Pasi ka bërë histori në hendbollin e Greqisë, kapiteni i përfaqësueses së këtij vendi ka vendosur që karrierën ta vazhdojë në Kosovë. Synimi i 33-vjeçarit Charalampos Mallios është i qartë – t’i fitojë të gjithë trofetë kosovarë me Besa Famgas dhe, për më tepër, ta ndihmojë skuadrën pejane të bëjë hapa para në Evropë.
Fitimi i trofeve vendorë nuk ka qenë shumë sfidues për Besa Famgas në vitet e fundit. Besa dominon hendbollin kosovar, por hapat e synuar para në Evropë kanë munguar. Me shpresë për më shumë sukses në edicionin e ri, Besa ka angazhuar Malliosin, ka mbajtur kapitenin e Bosnjë-Hercegovinës, Nikola Prce, dhe ka angazhuar spanjollin Victor Alonso, që në edicionin e fundit ishte golashënuesi i katërt më i mirë në kampionatin spanjoll.
Nga shumë njerëz, qendra Mallios vlerësohet hendbollisti më i mirë në Greqi. Ai thotë se është ndër më të mirët. Për Greqinë ka luajtur 85 ndeshje deri më tani, ndërsa i ka realizuar 150 gola. Kapiten i Greqisë është prej vitit 2018.
Mallios ka luajtur gjatë jashtë Greqisë. Në vendin e tij ishte kthyer vitin e kaluar, kur kishte firmosur me Olympiakosin. Planifikonte të qëndronte në Greqi, por situata ndryshoi kur menaxheri ia prezantoi mundësinë e transferimit te kampionia e Kosovës.
“Menaxheri më thirri një ditë dhe më tregoi për një klub nga Kosova. Nuk kam ditur asgjë atë kohë, ndërsa ai më pas m’i shpjegoi thuajse të gjitha për Besa Famgas. Më pas e kam shikuar në frymë pozitive këtë opsion”, ka thënë Charalampos Mallios në një intervistë për KOHËN.