Shumë njerëz në vend me kuptimin e fjalës karantinë kanë mundur të njoftohen vetëm në javët e fundit, pas paraqitjes së koronavirusit.
Shumë qytete të Kosovës tashmë janë në karantinë, përkatësisht janë të izoluara, në tentim për të penguar përhapjen e mëtejme të koronavirusit. Kjo bëhet për të shmangur kontaktin e njerëzve nga një lokacion me njerëz nga lokacione tjera.
Për sportistët, karantina është term shumë më i njohur. Shumica e sportistëve kosovarë me fjalën karantinë “njoftohen” në moshë fare të re, në fillim të karrierës së tyre. Karantina e sportistëve dallon shumë nga ajo aktuale në vend, që për qëllim ka luftimin e pandemisë.
Sportistët izolohen brenda një objekti, kryesisht në ndonjë hotel, që të fokusohen për sfidën e ardhshme. Kryesisht karantina në sport praktikohet para ndonjë ndeshje apo ndonjë ngjarje të rëndësishme. Në futboll kryesisht skuadrat izolohen një ditë para ndeshjeve vendimtare. Shpesh karantina e ka synim socializimin e grupit të lojtarëve, për dallim nga karantina aktuale që synon të ofrojë distancë sociale.
Trajneri i futbollit, Afrim Tovërlani, është një jetë në sport. Me fjalën karantinë ai është njoftuar si fëmijë, kur si pionier kishte nisur të mësonte futbollin te klubi Prishtina.
“Së fëmijë i dëgjonim fjalët që ekipi i parë do të shkoj në hotel për të fjetur dhe për të qenë së bashku një ditë para ndeshjeve. Neve na thoshin se duhet të flinim herët në shtëpitë tona dhe të jemi të qetë e të gatshëm për ndeshjen e cila na priste të nesërmen”, ka treguar Tovërlani të premten në një bisedë për Koha.net.
Për të karantina ka kuptim më të gjerë. Ajo përfshinë edhe stërvitjet e përbashkëta gjatë fazave përgatitore, kur skuadra thuajse shmang në tërësi kontaktin me persona të tjerë.
“Nëse i llogarisim përgatitjet e përbashkëta që i kishim me reprezentacionin e Kosovës te të rinjtë, U-15 e U-17, para se të shkonim në turne të ndryshëm, atëherë i bie që për herë të parë e kam përjetuar karantinën si 15-vjeçar. Më pas me ekipin e parë të Prishtinës e kam përjetuar si 17-vjeçar në përgatitje dhe një ditë para ndeshjeve. Pra që të dyja janë karantina, por që kanë dalluar nga ditët, përkatësisht nga kohëzgjatja”, thotë Tovërlani, aktualisht trajner i Feronikelit të Drenasit.

Ai vlerëson favoret që sjell karantina sportive. Thotë se ajo është e mirë për një ditë para ndeshjes, sidomos për rrethanat kosovare.
Në të vërtetë presioni te lojtarët rritet shumë para ndeshjeve vendimtare. Së fundi presioni rritet shumë nga komentet dhe shkrimet e ndryshme nëpër rrjete sociale. Për këtë karantina në sport shpesh përfshinë edhe kontakt më të vogël të lojtarëve me telefonat e tyre. Por ka raste kur karantina edhe keqpërdoret.
“Jam ithtar i karantinës, por gjithmonë sipas situatës dhe ndeshjeve. Mendoj që ka efekt pasi futbollistët janë në kontroll, e kanë ushqimin me kohë dhe të kontrolluar, që do të thotë se mundësitë e ndonjë helmimi eventual janë shumë më të vogla. Kohën e pushimit dhe të gjumit e kanë të rregulluar, që është shumë me rëndësi. Arsye tjetër është se në shtëpi mund të lakmojnë të dalin apo mund të kenë mysafir dhe mos të kenë qetësinë dhe koncentrimin për ndeshjen e nesërme. Po ashtu bëhet socializimi brenda ekipit dhe mundësia për të analizuar ndeshjet e kaluara dhe të ardhshme është më e madhe”, ka theksuar trajneri prishtinas.
Edhe trajneri gjilanas, Bekim Isufi ka dëgjuar si pionier për karantinën, përkatësisht për mbledhjen e lojtarëve të ekipit të parë në një vend për të kaluar natën para ndeshjes. Isufi ka bërë karrierë të gjatë e të suksesshme si lojtar, ndërsa tani është trajner i vlerësuar.
“Menjëherë pas luftës e kemi përdorur shumë herë karantinën, madje edhe nga dy ditë para lojës së rëndësishme. Gjatë karrierës shpesh kemi qenë në karantinë, por të karakterit sportiv, që dallon. Shumë diskutohet nëse karantina është e përshtatshme për sport. Kur luajnë dy ekipe që kanë qenë në karantinë dhe njëra humb, atëherë i bie që për ekipin humbës karantina nuk ishte e qëlluar”, ka theksuar Isufi.
Ai megjithatë pranon anët e mira të distancimit të ekipit me njerëzit e tjerë dhe largimin e lojtarëve nga shtëpitë e tyre para ndeshjeve të rëndësishme.
“Ka anët e mira për socializimin, për përqendrimin dhe gjëra të ngjashme. Gjithë lojtarët janë në një objekt dhe trajneri i ka në kontroll”, ka thënë Isufi.
Ai si trajner nuk e vlerëson të domosdoshme karantinën. Nëse vendoset për izolim të ekipit, Isufi thotë se efekti arrihet me të paktën dy ditë.
“E rëndësishme është të dimë se kur karantina sjell efekt. Përfundimisht është një regjim sportiv, mobilizimi dhe përqendrimi është më i mirë, shtohet disiplina. Te ne zakonisht përdoret dy-tri herë brenda vitit, për ndeshje që përcaktojnë titullin apo fituesin e kupës”, ka thënë Isufi.
Aktualisht sporti në vend, si thuajse në gjithë botën, është pezulluar për shkak të pandemisë së koronavirusit. Sportistët po ndiejnë shumë pasojat e izolimit. Forma e tyre pritet të bie shumë si pasojë e mungesës së ushtrimeve të duhura për javë apo muaj të tërë. Tashmë është bërë një muaj prej se sportistët nuk po ushtrojnë me skuadra. Disa tentojnë që me stërvitje në shtëpi të mbajnë formën, por kjo as për së afërmi nuk e ka efektin e stërvitjeve të rregullta.
