Në ndeshjen e fundit i realizoi 37 pikë dhe ishte më i miri te Golden Eagle Ylli, që e eliminoi skuadrën e Vëllaznimit në çerekfinale të plejofit në Superligën e Kosovës në basketboll. Paraqitje të tilla basketbollisti Bashir Ahmed ka premtuar edhe në fazën më të rëndësishme të këtij edicioni, për ta ndihmuar Yllin ta mbrojë titullin e kampionit të Kosovës.
Amerikani Bashir Ahmed e ka një titull të fituar në elitën e basketbollit kosovar dhe tani po synon edhe një tjetër. Para katër vjetësh Ahmed ishte pjesë e Sigal Prishtinës, me të cilën fitoi të gjithë trofetë e basketbollit kosovar. Pos titullit të kampionit ai i fitoi edhe Kupën dhe Superkupën e Kosovës.
Bashir Ahmed insiston se është kthyer në Kosovë për ta fituar një titull tjetër dhe atë me fanellën e Yllit. Ai thotë se Ylli ka ekip dhe cilësi për ta shkruar historinë, duke e fituar tri herë rresht titullin e kampionit. Pjesë e kësaj historie të ekipit nga Suhareka dëshiron të jetë edhe 29-vjeçari.
“Po, unë besoj se gjithçka është e mundur me ndihmën e Zotit. Por, gjithashtu ky sukses varet edhe prej dëshirës sonë të madhe për ta fituar titullin. Nuk ka arsyetime pasi mendoj se kemi gjasa shumë të mira ta fitojmë titullin. Për ta bërë këtë të gjithë lojtarët duhet të jemi të bashkuar, të motivuar dhe të japim gjithçka nga vetja deri në fund”, është shprehur basketbollisti i gjatë 201 centimetra.
“Para katër vjetësh e kam fituar titullin me Prishtinën dhe ishte një ndjenjë e jashtëzakonshme. Përfundimisht më mungon ajo ndjenjë dhe për këtë arsye po shikoj përpara ta fitoj edhe një titull tjetër. Këtë herë e synoj me Yllin, në mënyrë që ta përjetoj sërish atë ndjenjën e gëzimit që e ke kur e fiton titullin e kampionit”.
Pjesën e rregullt të edicionit Ylli e ka përfunduar në pozitën e tretë. Kështu në plejof startoi prej çerekfinales, ndërsa e kaloi lehtë Vëllaznimin me dy fitore bindëse. Në serinë gjysmëfinale ekipin suharekas e pret punë më e vështirë. Do të përballet me Pejën, që ishte e dyta në pjesën së rregullt, ndërsa në finale avancon ekipi që shënon tri fitore.
Peja ka përparësinë e terrenit në ndeshjen e pestë eventuale, derisa dueli i parë do të luhet të mërkurën mbrëma në palestrën “Karagaçi”.
Ahmed e ka parasysh se Peja është kundërshtare dukshëm më e fortë se Vëllaznimi, por shton se do të jenë gati për përballje interesante.
“Mendoj se Peja është një ekip shumë i mirë dhe me një trajner të mirë. Tani ka ekip më të mirë me lojtarët që i ka shtuar, në krahasim me pjesën e parë të kampionatit. Na pret një punë e vështirë dhe ndeshje të forta, por ne jemi gati të dëshmojmë forcën tonë prej kampioni”, është shprehur Ahmed.
Pas largimit nga Prishtina, Bashir Ahmed e vazhdoi karrierën në Kroaci, Bosnjë-Hercegovinë, Hungari e Rumani. Vendosi të rikthehet tek Ylli para fillimit të këtij edicioni për shkak të pjesëmarrjes në garat evropiane.
Ai është i lumtur që sërish është pjesë e basketbollit të Kosovës dhe insiston se cilësia e ligës këtë edicion është rritur dukshëm në krahasim me edicionin 2018/19 kur ishte pjesë e Prishtinës, ekip me të cilin gjithashtu luajti në Ligën e Kampionëve dhe në FIBA Europe Cup. Në këto dy gara, Ahmed u paraqit edhe me Yllin, që u eliminua në raundin e parë kualifikues të Championsit përpara se të eliminohet edhe në fazën e grupeve të FIBA Europe Cup.
Në Superligën e Kosovës ai po luan me mesatare prej 14.2 pikëve, 5.1 kërcimeve dhe 2 asistimeve për ndeshje.
“Kur më prezantuan mundësinë për t’u kthyer në Kosovë dhe për të luajtur për Yllin, isha shumë i emocionuar dhe falënderues për të qenë pjesë e këtij ekipi. Ndërsa pjesëmarrja në garat e FIBA-s ishte qershia mbi tortë. Përfundimisht jam i lumtur dhe i nderuar që jam sërish në Kosovë”, u shpreh Ahmed. “Po ashtu, mendoj se këtë edicion liga është dukshëm më e fortë sesa kur isha herën e parë, për shkak se më shumë ekipe po luajnë nëpër gara të ndryshme evropiane, si dhe në radhët e veta kanë lojtarë dukshëm më të mirë dhe më cilësor”.
Në gjysmëfinalen tjetër të plejofit takohen Sigal Prishtina dhe Trepça.