Sport

Liga që hapi e para dyert për Kosovën, tani po dominohet nga skuadrat izraelite

Në kohën kur basketbolli kosovar ishte plotësisht i izoluar, Liga Ballkanike gjeti mënyrë për të përfshirë skuadra kosovare. Ishte edicioni 2013/14 kur Sigal Prishtina e Peja për herë të parë luajtën në një garë ndërkombëtare.

Tani Kosova nuk ka skuadër në Ligën Ballkanike, që vazhdon të llogaritet si organizata që e para hapi dyert për skuadrat kosovare të basketbollistëve. Ndonëse pa skuadra nga Kosova, Liga Ballkanike vazhdon të zhvillohet. Por emri që ka nuk përshtatet shumë me përbërjen aktuale.

Liga Ballkanike, që për qëllim thuhet se e ka zhvillimin e basketbollit në regjionin e Ballkanit, në edicionin aktual, 2020/2021, po dominohet nga skuadrat e Izraelit.

Izraeliti Shay Shtriks, që udhëheq këtë ligë, ashtu si kishte gjetur mënyrën për të përfshirë skuadrat nga Kosova, tani ka gjetur mënyrë për të afruar plot 12 skuadra nga Izraeli.

Në Ligën Ballkanike, që me kohë humbi vlerën dhe peshën në basketbollin e regjionit, skuadrat nga Kosova kanë luajtur nga viti 2013 e deri në këtë vit. Prishtina e kishte fituar këtë ligë në vitet 2015 e 2016, kurse Bashkimi luajti në finale në vitin 2018.

Në edicionin e kaluar, që ishte shumë i zbehtë, nga Kosova garuan Peja e Rahoveci. Rahoveci u tërhoq në gjysmë të garës, kurse Peja është dashur të paraqitej në gjysmëfinale. Por pjesa finale e ligës nuk u zhvillua për shkak të koronavirusit.

Në të vërtetë me fitimin e së drejtës për të garuar në Evropë, skuadrat kosovare gradualisht e humbën interesimin për Ligën Ballkanike. Ndikoi edhe cilësia e dyshimtë e skuadrave nga vendet tjera e po ashtu raportet jo të mira të drejtuesve të FBK-së me Shtriksin, që jo gjithnjë vlerësohet se ishte korrekt ndaj skuadrave kosovare.

Për këtë edicion Liga Ballkanike kishte paralajmëruar që Ponte Prizreni do të jetë pjesë e saj. Por liga ka nisur pa skuadra kosovare. Në Federatën e Basketbollit të Kosovës kanë thënë se janë të fokusuar në Ligën Unike me Shqipërinë, që ende nuk po nis, dhe se nuk kanë interes për Ligën Ballkanike. Ndërkohë skuadrat nuk kanë shfrytëzuar fare të drejtën që të luajnë në këtë edicion të garave evropiane.

Liga Ballkanike këtë edicion i ka pesë grupe. Në katër grupet e para janë nga tri skuadra nga Izraeli, që luajnë mes vete. Pra i gjithë aktiviteti i atyre grupeve luhet në Izrael. Në grupin E janë gjashtë skuadra nga Ballkani, Teodo e Ibar Rozhaje të Malit të Zi, Kumanova dhe TFT nga Maqedonia e Veriut, si dhe Akademik Plovdiv e Beroe të Bullgarisë.

Sipas rregullave zyrtare të edicionit të 13-të të Ligës Ballkanike, skuadrat nga Izraeli në fazë të mëvonshme garojnë me skuadrat nga Ballkani. Edhe në tri edicione më herët (2011/12, 2012/13, 2013/14) në BIBL garuan skuadra nga Izraeli. Madje Galil Gilboa e kishte fituar dy herë këtë garë.

Këtë herë Liga Ballkanike ka bërë të mundur që skuadrat nga Izraeli të vazhdojnë aktivitetin. Një vendim i autoriteteve të Izraelit mundësonte që vetëm skuadrat izraelite që garonin në gara evropiane të vazhdonin aktivitetin. Dhe për të vazhduar me gara, 12 prej 13 skuadrave të ligës elitare të Izraelit vendosën të paraqiteshin në Ligën Ballkanike. Kjo u vlerësua një mundësi e madhe për t’u kthyer në stërvitje dhe për të shpëtuar edicionin.

Njërën prej skuadrave izraelite që luan në Ligën Ballkanike e udhëheq ish-selektori i Kosovës, amerikani Brad Greenberg. Ai udhëheq skuadrën Ironi Ness Ziona, që ka tri humbje në grupin C.

“Kur Qeveria e Izraelit deklaroi bllokimin për shkak të COVID-19, Ministria e Sportit ka lejuar vetëm klubet që ishin pjesë e garave ndërkombëtare që të vazhdonin stërvitjet. Maccabi Tel Aviv vazhdoi në Euroligë, ndërsa Jerusalemi udhëtoi për në Athinë për turneun final të Ligës së Kampionëve. Kështu që ‘Winner League’ u bë kreative dhe ka regjistruar 12 skuadra për Ligën Ballkanike në mënyrë që të gjitha skuadrat të mund të kthehen në stërvitje. Është punuar orari që dy skuadra të mund të vazhdojnë në fazë të mëvonshme të Ligës Ballkanike”, ka thënë Greenberg të hënën për KOHËN.

Ai ka treguar se kampionati i Izraelit ka filluar një natë më parë. Kështu që skuadrat izraelite tani po luajnë në Ligën Ballkanike dhe në kampionatin vendor.

“Orari parasheh që të gjitha skuadrat të luajnë nga katër ndeshje në Ligën Ballkanike. Fituesit e katër grupeve luajnë ‘Final 4’ dhe dy fituesit do të vazhdojnë në Ligën Ballkanike”, ka theksuar Greenberg.

Pra vetëm dy skuadra nga Izraeli do të luajnë me skuadrat nga regjioni i Ballkanit.

“Është nder i madh për ne të bashkohemi me Ligën Ballkanike. Gjatë kësaj periudhe të vështirë klubet janë të vendosura të vazhdojnë aktivitetin”, kishte thënë Shmuel Frenkel, udhëheqës i Ligës izraelite.

I pari i Ligës Ballkanike, Shtriks, po ashtu kishte vlerësuar lart afrimin e 12 skuadrave nga Izraeli. Ai fillimisht vlerësonte lart edhe skuadrat kosovare, prej të cilave fitonte goxha shumë. Por me kalimin e kohës palët u larguan dhe më skuadrat kosovare nuk e shohin interesin e tyre për garim në Ligën Ballkanike.