Sport

Mungesa të rëndësishme e lojtarë jashtë forme te Kosova

Ka pasur reagime të shumta për listën e selektorit të Kosovës, Alain Giresse, për dy ndeshjet e qershorit. Kosova më 16 qershor e pret Rumaninë, ndërsa më 19 qershor luan ndaj Bjellorusisë në Budapest të Hungarisë. Kosova synon reagimin pas barazimit dëshpërues me Andorrën, më 28 mars në Prishtinë. Në nismë të kualifikimeve për “Euro 2024” Kosova kishte barazuar 1:1 në Tel- Aviv ndaj Izraelit.

Shumë prej atyre që kanë komentuar dyshojnë që Kosova ka ekip të denjë për të marrë rezultatin e kërkuar ndaj Rumanisë e Bjellorusisë. Ekipi i përzgjedhur nga Giresse nuk ka bindur shumë njerëz.

Francezi Giresse ka ftuar 23 lojtarë.

Samir Ujkani, si zakonisht, është ftuar. Ai në fundjavë bëri paraqitje shumë të rrallë për Empolin në Serie A. Arijanet Muriq e Visar Bekaj, i dënuar së fundi nga FSHF-ja, janë dy portierët e tjerë.

Prej mbrojtësve, Mirlind Kryeziu nuk ka luajtur prej fundit të prillit për Zuerichun, por është ftuar. Amar Gërxhaliu për Antalyasporin nuk ka luajtur prej fillimit të shkurtit, por edhe ai është ftuar.

Plotësisht jashtë ritmit të ndeshjeve është edhe Betim Fazliji. Ai nuk ka luajtur që nga 1 prilli, por ka bërë vend te Kosova. Hekuran Kryeziut së fundit ia shkëputi kontratën Winterthuri i Zvicrës dhe ai do të ketë rast te Kosova të dëshmojë potencialin. Kryeziu ka luajtur gati rregullisht për Winterthurin së fundi.

Në gjashtë ndeshjet e fundit të Stoke Cityt në Championship, Bersant Celina kishte vetëm një paraqitje. Megjithatë, vendi i Celinës te Kosova vazhdon të mos rrezikohet.

Florian Loshaj kaloi tek Istanbulspori me synim të stabilizimit. Në shtatë ndeshjet e fundit është aktivizuar vetëm dy herë. Te skuadra turke ka një asistim në shtatë paraqitje gjithsej. Loshaj është po ashtu në listën e Giresset.

Jetmir Topalli është tjetër lojtar i Istanbulsporit. Herë po luan, herë jo, ndërsa është ftuar te Kosova. Ai është kthyer pas një kohe, së bashku me Ermal Krasniqin e Clujit rumun.

Të tjerët në listën e Giresset janë të zakonishmit. Lojtarët si Amir Rrahmani, Vedat Muriqi, Milot Rashica, Edon Zhegrova, Florent Muslija e disa të tjerë kanë shfaqur formë të lartë së fundi dhe janë shpresa e Kosovës për sukses.

Por nuk janë në listë Arbër Zeneli, Arbnor Muja, Valon Berisha, Florent Hadërgjonaj. Zeneli ka pasur telashe me minutazhë në Ligue 1 të Francës, njëjtë si shumë lojtarë që janë në listë e që luajnë në nivel dukshëm më të ulët. Muja fitoi titullin e kampionit dhe Kupën e Belgjikës, Berisha kishte kampanjë të suksesshme në Australi, ndërsa Hadërgjonaj ka luajtur rregullisht në Turqi. Nga FFK-ja nuk ka pasur ndonjë njoftim për mbetjen jashtë të këtyre lojtarëve.

Ka pasur reagime të shumta edhe për mbetjen jashtë të sulmuesit Mirlind Daku dhe për faktin që nuk u ftua asnjë futbollist i Superligës.

Në fakt për disa pozita mungon konkurrenca dhe Giresse mund të jetë detyruar të ftojë edhe ndonjë që nuk luan apo është jashtë formës. Por disa lojtarë vazhdojnë të mos japin gati asgjë për Kosovën, nuk luajnë në klubet e tyre dhe vazhdojnë të ftohen rregullisht.

 

Përfaqësuesja e Kosovës për ndeshjet me Rumaninë dhe Bjellorusinë

Aro Muriq, Samir Ujkani, Visar Bekaj, Mërgim Vojvoda, Amir Rrahmani, Lirim Kastrati, Mirlind Kryeziu, Fidan Aliti, Amar Gërxhaliu, Leart Paqarada, Betim Fazliji, Donat Rrudhani, Ibrahim Dresheviq, Hekuran Kryeziu, Bersant Celina, Florian Loshaj, Elbasan Rashani, Florent Muslija, Edon Zhegrova, Milot Rashica, Jetmir Topalli, Ermal Krasniqi, Vedat Muriqi