Ndonëse me një lojtar më pak në fushë, Struga përmbysi rezultatin ndaj Makedonija GP dhe fitoi në udhëtim me shifrat 3:2. Ndeshja e së dielës ishte e vlefshme për javën e 29-të të Ligës së Parë të Maqedonisë në futboll. Për Strugën, kjo është fitore shumë e rëndësishme.
Skuadra shqiptare po synon daljen në gara evropiane. Aktualisht është e katërta me 47 pikë, tani vetëm një më pak se Makedonija GP që renditet e treta. Vendi i tretë është i fundit në kampionatin e Maqedonisë së Veriut, që dërgon në fazën e parë kualifikuese të Ligës së Konferencës.
Me një ecuri pozitive në katër xhirot e fundit, Struga shumë lehtë mund të bëhet skuadra e njëmbëdhjetë shqiptare që në edicionin 2021/2022 do të luajë në kupat evropiane.
Kupat evropiane kanë ndryshuar formë për edicionin e ardhshëm. Do të zhvillohen tri gara të ndryshme, për dallim prej dy sa janë momentalisht. Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Evropës u është shtuar “UEFA Europa Conference League”.
Njëmbëdhjetë skuadra shqiptare në Evropë, do të ishte rekord. Në edicionin aktual të drejtën e paraqitjes e kishin dhjetë skuadra. Drita e Gjilanit dhe Tirana startuan në kualifikimet e Championsit, për të vazhduar më pas edhe në Ligën e Evropës. Ndërkohë, Prishtina, Gjilani, Kukësi, Laçi, Teuta e Durrësit, Shkëndija e Tetovës, Shkupi dhe Renova e Tetovës ishin në kualifikimet e Ligës së Evropës. Prishtina, për shkak të telasheve me koronavirus, nuk e shfrytëzoi të drejtën e garimit në Ligën e Evropës, ndonëse kishte dy përpjekje.
Aktualisht, dhjetë skuadra shqiptare thuajse janë të konfirmuara për edicionin e ardhshëm. Struga mund të bëhet e njëmbëdhjeta.
Shqipëria i ka katër skuadra. Kampioni do të luajë në fazën e parë kualifikuese të Ligës së Kampionëve. Ndërkohë, i dyti dhe i treti në kampionat – e po ashtu fituesi i Kupës – kualifikohen në Ligën e Konferencës. Në finale të Kupës janë Vllaznia e Shkodrës dhe Skënderbeu i Korçës. Skënderbeu është i pezulluar nga garat evropiane, ndërsa Vllaznia po lufton për titull të kampionit. Aktualisht, Vllaznia udhëheq me 53 pikë, sa i ka edhe Partizani i vendit të dytë. Teuta është e treta, e Laçi i katërti. Me shumë gjasë, katër skuadrat e para në tabelë të Superligës së Shqipërisë do të luajnë në Evropë. Pra, kampioni në Champions e tri skuadrat e tjera në Ligën e Konferencës.
Kosova do t’i ketë tri skuadra në Evropë. Kampioni luan në parakualifikimet e Championsit, ndërsa nënkampioni dhe fituesi i Kupës në fazën e parë kualifikuese të Ligës së Konferencës. Në finale të Kupës janë Llapi e Dukagjini, ndërsa për titull luftojnë Drita, Ballkani e Prishtina. Pra, nuk do të ketë bartje të “biletës evropiane” nga gara për Kupë në kampionat.
Në listën e skuadrave shqiptare që garojnë në Evropë me shumë mundësi do të shtohet Deçiqi i Tuzit. Deçiqi po ka edicion të suksesshëm. Aktualisht është në gjysmëfinale të Kupës së Malit të Zi. Në ndeshjen e parë luajti pa gola në udhëtim me Iskran, ndërsa ndeshjen e kthimit e luan më 5 maj në Tuz. Nëse e fiton Kupën, Deçiqi vazhdon në Ligën e Konferencës. Por, rastin e ka edhe përmes kampionatit. Derisa Buduqnosti e ka siguruar titullin dhe do të luajë në kualifikimet e Championsit, nënkampioni dhe skuadra e vendit të tretë do të luajnë në Ligën e Konferencës. Aktualisht Deçiqi është i dyti me 49 pikë, një më shumë se Sutjeska dhe tri më shumë se Podgorica. Por, për pozitën e dytë dhe të tretë pritet garë e fortë deri në fund.
Deçiqi të dielën fitoi 3:1 ndaj Zetas, për t’u kthyer në rrugën e suksesshme.
Dhjetëshen thuajse të konfirmuar evropiane e plotësojnë dy skuadrat shqiptare nga Maqedonia e Veriut. Shkëndija e Tetovës të dielën siguroi titullin e kampionit dhe do të luajë në fazën e parë kualifikuese të Championsit. Shkupi është i dyti dhe pritet të përfundojë në këtë pozitë. Mision pak më i vështirë i mbetet Strugës për ta zënë vendin e tretë që tashmë e mban Makedonija GP.
“Ekipi i Struga Trim Lum fiton ndeshjen me përmbysje, edhe pse që nga minuta e 70-të ishim me një lojtar më pak në fushë dhe me disavantazh 1:0. Kjo fitore na afron në një pikë nga vendi i tretë, me katër ndeshje të mbetura”, ka njoftuar klubi nga Struga.
Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, njëjtë si shumica e vendeve evropiane, nuk do të kenë skuadra në nismë të Ligës Evropiane (niveli i dytë), përkatësisht në raundin e tretë kualifikues. Në Ligën Evropiane numri i skuadrave të kualifikuara në fazën grupore është reduktuar nga 48 në 32. Edhe në raundet kualifikuese numri i skuadrave është reduktuar ndjeshëm. Skuadrat shqiptare në Ligën e Evropës mund të kalojnë vetëm pas eliminimit nga Championsi. Pra, në Ligën e Evropës mund të luajnë vetëm Shkëndija e Tetovës dhe kampionët e Kosovës e Shqipërisë. Dhe atë vetëm nëse arrijnë në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve.