Sport

Me largimin e Giresset nuk përfundojnë problemet e Kosovës

Humbja nga Bjellorusia rriti shumë presionin mbi përfaqësuesen e Kosovës në futboll e rrjedhimisht edhe mbi Federatën e Futbollit të Kosovës. Dhe FFK-ja vendosi për një hap të logjikshëm. Edhe më të lehtin po ashtu. Ndërpreu bashkëpunimin me selektorin Alain Giresse. Francezi 70-vjeçar, që kishte karrierë të madhe si futbollit, mori drejtimin e Kosovës në shkurt të vitit të kaluar. Nuk ka pasur ndonjë përkrahje apo simpati të madhe që kur mori drejtimin e Kosovës. Pasi nuk ka folur anglisht, Giresse ka pasur vazhdimisht një lloj barriere me opinionin në Kosovë, por edhe me ekipin. Ka pasur dyshime nëse ish-ylli francez ka mundur të përcjellë si duhet idetë e tij te lojtarët. Në konferencat e fundit, për shembull, pyetjet i janë bërë në shqip. Pastaj ato janë përkthyer në anglisht e më pas në frëngjisht. Dhe më pas e kundërta, frëngjisht, anglisht, shqip. Dhe kjo solli jo pak probleme.

Por barriera gjuhësore e Giresset nuk ishte problemi i vetëm i Kosovës. Giresse është shkarkuar të martën, por telashe të mëdha mbesin te Kosova.

Mungesa e konkurrencës në shumë pozita, për shembull. Dikur vlerësohej se Kosova ka lojtarë për tri përfaqësuese. Madje një gjë të tillë e thoshte ish-selektori Albert Bunjaki. Por edhe me Bunjakin, edhe me Bernard Challandesin e sidomos me Giressen, Kosova ka pasur mungesë konkurrence në pozita të caktuara. Në mesfushë sidomos. Kështu Giresse u detyrua ta aktivizojë Betim Fazlijin, që kishte pak ndeshje me skuadrën në këtë vit. Apo Bersant Celinën, që po ashtu luajti fare pak.

Mungesë konkurrence kishte edhe në pozita të tjera, ndërsa edhe dëshira për t’u grumbulluar me Kosovën nuk ekziston te të gjithë lojtarët. Disa prej tyre në mënyrë indirekte kanë refuzuar të vijnë për ndeshjet e qershorit. Dhe kjo bëri që ekipi të mbulohet me lojtarë që ishin rezervistë me skuadrat e tyre dhe që kishin fare pak ndeshje në “këmbë”.

Organizimi rreth përfaqësueses vlerësohet sfidë tjetër. Ka dyshime të mëdha nëse menaxhimi i përfaqësueses është i duhuri. Nëse detyrat janë të ndara dhe kërkohet përgjegjësia.

Ka edhe gjëra tjera që duhet të ngritën në nivel dukshëm më të lartë që Kosova të afrohet me ëndrrën për t’u paraqitur në një ngjarje të madhe. Ëndrra për “Euro 2024” mund të vlerësohet e përfunduar.

Kosova ka tri barazime e një humbje. Me tri pikë është në nivel me Bjellorusinë dhe prapa lë vetëm Andorrën. Izraeli tashmë ka ikur katër pikë, ndërsa Rumania pesë. Zvicra është thuajse e paarritshme – udhëheq me dhjetë pikë.

Federata e Futbollit e Kosovës ka paralajmëruar ndryshime të tjera. Por nuk ka dhënë shenjë se e merr përgjegjësinë për dështimin e Kosovës me Giressen. Kjo udhëheqësi solli Giressen vitin e kaluar dhe tani ka dyshime të mëdha nëse është bërë ndonjë analizë para angazhimit të legjendës franceze. Ai ishte pa punë nga viti 2019, ndërsa në dekadat e fundit herë ishte i punësuar e herë jo. Por FFK-ja ia besoi përfaqësuesen dhe tani vendosi ta shkarkojë.

Nuk është saktësuar nëse largimi i Giresset ka kosto financiare. Por është më se e qartë se largimi i tij nuk i zgjidh telashet e shumta të përfaqësueses së Kosovës.