Viti 2019 ishte shumë i suksesshëm për Loriana Kukën. Ajo fitoi medaljen e bronztë në Lojërat Evropiane, përkatësisht në kampionatin evropiane të xhudos. Më pas fitoi edhe një medalje të bronztë botërore për të kompletuar vitin e shpërthimit të saj.
Por në fund të vitit Loriana u lëndua. Lëndimin e sanoi për disa muaj dhe është dashur të kthehet në gara gjatë muajit mars të këtij viti.
Por për shkak të pandemisë pas muajit shkurt nuk janë mbajtur gara të xhudos. Kështu kthimi i Lorianës në tatami është shtyrë deri të dielën.
Ajo bëri rikthim të suksesshëm. Fitoi medalje të bronztë në Grand Slamin e Budapestit, që është gara e saj e parë për këtë vit dhe gara e parë e madhe që nga muaji shkurt.
Pasi siguroi medaljen, Loriana është shfaqur e emocionuar. Tani ajo po shikon para, ndërsa po përgatitet për t’i sjellë Kosovës një tjetër medalje.
“Përveq gjysmëfinales, jam e kënaqur me paraqitjen që kisha sot. Pas një viti pa gara e po ashtu në pandemi, ishte ndjenjë e veçantë që të jem sërish në podium”, ka thënë Loriana Kuka për KOHËN të dielën mbrëma.
Pas dy fitoreve fillestare, Loriana humbi gjysmëfinalen nga francezja Estelle Posvite. Për vend të tretë e mposhti rusen Antonina Shmeleva.
“Për mua pushimi ka zgjatur një vit. Është dashur të kthehem në gara në mars, pas lëndimit që kisha. Por për shkak të pandemisë u anuluan garat, disa ditë para se të niseshim për garën e ardhshme”, ka shtuar Loriana, që ka lënë jetën në Zvicër për të bërë karrierë të xhudos në Kosovë.
“Për mua kjo medalje ka vlerë të madhe. Ishte gara e parë pas lëndimit, pas një kohe jo të lehtë edhe në aspektin psikologjik. Po ashtu erdhi në garën e parë në pandemi. Me këtë medalje besoj që më është kthyer vetëbesimi dhe motivimi për ushtrime. U vërtetua që puna shpërblehet”, ka shtuar Loriana, mbesa e trajnerit Driton Kuka.
Ajo ka pranuar se nuk ishte sa duhet e fokusuar në gjysmëfinale.

“Unë nuk isha 100 për qind e fokusuar në gjysmëfinale, ashtu si duhet të jem. Më ka zënë në befasi në kontaktin e parë. Edhe pse Toni më ka thënë që të ruhem në kontaktin e parë, unë nuk kam mundur t’iu përmbahem këshillës së tij”.
Gara më e rëndësishme e vitit mbahet menjëherë muajin e ardhshëm.
“Kampionati evropian në nëntor është synimi kryesor për këtë vit. Shpresoj të mbahen kampionatet, pasi situata me koronavirus nuk është ende në kontroll. Shpresoj që do të mund të paraqitem në formën ideale dhe të kthehem me medalje edhe prej kampionatit evropian”, ka theksuar Loriana Kuka.