Sport

Në tetor pritet të nisë liga e basketbollit me ekipe nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut

Klubi i basketbollit ALBES nga Shkupi të enjten zyrtarisht ka kërkuar që të bëhet pjesë e ligës së përbashkët në të cilën pritet të marrin pjesë klubet nga Kosova dhe Shqipëria.

Në të vërtetë liga e basketbollit me ekipet nga Kosova dhe Shqipëria është ende ide, kurse synimi është që ajo të fillojë në tetor të këtij viti.

Federata e Basketbollit të Kosovës dhe Federata Shqiptare e Basketbollit po punojnë për realizimin e kësaj ideje, ndërsa plani është që të ftohen edhe ekipet nga Maqedonia e Veriut.

Kështu do të formohet një “mini-ligë” regjionale, që vlerësohet se do të shërbejë për ngritjen e cilësisë së basketbollit në të tri shtetet.

Ndër të tjera kjo nënkupton se klubet kosovare më nuk do të luajnë në Ligën Ballkanike dhe në vend të saj do të luajnë në ligën që pritet të formohet.

Liga pritet të numërojë prej tetë deri në 12 skuadra, ndërsa ndeshjet do të luhen të mërkurave dhe të enjteve.

Këtë e ka bërë të ditur të enjten për Koha.net, Elvira Dushku, sekretare e përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës.

ALBES është klubi i parë nga Maqedonia Veriore që ka shprehur interesim për t’u bërë pjesë e ligës, por gjasat nuk janë shumë të mëdha që për të të bëhet vend. Synohet që në ligë të luajnë vetëm skuadra elitare nga të tri vendet, ndërkohë që ky klub garon në kategorinë e dytë të Maqedonisë së Veriut, raporton Koha.net.

“Sot ka shkruar një klub nga Shkupi që dëshiron të marrë pjesë. Klubi garon në Ligën e Dytë. Ne mendojmë që në ligën e përbashkët të marrin pjesë vetëm ekipe të Superligës, pra ekipe të forta që liga të jetë e fortë. Kjo është ideja dhe po punohet që kjo të realizohet”, ka thënë Dushku.

Sipas saj ideja është që të tri vendet të përfaqësohen me nga katër ekipe të forta.

“Nëse përfshihet edhe Maqedonia Veriore, atëherë liga do t’i numërojë 12 skuadra. Janë tri opsione në fakt, me tetë skuadra, dhjetë skuadra dhe 12 skuadra. Nuk është kusht që ekipet të jenë vetëm shqiptare”.

Nga FIBA nuk ka pengesa për themelimin e një lige të tillë, ndërsa plani është që ndeshjet të luhen prej tetorit.

“Me Maqedoninë e Veriut ende nuk kanë nisur negociatat. Kryetari i FBK-së, Arben Fetahu dhe ai i FSHB-së, Avni Ponari do t’i fillojnë negociatat. Plani është që ndeshjet të luhen në mesjavë, të mërkurave dhe të enjteve. Nuk do të preken ligat nacionale, ndeshjet e të cilave do të luhen në fundjavë”, ka treguar Dushku.

Sipas saj Bordi i FBK-së në mbledhjen e ardhshme do t’i përcaktojë ekipet pjesëmarrëse nga Kosova. Dushku thotë se ideja është e përbashkët e FSHB-së dhe FBK-së, ndërsa atë po e shtynë përpara Avni Ponari, president i Federatës Shqiptare të Basketbollit.

Nëse marrin pjesë vetëm ekipet nga Kosova dhe Shqipëria, atëherë Liga do të njihej si mbarëkombëtare, por po ashtu me emër të sponsorit. Ndërsa me pjesëmarrjen eventuale të ekipeve nga Maqedonia e Veriut, Liga pritet të njihet vetëm me emrin e sponsorit.