Sport

Me rifillimin e Bundesligës kthehen në aksion edhe futbollistët e Kosovës

Më në fund do të rifillojnë me ndeshje edhe futbollistët e përfaqësueses së Kosovës. Kjo bëhet e mundur falë vazhdimit të kampionatit në Bundesligë dhe Bundesliga 2 të Gjermanisë.

Në Gjermani luajnë disa futbollistë të Kosovës, raporton Koha.net.

Mbrojtësi i majtë, Leart Paqarada është në përbërjen bazë të Sandhausenit, që prej orës 13:00 po luan ndaj Erzgebirge Aues, në kuadër të xhiros së 26-të të Bundesliga 2. Reprezentuesi tjetër i Kosovës, Besar Halimi, është në stolin e rezervistëve te Sandhauseni.

“Jam shumë i kënaqur që do të luajmë sërish. Kemi pritur gjatë për këtë. Ndoshta fillimisht futbolli do të jetë pak më ndryshe, pasi kemi pushuar dy muaj. Por pas një apo dy ndeshjeve çdo gjë do të kthehet në normalitet, sa i takon paraqitjes në fushë”, ka thënë Paqarada ditë më parë për KOHËN.

Mesfushori Valon Berisha me shumë mundësi do të startoj te Fortuna Duesseldorfit, që prej orës 15:30 luan në shtëpi ndaj Paderbornit, në kuadër të Bundesligës. Milot Rashica me Werder Bremenin të hënën takohet me Bayer Leverkusenin.

Në Gjermani luajnë edhe futbollistë tjerë shqiptarë si Admir Mehmedi, Amir Abrashi, Leon Dajaku e disa të tjerë.