Sport

Krasniqi: Nesër kthehem në stërvitje, në tetor një luftë e madhe

Haxhi (Robin) Krasniqi nuk planifikon fare pushim pas fitores që e shënoi të shtunën mbrëma në Magdeburg të Gjermanisë, ndaj çekut Stanislav Eschner.

Aktualisht boksieri më i mirë shqiptar, Krasniqi, planifikon paraqitje të shpejtë në ring. Ai do të boksojë sërish në tetor, ndërsa lufta pritet të jetë për titull të rëndësishëm të boksit profesionist.

Krasniqi fitoj me ndërprerje në raundin e gjashtë ndaj Eschnerit. Për junikasin 33-vjeçar ishte kthim në ring pas 15 muajve. Krasniqi tani ka 50 fitore e gjashtë humbje.

Ndaj Eschnerit ka dominuar plotësisht dhe ka arritur fitore të planifikuar. Gjatë pushimit të gjatë, Krasniqi ka operuar dy herë bërrylin e dorës së djathtë, ndërsa tani është në gjendje fizike si asnjëherë më parë.

“Jam shumë i kënaqur me paraqitje, ashtu si i tërë ekipi im. Kam boksuar pas 15 muajve që është kohë shumë e gjatë. Kam pasur dy operacione gjatë kësaj kohe e po ashtu kanë ndikuar edhe telashet me pandemi. Shumë sfida kishte, por unë asnjëherë nuk kam larguar fokusin nga qëllimi që kam. Kam ushtruar shumë dhe lufta eci shumë mirë. Jam shumë i lumtur”, ka thënë Krasniqi të dielën për KOHËN.

Image

“Çdo gjë ka shkuar ashtu si duhet. I jam përmbajtur në tërësi këshillave të trajnerit dhe ashtu si kemi planifikuar edhe doli”.

Synim i madh i Krasniqit mbetet titulli i kampionit të botës, që nuk e ka fituar ende ndonjë boksier shqiptarë. Hap të rëndësishëm ai synon të bëjë menjëherë në tetor.

“Tetori është afër dhe duhet të jem në formë të lartë. Nuk ka kohë për pushim, nesër kthehem menjëherë në stërvitje. Meçi i ardhshëm, që me shumë mundësi do të jetë në fillim të tetorit, do të jetë i madh. Ka mundësi të jetë për titull shumë të rëndësishëm. Unë do të përgatitem si duhet, do të pres secilën mundësi dhe do ta shfrytëzojë atë”, ka theksuar Haxhi Krasniqi.

Image