi mbajtur fushën mirë gjatë pjesës së parë. Besoj që kemi shumë talent, dhe në të ardhmen do të shfaqim potencialin”, ka thënë Abedini të dielën për KOHËN.