Filloi me një mirëseardhje për heroin. Kur mbërriti si pronar i ri i Valencias në tetor të vitit 2014, Peter Lim, u prit me gëzim nga tifozët që shpresonin se biznesmeni nga Singapori do ta shpëtonte klubin dhe do ta largonte nga një pozitë e rrezikshme financiare, e shkaktuar nga vitet e shpenzimeve tepër ambicioze. Tifozët ishin optimistë se marrja e klubit nga Lim, përmes kompanisë së tij “Meriton Holdings” me bazë në Hong Kong, do ta shtynte Valencian të kthehej në majën e futbollit evropian, duke pasur parasysh arritjen në finalen e Ligës së Kampionëve (2000, 2001) dhe titujt e kampionit në La Liga (2002, 2004).
Por vullneti i mirë fillestar ndaj Limit shpejt filloi të zbehej pas një sërë emërimesh të çuditshme menaxheriale dhe një marrëdhënie të ngushtë me agjentin Jorge Mendes. Gazetari me bazë në Valencia, Paco Polit e ka të qartë se pse masa filloi të kthehet kundër pronarit Lim, i cili është edhe bashkëpronar i klubit të ligës së dytë angleze Salford City bashkë me një grup ish-lojtarësh të Manchester Unitedit. Në mesin e tyre është Gary Neville, ish-trajner i pasuksesshëm i Valencias.
“Ndryshimi i qëndrimit ndaj Limit filloi në verën e vitit 2015”, tha Polit. “Duke qenë avokati i tij më i madh dhe duke e ndihmuar të blinte klubin lirë, presidenti Amadeo Salvo u largua pas një lufte për pushtet me Jorge Mendesin dhe trajnerin e atëhershëm Nuno Espirito Santo. E gabimet e mëvonshme dëmtuan seriozisht imazhin publik të pronarit Lim”.
Çdo ndjenjë e mbështetjes ndaj Limit mes tifozëve të Valencias u shkatërrua përgjithmonë në vitin 2019. Ekipi fitoi Kupën e Mbretit, duke mposhtur Barcelonën në finale emocionuese dhe përfundoi i katërti në La Liga. Por Lim reagoi duke u ndarë me trajnerin Marcelino dhe drejtorin Mateu Alemany pas mosmarrëveshjeve mbi politikën e transferimeve.
"Kjo ishte vendimtare për perceptimin se Lim nuk kujdeset vërtet për fatin e klubit”, thotë Polit. “Sidomos kur merrni parasysh konfliktin e tij të hapur me bashkinë e Valencias, asnjë investim të bërë, shitjen e lojtarëve më të mirë të ekipit për tarifa relativisht të ulëta, qëndrimin e pakujdesshëm ndaj historisë së klubit, mosrespektimin e tifozëve”.
Dera e Valencias për trajnerët ka vazhduar të mbetet e hapur që nga largimi i Marcelinos, me pasuesit e tij Javi Garcia, Albert Celades dhe Jose Bordalas të larguar pas një sezoni. Trajneri i fundit i pafat ishte Gennaro Gattuso, i cili bëri një fillim të shkëlqyer në sezonin e ri, por u largua javën e kaluar pas vetëm gjysmë edicioni në krye. Ai u largua pas rezultateve të dobëta dhe mosmarrëveshjeve me pronarin Lim për dështimin që të transferohet ndonjë lojtar gjatë afatit kalimtar të janarit.
Trajneri i shumë periudhave, Voro, po menaxhon përsëri ekipin. Ai është në krye për herë të tetë ndërsa Lim kërkon një trajner të dhjetë të përhershëm në më pak se nëntë vjet në krye të klubit. Voro është duke mbikëqyrur skuadrën më të re në La Liga, e cila nuk ka pasur përforcime në mes të edicionit. Valencia është në seri prej katër humbjeve dhe vetëm një pikë larg zonës së rënies. Kushdo që emërohet, gazetari Polit nuk mban asnjë optimizëm për të ardhmen.
“Asnjë trajner në botë nuk do të jetë në gjendje të ketë sukses ndërsa Peter Lim dhe modeli aktual i menaxhimit janë në klub. Ata janë të dënuar ende pa filluar. Të gjithë trajnerët e fundit kanë bërë të njëjtin vlerësim për problemet kryesore: Valencia nuk drejtohet si një klub i duhur dhe Peter Lim nuk është duke investuar në suksesin e ekipit. Skuadra është duke u dobësuar çdo sezon”, tha Polit.
Tifozët e klubit tashmë janë lodhur. Nën emrin Libertad VCF - Liri për Valencia FC - grupe të ndryshme tifozësh janë mbledhur për të planifikuar protesta masive për takimin në shtëpi të së shtunës me Athletic Bilbaon.
Megjithatë, mbajtja e një marrëdhënieje të mirë me tifozët e klubit nuk është shfaqur kurrë në listën e prioriteteve të Limit. Lim ngurron për t’iu drejtuar mediave ose për t'u shfaqur në publik. Ai nuk ka ndjekur ndeshje në Valencia që nga dhjetori 2018, që do të thotë se është e vështirë të përcaktohet se cilat mund të jenë ambiciet e biznesmenit për klubin. Qartë që këto gjëra nuk bëjnë shumë për të qetësuar tifozët e Valencias, duke e çuar gazetarin e COPE Radio dhe Marca, Pedro Morata, në një vlerësim të errët.
“Ky njeri është ulur në divanin e tij në Singapor dhe luan me Valencian si me një lodër”, tha gazetari i COPE, Morata. “Është e pabesueshme, por kështu është. Askush nuk e kupton pse e bleu klubin. Tifozët kanë turp për klubin e tyre për shkak të tij. Valencia do të vazhdojë të zhytet për sa kohë që Lim të qëndrojë”.
Edhe pse është e pamundur të vlerësohen me saktësi qëllimet e tij, deri më tani Lim nuk ka treguar prirje për ta nxjerr në shitje Valencian. Por nëse diçka nuk ndryshon, rënia dramatike e Valencias duket se do të vazhdojë dhe kampionatin e ardhshëm skuadra mund të paraqitet në kategorinë e dytë të Spanjës.