Katër prej tetë ndeshjeve të Superligës së Kosovës në basketboll, që është dashur të luheshin këtë javë, janë shtyrë për shkak të koronavirusit. Te Peja janë konfirmuar raste me COVID-19, ndërsa te Sigal Prishtina ka dyshime për të infektuar.
KOHA mëson se në mesin e të infektuarve ka edhe lojtarë të Përfaqësueses së Kosovës në basketboll. Dhe kjo ka brengosur drejtuesit e FBK-së për faktin se Përfaqësuesja i luan dy ndeshje të rëndësishme më vonë këtë muaj.
Në Federatën e Basketbollit të Kosovës po shpresojnë që asnjë lojtar të mos mungojë për shkak të koronavirusit. Shpresat janë që të infektuarit aktualë ta kalojnë koronavirusin para udhëtimit për në Sllovaki.
Kosova aktualisht udhëheq në Grupin B të raundit të parë të parakualifikimeve për Botërorin 2023. Më 20 shkurt Kosova fitoi 80:78 ndaj Islandës, ndërsa më 23 shkurt Kosova fitoi në udhëtim ndaj Luksemburgut me shifrat 84:80. Është vendosur nga FIBA që dy xhirot e ardhshme të luhen në Bratislavë të Sllovakisë. Ndeshja Sllovakia – Islanda luhet më 26 nëntor, ndërsa më 28 nëntor është ndeshja Islanda – Kosova. Dy xhirot e fundit luhen në shkurt të vitit të ardhshëm.
“Të hënën do t’i bëjmë testet e para për koronavirus”, ka thënë Elvira Dushku, sekretare e përgjithshme e FBK-së.
KOHA ka mësuar se FBK-ja po shqyrton mundësinë e karantinimit të Përfaqësueses A për të siguruar që koronavirusi nuk do ta prekë ekipin.
“Testin e dytë e kemi më 21 nëntor. Lojtarët dhe stafi duhet t’i kalojnë këto dy teste për të qenë pjesë e delegacionit. Grumbullim në Kosovë nuk ka. Udhëtimi bëhet direkt në Sllovaki. Udhëtojmë të hënën më 23 nëntor dhe qëndrojmë në Sllovaki deri më 29 nëntor. Ndeshjet i kemi më 26 e 28 nëntor”, ka shtuar Dushku, e cila ka konfirmuar se ka pak raste me koronavirus në mesin e lojtarëve që llogariten me potencial për Përfaqësuese.
“Por ata janë duke e kryer. Në testin e parë mund të dalin pozitivë, por në të dytin e kalojnë”, thotë ajo.
Selektori Christos Marmarinos pritet të llogaritë në grupin e njëjtë të lojtarëve. Prej lojtarëve që luajnë jashtë vendit do të grumbullohen Erjon Kastrati, Gëzim Morina e Mikaile Tmushiq.
Në kuadër të javës së katërt të Superligës nuk janë luajtur ndeshjet Peja – Bashkimi e Sigal Prishtina – Golden Eagle Ylli. Ndërkohë në fundjavë nuk u luajtën ndeshjet Trepça – Peja e Ponte Prizreni – Sigal Prishtina.
Ponte Prizreni nuk e ka pritur mirë vendimin për shtyrje të ndeshjes me Prishtinën.
“Ponte Prizreni konteston fuqishëm shtyrjen e ndeshjes kampionale me Sigal Prishtinën për arsye se ‘kinse’ qenkan lojtarët të infektuar me COVID-19 nga skuadra mike. Ne si klub kemi kryer të gjitha përgatitjet për ndeshje dhe mbrëmë në orët e vona morëm një email nga FBK-ja që ndeshja është shtyrë. Ne si klub kërkojmë transparencë dhe fakte të na deponohen se a janë në të vërtetë lojtarët me COVID-19”, thuhet në një komunikatë që Ponte Prizreni ka lëshuar të shtunën.
Ponte pretendon se FBK-ja po përdor standarde të dyfishta dhe se bojkotet në skuadra për shkak të pagave po mbulohen duke u arsyetuar me infektim me koronavirus.