Humbja nga Sllovenia ka kompletuar dy javë plot dështime për ekipet e Kosovës. Përfaqësuesja A e Kosovës në futboll të dielën mbrëma në Lubjanë pësoi 2:1 nga Sllovenia në kuadër të Ligës C të Ligës së Kombeve. Ishte ndeshja e fundit për ekipet e Kosovës në gjysmën e parë të nëntorit, që ka njohur vetëm dështime, sa u takon sporteve ekipore.
Aktivitetet ndërkombëtare ishin të shumta këto dy javë, me gjithë situatën e rënduar për shkak të pandemisë. Rastet me koronavirus kanë rënduar gjendjen te Kosova, por edhe tek ekipet e vendeve tjera. Ata që kanë garuar për përfaqësuese e skuadra megjithatë nuk kanë arritur ndonjë sukses.
Më së shumti është diskutuar për dështimet e përfaqësueses së futbollit. Kosova më 11 nëntor pësoi në miqësore nga Shqipëria me shifrat 2:1, kurse me rezultat të njëjtë humbi edhe nga Sllovenia, të dielën mbrëma. Golin e dytë e pësoi në minutën e 94-t nga pika e bardhë.
Në futboll ka pasur edhe dështime të tjera, sa u takon rezultateve sportive. Përfaqësuesja U-21 po ashtu ka pësuar nga Shqipëria. Ndeshja e luajtur më 13 nëntor në Prishtinë përfundoi 1:0 në të mirë të kuqezinjve.
Ndërkohë me humbje është prezantuar në skenën evropiane edhe kampionia e Kosovës në konkurrencë të femrave, KFF Mitrovica.
Mitrovica në raundin e parë kualifikues të Championsit pësoi 2:0 në Austri nga St. Poelteni.
“Pandemia na ka penalizuar, por edhe të tjerët i ka penalizuar. Ne megjithatë e patëm fatin më të keq. Do të dalim nga kjo situatë. Jemi të kënaqur me angazhimin dhe reagimin e ekipit, sidomos pas paraqitjes që kishim ndaj Shqipërisë. Kemi punuar për të kthyer mentalitetin e fituesit”, ka thënë pas ndeshjes me Slloveninë, Muharrem Sahiti, trajner i parë i Kosovës. Ai ka udhëhequr përfaqësuesen në mungesë të selektorit Bernard Challandes që është me koronavirus.
Telashet e Mitrovicës
Ndërkohë ndeshja e Mitrovicës me skuadrën austriake ishte në dyshim të madh. Skuadrës mitrovicase nuk iu lëshuan vizat e Austrisë, ndërsa udhëtuan vetëm tetë futbolliste me pasaporta të Shqipërisë dhe shtatë të tjera që kishin viza.
“Luajtëm me shumë mungesa. Pavarësisht humbjes, vajzat e dhanë maksimumin”, thuhet në një njoftim të Mitrovicës, që kishte pretendime këtë edicion të Championsit, të paktën për të kaluar kundërshtarin e parë.
Më mirë nuk kanë kaluar as përfaqësueset e ekipet në sportet e tjera.
Në hendboll përfaqësuesja e meshkujve i humbi dy ndeshje. Fillimisht më 4 nëntor në Podgoricë, Kosova pësoi nga Mali i Zi me rezultatin 32:25. Ishte vlerësuar paraqitje e dinjitetshme, sidomos në 40 minutat e para kur Kosova ishte rivale e barabartë. Ndërkohë ndaj Suedisë, në Prishtinë, më 8 nëntor, Kosova humbi thellë 30:16.
“Kemi qenë mirë në mbrojtje, por jo edhe në sulm. Në pjesën e dytë kemi humbur shumë topa dhe ky ka qenë problemi”, kishte thënë trajneri i Kosovës, Javier Cabanas. Ai zëvendësoi selektorin Taip Ramadani, që për shkak të pandemisë nuk mundi të udhëtojë nga Australia.
Edhe më keq kaloi kampioni i Kosovës në hendboll në konkurrencë të femrave, KHF Ferizaj. Ferizaj u pajtua që dy ndeshje t’i luajë në Antalya ndaj skuadrës turke, Muratpasha. Ndeshjen e parë, të shtunën, Ferizaj e humbi me rezultatin 40:15. Të dielën rezultati ishte më i ngushtë, 32:16. Ferizaj me faktin se ishte pajtuar që dy ndeshjet t’i luajë në Turqi, në një mënyrë ishte pajtuar me eliminim në raundin e tretë të Kupës Evropiane. Po ashtu skuadra ferizajase kishte udhëtuar me fond fare të vogël të lojtareve, që as për së afërmi nuk i bën ballë skuadrës turke.

Ndryshe ndodhi në volejboll. Në kuadër të CEV Cup për volejbolliste, skuadra e Dritës dy ndeshjet i luajti në Gjilan, javën e kaluar. Por ndaj skuadrës çeke, Shelmy, ishte inferiore. Shelmy ndeshjen e parë e fitoi me 3:0 në sete, njëjtë si të dytën. Pra Shelmy kishte vlerësuar se është dukshëm më i fortë se Drita dhe kishte pranuar që dy ndeshjet t’i luajë në Kosovë. Kjo u dëshmua në terren, skuadra gjilanase, që ka mbledhur shumë reprezentuese, nuk ia doli të fitonte ndonjë set në dy përballje.
Sukseset që priten
Pjesa e dytë e muajit me shumë aktivitete ndërkombëtare megjithatë pritet të jetë më e suksesshme.
Shpresat e Kosovës menjëherë të martën kërkojnë suksesin në përballje me Turqinë, në Samsun. Ndërkohë përfaqësuesja A e futbollit të mërkurën e pret Moldavinë dhe shpresat janë për fitore, pas dhjetë ndeshjeve pa triumf.
Në basketboll skuadrat këtë edicion kanë hequr dorë nga garat ndërkombëtare, por përfaqësuesja në fund të muajit i luan dy ndeshje në Sllovaki. Ndaj Sllovakisë dhe Islandës, Kosova synon fitore.
Në hendboll Prishtina kaloi pa lojë raundin e tretë të Kupës Evropiane, pas tërheqjes së skuadrës bullgare, Dobrudja. Në fushë suksesin e kërkojnë hendbollistët e Besa Famgasit dhe hendbollistet e Istogut.
Besa Famgas takohet me skuadrën boshnjake Bosna Visoko, kurse të dy ndeshjet luhen në Pejë, më 21 e 22 nëntor. Besa vlerësohet favorite e madhe për avancim në raundin e tretë të Kupës Evropiane.
Ndërkohë KHF Istogu i luan dy ndeshjet në shtëpi ndaj skuadrës bjelloruse, Victoria-Berestie. Ndeshjet luhen më 21 e 22 nëntor në Istog.
Dy ndeshje të vështira më vonë këtë muaj i luan përfaqësuesja e futbollisteve. Por gjasat për sukses ndaj Rusisë e Holandës thuajse nuk ekzistojnë.
