Hendbollistët e Kosovës janë të përkushtuar për ta fituar ndeshjen kualifikuese me Bosnjë-Hercegovinën. Për fitore, ata kërkojnë përkrahjen nga tribunat.
Kosova e Bosnjë-Hercegovina takohen të mërkurën mbrëma, prej orës 20:15, në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë. Ndeshja i takon kualifikimeve për Euro 2024. Kosovës i duhet fitorja për të mbetur në garë për kualifikim në Evropian. Ky cikël vlerësohet rast i mirë te Kosova.
Përfaqësuesja është grumbulluar të dielën, ndërsa të martën ka zhvilluar dy seanca stërvitore. Seanca e parë është mbajtur paradite, në palestrën ku edhe luhet ndeshja.
Selektori Bujar Qerimi është i kënaqur me punën që po e bëjnë hendbollistët.
“Forma e ekipit është e mirë, por kemi dëshirë dhe kërkojmë që te kemi sa më shumë publikë për të na ndihmuar sepse kjo ndeshje e ka rëndësinë e madhe. Me ndihmën e publikut do të jemi më të fortë dhe të motivuar për këtë ndeshje, pasi angazhimi nuk do të mungojë. Por ndihma nga tribunat është më se e nevojshme. Ekipi është jashtëzakonisht mirë, lojtarët kanë ardhur me dëshirë të madhe për dy ndeshjet me Bosnjën dhe synimet janë t’i fitojmë ato. Pra, dëshira është e pakontestueshme, por ky është sport dhe do të shohim fillimisht se çka do të ndodh në ndeshjen e parë”, ka theksuar Qerimi.
Kosova në vjeshtën e vitit të kaluar u mposht nga Mali i Zi dhe Sllovenia. Edhe Bosnja ka humbur nga këta dy kundërshtarë. Kualifikimi është i mundur edhe prej vendit të tretë në grup dhe përmes tij e kërkojnë rastin si Kosova ashtu edhe Bosnja.
Sipas bastoreve, Bosnja është favorite. Lojtarët e saj luajnë në nivel më të lartë, por te Kosova ka optimizëm.
“E kemi analizuar mirë Bosnjën edhe pse ka bërë ndryshime të mëdha në ekip prej dy ndeshjeve të kaluara, ku ka marrë më shumë lojtarë të kampionatit vendor. Por e njohim kampionatin e tyre, ku jemi të informuar dhe e dimë çka na pret. Duhet ta shfrytëzojmë përparësinë e mungesave të Bosnja, por ne nuk duhet të bazohemi në këtë pasi duhet të luajmë mirë dhe të fitojmë. Pra, pres angazhim maksimal dhe fitore, e cila është e pakontestueshme nga ana jonë”, ka shtuar Qerimi.
Suksesi do të varet edhe nga forma e pivotit dhe lojtarit më me përvojë, Kastriot Jupa. Ai nuk ka munguar në asnjë ndeshje kualifikuese të Kosovës deri më tani.
“Jemi të kompletuar si ekip dhe entuziazmi është i madh pasi e dimë rëndësinë e kësaj ndeshje. Po ashtu e kemi parasysh se Bosnja është nivel yni dhe kemi gjasa të mëdha për fitore. Besoj që si ekip jemi mjaft të pjekur për të ëndërruar për një Evropian për shkak se e kemi nivelin të përballemi me këto skuadra dhe besoj se do të kemi sukses. Bosnjën e kemi analizuar mirë dhe besoj në fitore. Presim përkrahje të madhe prej publikut, pasi gjithmonë si vendas kemi luajtur mirë. Jemi mobilizuar mirë në të gjitha aspektet dhe sigurisht që të gjithë besojmë në fitore”, ka thënë Jupa.
Në portë do të jenë Haris Berisha dhe Flamur Gërbeshi, ndërsa roli i portierëvë në hendboll është shumë i madh.
“Përgatitjet kanë shkuar sipas planit dhe do të përpiqemi të tregojmë një lojë cilësore kundër Bosnjës, lojë të pjekur për shkak se kemi përvojë për t’u rezistuar skuadrave të mëdha. Pa marrë parasysh mungesat e Bosnjës, ajo ka treguar se është skuadër serioze dhe shumë e fortë. Por me cilësinë që kemi ne si ekip jam i bindur se do t’ia dalim. Synimi mbetet vendi i tretë në grup për t’u kualifikuar dhe gjasat i kemi shumë të mira për ta arritur një gjë të tillë”, ka theksuar Haris Berisha, që karrierë bënë në Zvicër.
Menjëherë të dielën, Kosova e luan ndeshjen tjetër kualifikuese me Bosnjën. Ndeshja e së dielës luhet në Tuzlla.