Humbja nga Maqedonia e Veriut do të rëndojë gjatë mbi gjeneratën aktuale të Përfaqësueses së Kosovës në futboll. Për Kosovën vlerësohej rast i artë për kualifikim në “Euro 2020”, por më 8 tetor në Shkup, Maqedonia e Veriut fitoi 2:1. Kosovës i munguan lojtarë të rëndësishëm dhe tifozët, kryesisht përmes komenteve në rrjetet sociale, vazhdojnë t’i fajësojnë ata për dështimin në Shkup.
Kosova po vazhdon me ndeshje, njëjtë si Maqedonia e Veriut. Por tashmë nuk janë në nivel të njëjtë. Kosova të mërkurën mbrëma pësoi në Elbasan nga Shqipëria në miqësore, në një tjetër paraqitje të zbehtë dhe larg prej pritshmërisë. Ndërkohë Maqedonia e Veriut të enjten luajti ndeshjen finale të plejofit për kualifikim në “Euro 2020”.
Në Tbilisi, Maqedonia e Veriut fitoi 1:0 ndaj Gjeorgjisë dhe u kualifikua në Evropian. Kapiteni dhe ikona e Maqedonisë së Veriut, Goran Pandev, e shënoi golin e fitores. Për Maqedoninë V. është hera e parë që do të paraqitet në një garë të madhe të futbollit. Kontribut në këtë sukses dhanë edhe futbollistët shqiptarë Arijan Ademi, Visar Musliu, Egzon Bejtullai e Ezgjan Alioski startuan të enjten. Ndërkohë Enis Bardhi mungoi për shkak të një lëndimi, kurse Ferhan Hasani nuk u ftua.
Maqedonia e Veriut ka garuar në Ligën D të Ligës së Kombeve në edicionin e parë të kësaj gare. Për të, njëjtë si për Kosovën, plejofi ishte rast i artë për kualifikim në Evropian. Te Maqedonia e menaxhuan më mirë situatën me COVID-19. Me Pandevin kishin një lider të pakontestueshëm, që madje shtyu pensionimin për të udhëhequr përfaqësuesen drejt ngjarjes së parë të madhe.
Kosova duhet të presë rast tjetër për kualifikim në ngjarje të madhe. Dhe rasti i lëshuar do të diskutohet gjatë.
Të enjten, në ditën kur Maqedonia e Veriut e siguroi Evropianin, Kosova zhvilloi stërvitjen e radhës. Nën urdhrat e Muharrem Sahitit, 11 lojtarë të Kosovës stërvitën në Shijak. Disa lojtarë kanë bërë stërvitje rigjeneruese në plazhin e Durrësit.
“Pas ndeshjes së djeshme ndaj Shqipërisë, Kombëtarja e Kosovës ka vazhduar sot me stërvitje në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen e radhës kundër Sllovenisë, të cilën e zhvillon të dielën në Lubjanë. Në stërvitjen e sotme, e cila u zhvillua në Shijak, ishin të pranishëm 11 futbollistë, derisa pjesa tjetër që luajtën më shumë minuta në miqësoren e djeshme kanë kryer rigjenerim në plazhin e Durrësit. Gëzon fakti se të gjithë futbollistët janë në gjendje të mirë dhe nuk kanë lëndime. Dardanët do të kryejnë edhe nesër një stërvitje, derisa të shtunën do të nisen për në Slloveni”, ka njoftuar FFK-ja.
Te Maqedonia e Veriut ka pasur festë të madhe pas kualifikimit në Evropian.
“Do të luajmë për nder nacional në finale. Dy ndeshjet që i kemi luajtur më herët ndaj Gjeorgjisë na kanë ndihmuar. Pandev ka shënuar gol shumë të bukur për të në kualifikuar”, ka thënë selektori i Maqedonisë së Veriut, Igor Angelovski.
“Jam shumë i lumtur. Kam luajtur në shumë ndeshje si kjo në të kaluarën dhe mendoj se përvoja ime i ka ndihmuar ekipit që të arrijë këtë sukses”, ka thënë Goran Pandev.
Maqedonia e Veriut do të luajë me Austrinë, Ukrainën dhe Holandën në “Euro 2020”, të shtyrë për vitin e ardhshëm. Në rrethana më të përshtatshme, në vend të saj ka mundur të jetë Kosova.