Sport

Ndikimi i madh i Thiago Mottas në ngritjen e Bolognas

Kudo që Thiago Motta ka shkuar si lojtar, ai ka fituar trofe pas trofesh. Pas një fillimi të prirur për dëmtime, por fitues në Barcelonë, ai fitoi “tripletën” me fanellën e Interit që pasoi me një grumbull të madh titujsh vendas te skuadra e Paris Saint-Germainit. I vlerësuar për shkathtësinë dhe përkushtimin e tij në mesfushë, Motta sjell të njëjtin intensitet në karrierën e tij si trajner dhe ndikimi i tij këtë sezon te Bologna ka qenë përtej pritshmërive. Një skuadër që për shumë vite ka përfunduar në mes të tabelës në Serie A, Bologna tani është në vendin e katërt në kampionatin italian dhe në pozitë për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve për edicionin e ardhshëm. Motta mundi trajnerin e tij nga ditët në Inter, kur Bologna mposhti Romën e Jose Mourinhos fundjavën e kaluar. Më pas, të mërkurën, Bologna fitoi 2:1 për ta eliminuar Interin në 1/8 e finales të Kupës së Italisë pas vazhdimeve. Sulmuesi holandez Joshua Zirkzee ishte katalizatori për fitoren e rikthimit ndaj Interit, duke dhënë fillimisht një asistim për Sam Beukema në minutën e 112-të dhe më pas në minutën e 116-të bëri të njëjtën gjë për Dan Ndoye për ta vulosur fitoren e Bolognas. Ishte hera e dytë këtë edicion që Bologna dhe Zirkzee befasuan Interin, liderin aktual të Serie A. Zirkzee realizoi gol për t’ia siguruar Bolognas barazimin 2:2 kundër Interit në ndeshjen kampionale të zhvilluar në muajin tetor. Kështu që, nuk është çudi pse Bayern Munichu përfshiu një klauzolë rikthimi kur e shiti Zirkzeen te Bologna vitin e kaluar.

“Zirkzee ka potencial të madh dhe është jetike për zhvillimin e tij që ai të luajë rregullisht”, tha ish-drejtori sportiv i Bayernit, Hasan Salihamixhiq për holandezin. “Marrëveshja përfshin një klauzolë rikthimi sepse Joshua mbetet një lojtar shumë interesant për Bayernin”.

Mesfushori Giovanni Fabbian është një tjetër lojtar i ri që ka ndikim të madh te Bologna nën trajnerin Motta. Ai, gjithashtu, ka një klauzolë kthimi në kontratën e tij pasi erdhi te Bologna përmes sistemit të rinjve të Interit. Më pas është mesfushori me tipare sulmuese Leëis Ferguson, lojtari skocez me më së shumti gola në ligën italiane në më shumë se 60 vjet.

“Është një moment i mrekullueshëm, por komplimentet shkojnë për lojtarët”, tha Motta. “U desh shumë punë për të arritur në këtë pikë. Ne kemi bërë disa gjëra të jashtëzakonshme, por jemi ende vetëm në gjysmë të sezonit”.

Bologna gjithashtu barazoi me Juventusin 1:1 në gusht dhe mbajti kampionin në fuqi, Napolin në një barazim pa gola në shtator. Motta u fut në një situatë të vështirë te Bologna kur u punësua për të zëvendësuar të shkarkuarin Sinisha Mihajloviq menjëherë pas fillimit të edicionit të kaluar. Mihajloviq, i cili vdiq disa muaj më vonë pas një beteje të gjatë me leukeminë, krijoi një lidhje të veçantë me lojtarët e tij, të cilët shpesh festonin fitoret nën dritaren e dhomës së spitalit të trajnerit kur po trajtohej. Bologna përfundoi në vendin e nëntë edicionin e kaluar dhe po përparimin që ekzekutivi kanadez Joe Saputo parashikoi kur bleu klubin gati një dekadë më parë. Ndërsa Bologna është shtatë herë kampione e Serie A, klubi nga Emilia-Romagna që për herë të fundit triumfoi në vitin 1964. Saputo gjithashtu ka bërë përparim me qytetin në një plan inovativ për të rinovuar “Stadio Dall'Ara”. Ndërsa puna nuk ka filluar ende, qëllimi është që stadiumi i rinovuar të jetë gati për 100-vjetorin e objektit në vitin 2027. Së pari, megjithatë, Bologna ka një ndeshje kundër Atalantas të vendit të shtatë të shtunën.

“Ne duhet të pushojmë dhe të rikuperohemi”, tha Motta, “dhe më pas të fokusohemi në ndeshjen kundër Atalantas”.