Sport

Kapitenia Erëleta Memeti vlerëson rritjen e përfaqësueses së Kosovës

Pesë ndeshje, pesë fitore. Ky është bilanci i përfaqësueses së Kosovës në futboll gjatë vitit 2023. Një seri të tillë përfaqësuesja e futbollisteve nuk e ka pasur ndonjëherë.

Seria është regjistruar në turne, por dëshmon rritjen e vazhdueshme të përfaqësueses së Kosovës. Kështu të paktën vlerëson kapitenia dhe liderja e Kosovës, Erëleta Memeti.

Në muajin shkurt, Kosova fitoi një turne në Alanya të Turqisë, ku shënoi fitore ndaj Estonisë, Hong- Kongut dhe Bullgarisë. Ndërkohë të hënën Kosova fitoi turne në Sofje të Bullgarisë. Në finale, Kosova e mposhti 1:0 Bullgarinë, falë golit shumë të bukur të kapitenes Erëleta Memeti. Ajo vrapoi nga gjysma e fushës dhe shënoi gol mjeshtëror pas një kundërsulmi të shpejtë.

Më 6 prill, në gjysmëfinale të turneut, Kosova kishte fituar 1:0 ndaj Letonisë.

“Jam shumë e lumtur dhe krenare me ecurinë e fundit. Në vitin e fundit jemi zhvilluar shumë. Vajzat po e japin maksimumin dhe po luajmë më ndryshe, me vendosje të duhur taktike. Po ashtu të gjitha po angazhohemi për njëra-tjetrën dhe jemi të bashkuara”, ka thënë Memeti të martën për KOHËN.

23-vjeçarja luan me shumë sukses edhe në Bundesligë te skuadra Hoffenheim. Shënon gola shpesh dhe është prej lojtareve më të rëndësishme.

Ndërkohë në Bullgari, Erëleta dëshmoi sërish se sa e rëndësishme është për Kosovën. Ajo u shpall lojtarja më e mirë e turneut.

“Kemi shkuar që ta fitojmë turneun dhe e arritëm këtë. E kemi ditur që ndaj Bullgarisë do të jetë vështirë, pasi bullgaret luajnë futboll fizik. Ne me ekipe fizike kemi pasur më shumë probleme, por kemi dëshmuar se mund të luajmë me sukses edhe ndaj përfaqësueseve të tilla”, ka shtuar kapitenia e Kosovës.

Suedezja Karin Anneli Andersen e drejton tashmë Kosovën. Memeti e vlerëson lart punën e selektores.

Me ndeshje zyrtare, Kosova vazhdon në shtator. Më 20 shtator fillon edicioni i parë i Ligës së Kombeve të UEFA-s për futbolliste. Ndeshjet e fazës grupore do të luhen deri më 5 dhjetor. Shorti do të tërhiqet më 2 maj.

“Është një garë e re dhe e mirëseardhur për ne. Luhet në nivele, kështu që ne do të kemi përballë përfaqësuese me cilësi të përafërt. Kemi kohë deri në shtator që të përgatitemi dhe jam optimiste se do të kemi paraqitje të mira dhe suksese”, ka shtuar Memeti.

Erëleta është e kënaqur edhe me paraqitjet individuale.

“Po shënoi gola si me klub ashtu edhe me Kosovën. Për sa kohë që shënoi gola, në aspektin individual mund të jem e kënaqur. Shpresoj që të vazhdojë me këtë formë edhe në të ardhmen”, ka theksuar sulmuesja.

Rreth gjysma e lojtareve të përfaqësueses së Kosovës luajnë në vende evropiane. Por asnjë në nivel të lartë si Erëleta.