Prishtinë, 14 janar – Gëzim Morina e ka menduar gjatë kthimin tek Ylli i Suharekës. Basketbollisti 28-vjeçar ishte larguar nga skuadra suharekase në verën e vitit 2008 për të bërë karrierë në Slloveni. Dhe nga Sllovenia tani kthehet te Golden Eagle Ylli me një synim të madh – për t’ia siguruar skuadrës dhe qytetit dy trofetë e basketbollit kosovar, titullin e kampionit dhe Kupën.
Golden Eagle Ylli të enjten e ka prezantuar Morinën si lojtar të ri. Vetë reprezentuesi i Kosovës thotë se vendimi për t’u kthyer në klubin e fëmijërisë ishte prej më të lehtëve që ka marrë ndonjëherë.
Golden Eagle Ylli e ka përfunduar stinorin vjeshtor në vendin e katërt, me tetë fitore e gjashtë humbje. I ka 22 pikë, tri më pak se Rahoveci që është lider.
“Kthimi në Superligën e Kosovës nuk ka qenë diçka që ka ndodhur brenda natës. Dëshira ime dhe e çdo qytetari suharekas është që të stolisemi me trofe. Jemi prej klubeve më të hershme dhe me traditë në Kosovë. Sidomos para luftës kemi pasur paraqitje të mira. Pas luftës, deri 6-7 vjet më parë, nuk kemi qenë edhe aq konkurrent. Kjo gjë ka ndryshuar me inkuadrimin në klub të kompanisë ‘Golden Eagle’ dhe pronarit Shaqir Palushi. Ai ka bërë të mundur që të jemi klub stabil dhe të kemi aspirata për të fituar trofe, gjë për të cilën unë si qytetar suharekas, por besoj edhe të gjithë bashkëvendësit e mi, e falënderojmë”, ka thënë Morina të enjten për KOHËN.
Ai ka treguar se me drejtues të Yllit ka pasur biseda ndër vite. Por tani rrethanat janë përshtatur që Morina të bashkohet me Yllin.
“Duke parë se si kanë rrjedhur gjërat, këtë vit vendosa se ishte koha e përshtatshme që të kthehem dhe të mundohem ta ndihmoj klubin në arritjen e synimeve të përcaktuara”, ka shtuar basketbollisti i gjatë 204 centimetra. Ai kryesisht luan krah-qendër.
Morina deri më tani ka luajtur për skuadrën sllovene, Helios Suns. Heliosi është i dyti në kampionatin slloven me dhjetë fitore e katër humbje. Ndërkohë garon edhe në nivelin e dytë të Ligës së Adriatikut. Morina në kampionat ka luajtur mesatarisht nga 11,7 minuta për ndeshje. Kishte 4,8 pikë për ndeshje e 3,1 kërcime. Ndërkohë në Ligën ABA nuk ka qenë i përfshirë.
Kthimi nga Sllovenia në Kosovë nuk ka qenë i vështirë për Morinën.
“Vështirë nuk ka qenë aspak. Në Slloveni jam kohë të gjatë dhe kaloj shumë mirë. Mund të them që këtu është shtëpia ime e dytë. Mirëpo në asnjë vend të botës nuk ndihem ashtu si ndihem kur jam në vendlindjen time. Kështu që ka qenë prej vendimeve më të lehta që i kam marrë ndonjëherë”, thotë Morina.
“Synimet e klubit i dinë të gjithë. Synojmë dy trofetë, mirëpo nuk do të jetë aspak e lehtë. Ka shumë ndryshime në ekip, do të na duhet kohë të komponohemi, mirëpo besoj se secili nga ne do të japë maksimumin dhe shpresojmë që në fund të kampionatit të ndahemi të kënaqur me rezultatin”.
Morina ka thënë se edhe para largimit për në Slloveni ka luajtur për ekipin senior të Yllit, si 15-vjeçar. Thotë se rrethanat ishin të tjera. Morina pranon se pas 13 vjetësh ai dhe Ylli kanë ndryshuar shumë.
“Mirëpo dashuria ndaj klubit mbetet ende e njëjtë. Emocionet sigurisht do të jenë të mëdha, por kur fillon ndeshja këto gjëra harrohen dhe fokusi është vetëm te fitorja”, ka shtuar Morina, që në gusht të vitit 2008 u vendos në Slloveni. Ai e ka mësuar basketbollin tek Union Olimpija. Më pas ka luajtur për LTHcast Mercator, Hopsi Polzela, Helios Suns, Maribor. Gjatë edicionit 2015/16 ishte pjesë e Sigal Prishtinës, por u kthye sërish në Slloveni, ku luajti për skuadra si LTH Casting, Sixt Primorska, Shençur, Hopsi Polzela dhe në pjesën e parë të edicionit aktual sërish te Heliosi.
Tek Union Olimpija kishte kaluar së bashku me Erjon Kastratin, me të cilin Ylli firmosi kohë më parë. Ylli ka angazhuar trajner turk, kurse ka firmosur edhe me një basketbollist cilësor amerikan.
Morina ka luajtur më parë për Slloveninë, ndërsa ka kohë që është te Kosova, njëjtë si Kastrati.
“Me Erjonin na lidhin shumë gjëra. Ishim bashkëlojtarë në katër vjetët e parë në Slloveni. Në klub do të jemi bashkëlojtar pas më shumë se tetë vjetëve . Mendoj se do të jemi ndihmesë e madhe, por trofeun asnjëherë nuk e fitojnë një apo dy lojtarë. Gjithmonë e fiton ekipi. Do të isha i gëzuar tej mase nëse kjo gjë do të ndodhte sivjet dhe këtë sukses ta ndaja me shokun tim Erjonin dhe shokët tjerë suharekas”, ka theksuar Morina.