Sport

Peja shkon për fitore në Suharekë

Pejën e motivon fakti se i duhet vetëm edhe një fitore për kalim në finale të plejofit në Superligën e Kosovës në basketboll. Andaj pejanët drejt Suharekës do të udhëtojnë me synimin e vetëm që ta mposhtin Golden Eagle Yllin në ndeshjen e katërt të serisë gjysmëfinale.

Pas tri ndeshjeve të luajtura deri më tani, Peja është në epërsi 2:1 dhe ndeshja e radhës zhvillohet në palestrën “13 Qershori” të shtunën prej orës 20:30.

Peja e shpërdoroi mundësinë që e pati të mërkurën mbrëma në shtëpi, pasi u mposht nga kampioni në fuqi, Ylli. Tani atë disfatë po synon ta kompensojnë në shtëpinë e kampionit. Në finale kalon skuadra që shënon tri fitore. Ndeshja e pestë eventuale do të luhet mesjavën e ardhshme në Pejë.

“Është momenti i duhur që të kalojmë në finale, andaj do të japim gjithçka nga vetja për ta fituar ndeshjen e katërt dhe t’i japim fund kësaj serie. Jemi maksimalisht të motivuar dhe besoj se në Suharekë merr fund kjo çështje. Nuk kemi çfarë të humbim më shumë dhe prej fillimit do ta kërkojmë fitoren për të reflektuar pas humbjes së papritur që e patëm në Pejë. Ylli ka ekip të mirë dhe këtë e dëshmoi në ndeshjen e tretë, ndonëse e fitoi falë saktësisë që e pati për tri pikë. Jemi përgatitur dhe besoj se nuk do t’i përsëritim gabimet që i patëm në Pejë. Po ashtu do të jemi shumë më të përkushtuar dhe më të angazhuar për ta arritur synimin që e kemi”, është shprehur Alban Veseli, basketbollist i Pejës.

Optimizmi është i madh edhe te Ylli, i cili pret ta barazojë serinë kundër Pejës duke pasur parasysh se luan në shtëpi dhe do ta ketë përkrahjen e madhe të tifozëve. Ekipi suharekas do të jetë i kompletuar pasi krahas Henrik Shirkos i gatshëm për lojë do të jetë edhe qendra Chris Harris që mungoi në ndeshjen e fundit.

Peja kishte fituar dy ndeshjet e para, ndërsa në të tretën Ylli u kthye. Në aspektin psikologjik, përparësia vlerësohet të jetë tek Ylli.

“Fitorja e fundit na ka motivuar dhe na ka bërë të besojmë se mund t’ia dalim në këto ndeshje gjysmëfinale. Luajmë në shtëpi dhe duam të fitojmë për tifozët tanë për të barazuar gjithçka dhe për të kërkuar kalimin në finale në ndeshjen e pestë që do ta luajmë jashtë shtëpisë. Jam i bindur se përkrahja e madhe nuk do të na mungojë, e cila do të na shtyjë edhe më shumë të japim gjithçka nga vetja për fitore”, ka theksuar basketbollisti i Yllit, Ahmed Bashir.

Edhe në çiftin tjetër gjysmëfinal, ndërmjet Sigal Prishtinës dhe Trepçës, rezultati është 2:1 në favor të ekipit prishtinas. Ndeshja e katërt do të luhet në palestrën “Minatori” në Mitrovicë të dielën prej orës 17:15.

Gjysmëfinalet e plejofit

E shtunë (20:30)

G.E. Ylli – Peja (1:2)

E diel (17:15)

Trepça – S. Prishtina (1:2)