Sport

Lëndohet liderja e Kosovës, mungon rreth një vit

Hendbollistja që ka udhëhequr Kosovën drejt niveleve të reja, Leonora Demaj, do t’i mungoj përfaqësueses për rreth një vit.

Këtë e ka bërë të ditur të enjten Federata e Hendbollit të Kosovës. Demaj në tri vitet e kaluara ishte liderë e pakontestueshme e Kosovës. Ajo është edhe kapitene.

Demaj është lënduar një muaj më parë, ndërsa do t’i nënshtrohet edhe një operimi në gju. Ajo ka këputur ligamentet e gjurit në këmbën e djathtë. Do të operohet në javët e ardhshme, ndërsa pas operimit do të mungoi prej 9 deri në 12 muaj. Këtë Demaj e ka konfirmuar edhe për Koha.net.

Ajo bënë karrierë te skuadra Soenderjyske, që garon në kategorinë e dytë daneze. Lëndimin e ka pësuar duke luajtur për këtë skuadër. Madje është lënduar në ndeshjen e fundit para se kampionati të pezullohej për shkak të pandemisë së koronavirusit. Është golashënuesja më e mirë e skuadrës.

Demaj tashmë ka nisur me ushtrime të lehta, me synim që rikuperimi pas operimit të jetë më i lehtë. Ajo për herë të parë pëson lëndim të rëndë.

“E kam kuptuar se bëhet fjalë për lëndim serioz. Kam ndier shumë dhimbje dhe kam kuptuar që është këputur diçka në gju. Për shkak të koronavirusit nuk e di saktësisht kur do të operohem, por pres që kjo të ndodh shpejtë. Pas operimit do të jem jashtë hendbollit prej 9 deri në 12 muaj. Më pret kohë e gjatë e rehabilitimit”, ka thënë Demaj për Koha.net.

Ajo premton kthim të fuqishëm në hendboll. Mungesa e saj pritet të ndihet shumë në përfaqësuesen e Kosovës.

“Unë do të jap më të mirën që të kthehem edhe më e fortë. Do të pres me gëzim ditën kur do të vesh sërish fanellën e Kosovës. Edhe sa do të jam e lënduar do të mundohem të përkrah bashkëlojtaret”, ka thënë Demaj.

Kosova ndeshjet e ardhshme duhet t’i luajë në qershor, por kjo ka pak gjasa të ndodhë me zhvillimet aktuale.

Image