Sport

Kupa e Botës vazhdon me grupet me nga katër përfaqësuese

FIFA ka kthyer formatin me katër ekipe në grup për Kupën e Botës të vitit 2026. Botërori në SHBA, Meksikë dhe Kanada duhej të zhvillohej në 16 grupe me nga tri përfaqësuese. Kjo pasi numri i përfaqësueseve rritet nga 32 në 48.

Por suksesi i formatit me katër ekipe në grup në Kupën e Botës 2022 në Katar bëri që organi drejtues i futbollit të rishqyrtojë formatin.

Ndryshimi e rrit Botërorin nga 80 ndeshje të planifikuara në 104, ndërsa është përfshirë një raund i ri, ai i 1/16 të finales.

FIFA ka thënë të martën se dy më të mirët në secilin grup dhe tetë përfaqësueset më të mira të vendit të tretë do të avancojnë në raundin me 32 skuadra.

“Formati i rishikuar zvogëlon rrezikun e marrëveshjeve të fshehta dhe siguron që të gjitha përfaqësueset të luajnë të paktën tri ndeshje. Kjo po ashtu siguron kohë pushimi të balancuar për ekipet pjesëmarrëse”, thuhet në komunikatën e FIFA-s.

Ndryshimi u miratua në mbledhjen e Këshillit të FIFA-s në Ruandë.

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, tha në dhjetor se po shqyrtohej ndryshimi i formatit pasi faza e grupeve në Botërorin në Katar kishte ofruar disa ndeshje të mëdha dhe emocionuese.

Formati me katër ekipe në grup, me dy të parët që avancojnë në fazën eliminatore, është përdorur qëkur Kupa e Botës u rrit në 32 përfaqësuese në vitin 1998.

Përfshirja e fazës së re nënkupton që një përfaqësuese duhet të luajë tetë ndeshje për ta fituar Botërorin. Në Katar finalistët i kanë luajtur shtatë ndeshje.

FIFA po ashtu ka miratuar një kalendar të ndeshjeve ndërkombëtare për periudhën 2025 – 2030. Në bazë të kalendarit të ri, finalja e Kupës së Botës 2026 do të luhet më 19 korrik 2026.

Klubet janë të detyruara të lirojnë lojtarët për Botërorin e ardhshëm më 25 maj të vitit 2026. Ndeshjet e fundit zyrtare të klubeve do të luhen më 25 maj. Përjashtime mund të ketë vetëm për ndeshjet finale të garave të konfederatave. Ato ndeshje mund të luhen deri më 30 maj 2026.

FIFA po ashtu ka miratuar listën preliminare të Kupës së Botës për klube me 32 ekipe, që do të zhvillohet çdo katër vjet, duke filluar nga qershori i vitit 2025.

Ekipet që fitojnë turneun kryesor të konfederatës - në rastin e Evropës, Ligën e Kampionëve – në periudhë katërvjeçare do të kualifikohen në Botërorin e klubeve. Pra, për Botërorin 2025 do të merren për bazë edicionet prej 2021 deri më 2024.

Evropa i ka 12 vende në turneun e ri dhe Chelsea e Real Madridi tashmë janë të kualifikuar. Këto dy skuadra e kanë fituar Ligën e Kampionëve në vitet 2021 dhe 2022.