Sport

MKRS-ja njofton se kujt ia ndau 1.9 milionë euro, pakënaqësitë e akuzat shfaqen menjëherë

Përmes një njoftimi në profilin zyrtar në Facebook, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka publikuar listën e federatave, klubeve sportive dhe shoqatave që kanë përfituar nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike.

“Rezultatet përfundimtare të projekt-propozimeve përfituese të OJQ-ve, në fushën e sportit”, është quajtur dokumenti ku janë listuar ata që kanë përfituar nga fondi prej 1.9 milionë eurosh i Pakos së Ringjalljes Ekonomike i paraparë për sportin.

Janë plot 234 përfitues, ka njoftuar MKRS-ja.

Shumicës së klubeve sportive u janë ndarë nga tre mijë euro, por kjo shumë për disa përfitues është shumëfishuar. Madje janë përkrahur disa projekte për të cilat në opinion dihet fare pak.

Përfituesja më e madhe nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike është Federata e Basketbollit e Kosovës.

FBK-së i janë ndarë 150 mijë euro për projektin: “Themelimi i Qendrës Nacionale të basketbollit; Organizimi i FIBA U16 European Challengers në Prishtinë dhe Liga Unike”.

Plot 134 mijë e 740 euro janë ndarë për “Center for Health, Education and Inclusion Cohesion – Mitrovicë”. Për këtë organizatë nuk ka të dhëna në Google apo edhe në rrjete sociale. Të paktën jo me emrin e paraqitur nga MKRS-ja. Por kësaj organizate i është ndarë një hise e madhe e buxhetit për Rimëkëmbje. “Databaza e sportit në Kosovë – DSK”, është projekti për të cilin “Center for Health, Education and Inclusion Cohesion – Mitrovicë” përfiton mbi 134 mijë euro.

Nuk është sqaruar se çka ka të bëjë ringjallja ekonomike me databazë të sportit.

Një shumë e majme i është ndarë edhe një organizate tjetër. 50 mijë të kësaj pakoje të ringjalljes kanë shkuar për “Pl4y International – Prishtinë”. Projekti përfitues i 50 mijë eurove nuk ka fare shpjegim. “Kosovo Players”, shkruan në rubrikën e emrit të projektit.

Ka projekte e organizata të tjera përfituese që vlerësohet se nuk kanë shumë të bëjnë me “ringjallje” të sportit. Për shembull, 6,990 euro janë ndarë për klubin e veteranëve të futbollit “Prizren Masters”. Afër 7,000 euro ky klub i ka tashmë në dispozicion për projektin “Promovimi i futbollit nga veteranët e Prizrenit”. Garat e veteranëve në secilin vend janë rekreative dhe pak kanë të bëjnë me promovim. Por MKRS-ja e ka pranuar si projekt.

Prej federatave sportive, shumë të lartë ka përfituar edhe ajo e hendbollit, 90 mijë euro. Kjo shumë është ndarë për projektin “kualifikimet për kampionatin botëror 2023, faza e parë kualifikuese (Kosova A – meshkujt)”.

Federatës së pikados i janë ndarë 10 mijë euro, ndërsa 21 mijë e 500 euro i janë ndarë klubit të futbollit të femrave, Mitrovica. 10 mijë euro janë ndarë për Federatën e Pingpongut, ndërsa 25 mijë euro klubit të futbollit Drenica.

Bashkimit të Prizrenit (basketboll meshkujt) i takojnë 20 mijë euro, sipas vendimit të Komisionit, ndërsa Dritës së Gjilanit (volejboll femrat), 23 mijë euro. Klubit të notit Prishtina i janë ndarë 10 mijë euro, e shifër e njëjtë i takon edhe klubit të sporteve elektronike XPORTAL nga Prishtina. Dy klubeve të tjera të sporteve elektronike u takojnë nga 5,000 euro.

25 mijë euro janë ndarë për Sigal Prishtinën, për pjesëmarrje në Ligën Ballkanike, që FBK-ja nuk e prezanton fare. Vushtrrisë (hendboll femrat) i janë ndarë 10 mijë euro, ndërsa Komitetit Olimpik të Kosovës 70 mijë euro. Pra organizatës ombrellë i takojnë përgjysmë më pak se organizatës pak të njohur që përfitoi për databazë.

10 mijë euro i takojnë Federatës së Shenjëtarisë, ndërsa 6,000 Federatës së Golfit. Kampionit në futsall, Liqenit, i janë ndarë 37 mijë euro.

36 mijë euro janë ndarë për Federatën e Xhudos, përkatësisht një projekt të saj. Kurse klubit të basketbollit Istogu i janë ndarë 15 mijë euro. Federatës së Kajakimit i takojnë 10 mijë euro e nga 20 mijë Federatës së Mundjes, Atletikës e Tenisit. Përgjysmë më pak janë ndarë për Federatën e Boulingut, kurse 15 mijë për Federatën e sportit Muay Thai.

Federatës së Triatlonit i takojnë 10 mijë euro e 18 mijë janë ndarë, sipas vendimit, për Federatën e Volejbollit. Edhe Federata e Boksit është mbështetur me 10 mijë euro, e gati katër herë më shumë merr Federata e Autosporteve (37 mijë). 18 mijë janë për Federatën Aeronautike, 32 mijë për Federatën e çiklizmit, 41 mijë për Federatën e karatesë e 20 mijë për Federatën e Sporteve për të Verbër. Federata e Shahut u mbështet me 10 mijë euro, kurse 32 mijë janë për Federatën Skitare.

Plot 24 mijë i janë ndarë klubit skitar Prishtina, ndërsa 18 mijë klubit të notit STEP. Bie në sy edhe shuma prej 34 mijë eurosh për klubin e basketbollit Prishtina (femrat), ku trajner është Fidan Shatri, zyrtar në Departamentin e Sportit.

Një tjetër klubi të notit i është ndarë shumë e majme – 21 mijë e 300 euro. Bëhet fjalë për klubin H2O, me projektin “Kosova Swimming”. Lista jo shumë e qartë nuk përfundon me kaq.

Ka pasur komente publike që kanë kundërshtuar mënyrën e ndarjes së këtij buxheti nga MKRS-ja.

Ndërkohë Federata e Volejbollit ka refuzuar të nënshkruajë kontratën për mbështetje prej 18 mijë eurosh. Këtë e ka bërë të ditur Valon Nikqi, sekretar i përgjithshëm i FVK-së. Në FVK thonë se ka konflikt interesi të atyre që kanë bërë ndarjen e buxhetit.

“Ne nuk e kemi nënshkruar dhe kemi kërkuar të anulohet komplet kjo thirrje. Nuk e dimë çfarë kriteresh janë përdorur për të ndarë shumat. Për ne kjo është absurde”, ka theksuar Nikqi.

KOHA ka mësuar se ka edhe klube që nuk janë aktive, përkatësisht që nuk janë pjesë e garave, e që kanë përfituar nga ky fond. Kjo vlerësohet shkelje e rëndë.

Nënshkrimi i kontratave është bërë të premten pasdite, pak para fundit të orarit të punës.

“Nuk e di pse nuk e keni lënë t’i nënshkruani kontratat të shtunën, më afër zgjedhjeve. Ashtu-kështu pas orarit të punës i keni nënshkruar. Ka shumë punë prokuroria”, shkruan në një koment në profilin e MKRS-së në Facebook, Ardian Hamiti, trajner i notit. Edhe drejtues të tjerë klubesh kanë shprehur pakënaqësi publike për mënyrën e ndarjes së këtyre mjeteve.

Vendimi