Sport

Kurtulus, i gatshëm të japë kontribut te Kosova

Edvin Kurtulus është i lindur e i rritur në Suedi. Në këtë vend e ka mësuar futbollin, ndërsa tani shpreson të japë kontribut të vlefshëm te Kosova.

Kurtulus, që me prejardhje është nga Prizreni, është grumbulluar me U-21 të Kosovës që të premten luan ndaj Anglisë në “Fadil Vokrri”. Ndeshja u takon eliminatoreve për “Euro 2021”.

Kurtulus luan kryesisht në pozitën e mbrojtësit të djathtë. Ai për herë të parë është grumbulluar me “dardanët” e rinj dhe është i gatshëm për debutim.

Ai është zhvilluar si futbollist te klubi Halmstad, që garon në kategorinë e dytë të Suedisë. Në futbollin e të rriturve ka debutuar vjet, kur luajti 11 ndeshje në Superettan, kategorinë e dytë suedeze. Sivjet është stabilizuar në ekipin bazë të Halmstadit. Ka luajtur në 14 prej 15 ndeshjeve të deritashme dhe ka realizuar një gol.

“Kam luajtur standard në Suedi dhe kështu nga federata kanë kontaktuar familjen time, e po ashtu klubin. Jam shumë i kënaqur që më ka ardhur rasti të luaj për Kosovën”, ka thënë Kurtulus në një bisedë për KOHËN.

Erion Sadiku, Ismet Lushaku e Patriot Sejdiu janë futbollistët e tjerë të Shpresave që bëjnë karrierë në Suedi.

“Është hera e parë që jam grumbulluar me Kosovën. Synimi është të luaj dhe të ndihmoj ekipin të arrijë sa më shumë. Unë jam i lindur dhe i rritur në Suedi. Jemi me prejardhje nga Prizreni dhe gjithë familja ime jeton atje. E kam pasaportën e Suedisë dhe të Kosovës”, ka treguar Kurtulus.

Mediat në Suedi kanë shkruar se Kurtlus (Kurtulush) është në dispozicion që të luajë edhe për Turqinë, Shqipërinë dhe Suedinë. Ai nuk ka luajtur në nivel përfaqësuesesh deri më tani.