Sport

Një ligë e paarritshme, një e padëshiruar dhe një e synuar

Prej vitit 2001 skuadrat më cilësorë të basketbollit në regjion garojnë në ligën e përbashkët, që tashmë njihet si Liga ABA apo si Liga e Adriatikut. Prej tri vitesh organizohet edhe niveli i dytë i kësaj lige.

Por Liga ABA vazhdon të mbetet shumë e largët për Kosovën dhe klubet e saj. Ndikimi i Serbisë në këtë ligë është shumë i madh dhe kjo e bënë të pamundur aktualisht përfshirjen e Kosovës në këtë ligë cilësore të basketbollit.

Ekipet më të mira nga Bosnja, Kroacia, Mali i Zi, Sllovenia dhe Serbia kanë garuar në Ligën A në edicionin aktual. Në nivelin e dytë pos ekipeve nga këto vende ka garuar edhe MZT i Shkupit.

Kosova disa herë ka bërë përpjekje për t’u bërë pjesë e Ligës ABA, por as që i është afruar synimit. Ka pasur kohë pas kohe iniciativa të tilla, por që janë refuzuar që në nismë.

Një vit më parë presidenti i atëhershëm i Ligës ABA, Igor Dodik, kishe folur për refuzimin e Kosovës, përkatësisht klubit Prishtina.

“Ata dy vite më parë kanë bërë kërkesë dhe janë refuzuar. Kanë paralajmëruar sërish dhe në bazë të informatave nuk kam qenë i sigurt se do të kemi shumicën që kërkesa të refuzohet. Për këtë si menaxher gjeneral i Igokeas, kam paralajmëruar se do të largohemi nga liga nëse kjo do të shqyrtohet. Sipas rregullores, Serbia ka pesë pjesëmarrës dhe i gjashti nuk lejohet”, kishte thënë Dodik, duke lënë të kuptohet se Kosovën e llogarit pjesë të Serbisë.

Igokea është klub nga Republika Srpska e Bosnjë-Hercegovinës. Klubet serbe kanë ndikim të madh në basketbollin e regjionit dhe heqja dorë prej tyre nuk mendohet aktualisht për Ligën ABA.

Një ligë me shkëlqim dukshëm më të vogël ishte themeluar në vitin 2008. Ish-arbitri nga Izraeli, tani afaristi Shay Shtriks, themeloi Ligën Ballkanike, ku për herë të parë morën pjesë skuadra nga Maqedonia, Rumania, Bullgaria e Serbia.

Për dallim nga Liga ABA, Liga Ballkanike nuk ka ndonjë lidhje direkte me sistemin evropian të garimit. Pas shumë përpjekjeve, kjo ligë kishte hapur dyert për klubet kosovare në vitin 2013, kur u përfshinë Prishtina dhe Peja. Skuadrat nga Serbia u larguan pasi hynë ato nga Kosova, raporton Koha.net. Nuk bëhej fjalë për skuadra cilësore gjithsesi.

Prej atëherë Liga Ballkanike ka qenë e hapur për Kosovën, ndërsa në edicionet e fundit skuadrat kosovare ishin kryesoret. Këtë edicion Liga Ballkanike filloi vetëm me pesë skuadra, në mungesë të interesimit, ndërsa Rahoveci u tërhoq ndërkohë. Kështu mbetën vetëm Academic Bultex e Bullgarisë, Peja, Vllaznia e Shkodrës dhe Ibri i Rozhajës.

Ka mbetur që plejofi i Ligës Ballkanike të luhet në shtator në Pejë, ndërsa Shtriks ka zbuluar synimet për të vazhduar garën që tashmë nuk ka fare peshë.

Mes Shtriksit dhe drejtuesve të FBK-së ka pasur përplasje të kohëpaskohshme. Ka pasur vlerësime për qasje jo fer të tij ndaj Kosovës, sidomos kur Liga Ballkanike ishte dritarja e vetme. Shtriks ka pasur përplasje edhe me drejtues të klubeve kosovare, pa të cilat pritet të mbetet që prej edicionit të ardhshëm.

“Me formimin e ligës së përbashkët me Shqipërinë, klubet tona nuk pritet të marrin pjesë në Ligën Ballkanike”, ka thënë Elvira Dushku, sekretare e përgjithshme e FBK-së.

FBK-ja po punon së bashku me Federatën Shqiptare të Basketbollit për krijimin e një lige të përbashkët, që synohet të fillojë që në tetor të këtij viti. Do të ftohen edhe ekipet nga Maqedonia Veriore. Dhe kështu Liga Ballkanike pritet t’i takojë historisë dhe të hap rrugë për një ligë tjetër regjionale.

“Në mbledhjen e ardhshme të Bordit do të caktohen skuadrat kosovare. Liga mund të numërojë tetë, dhjetë apo 12 skuadra. Ndeshjet do të luhen në mesjavë, krahas kampionateve nacionale. Mendojmë se liga do të shërbejë për ngritjen e cilësisë së basketbollit. Nëse ekipet e Maqedonisë Veriore përfshihen, atëherë liga do të ketë 12 skuadra. Pa to, Liga do të jetë mbarëkombëtare dhe do të ketë tetë apo dhjetë skuadra”, ka shtuar Dushku.

Të premten kanë reaguar mediat beogradase për idenë e krijimit të ligës tjetër të përbashkët. Por pengimi i ligës është i pamundur, vlerësojnë në FBK.