Kosova nuk kishte fare gjasa ndaj Suedisë në ndeshjen e fundit kualifikuese për Euro 2022 në hendboll. Të dielën mbrëma në Alingsas të Suedisë, nënkampionia e botës triumfoi thellë, 39:16.
Suedia për herë të parë ka fituar të gjitha gjashtë ndeshjet në grup. Ndërkohë Kosova për herë të parë është renditur e treta në kualifikime. Një fitore e një barazim ndaj Rumanisë i kanë mundësuar Kosovës që të shmangë vendin e fundit në grup.
Suedia ka fituar grupin e tetë me 12 pikë. Mali i Zi ishte i dyti me 6 pikë. Mali i Zi të dielën mposhti Rumaninë dhe kështu siguroi kualifikimin. Kosova e Rumania kanë nga tri pikë në vendet tre e katër. Për shkak të bilancit më të mirë në ndeshjet e ndërsjella, Kosova renditet e treta e Rumania e katërta.
Më 10 mars, Kosova e Rumania luajtën 23:23. Menjëherë më 14 mars, Kosova fitoi 30:25 ndaj Rumanisë në Bukuresht.
Është synuar fitore ndaj Malit të Zi, të mërkurën, për të siguruar kualifikimin. Por Mali i Zi në Prishtinë doli të jetë shumë i fortë dhe fitoi 27:22.
Për ndeshjen e fundit ndaj Suedisë, te Kosova nuk kishin shpresa. Dhe kjo doli të jetë e drejtë. Suedezët ishin shumë të shpejtë e shumë të fortë për hendbollistët e Kosovës, që ishin inferiorë.
Luigj Quni e Valon Dedaj realizuan nga katër gola për Kosovën. Niclas Ekberg udhëhoqi Suedinë me 9 gola.
“Grupi ishte shumë i fortë. Të gjithë kundërshtarët kanë lojtarë të nivelit më të lartë. Ne morëm tri pikë dhe ishim rivalë të barabartë me Malin e Zi. Pra, kemi bërë hap të rëndësishëm para. Jemi konsoliduar në kualifikime të rregullta dhe këtu do të vazhdojmë të mbesim. Kemi lënë pas në bilancin përfundimtar përfaqësuese cilësorë dhe ecja para është evidente”, ka thënë Izet Gjinovci, sekretar i përgjithshëm i FHK-së.
Kosova për herë të tretë u paraqit në kualifikime për Evropian. Herën e parë u ndal në parakualifikime. Herën e dytë fitoi tri pikë, por ishte e fundit në grup. Tani ka avancuar në pozitën e tretë dhe ishte një hap larg kualifikimit.
“Natyrisht në kualifikimet e ardhshme synojmë kualifikimin. Por shpresojmë të kemi edhe fat në short. Ky grup ishte shumë i vështirë. Vendi i tretë është përfundimisht sukses”, ka shtuar Gjinovci.