Sport

Përfaqësuesja grumbullohet të enjten, ende asnjë shpjegim për mungesat

Përzgjedhësi i Kosovës në futboll, Alain Giresse, të hënën ka shpallur listën për ndeshjet me Rumaninë dhe Bjellorusinë. Por me grupin e lojtarëve që ka përzgjedhur, tekniku francez do të nisë punën të enjten.

Derisa shumë përfaqësuese, duke përfshirë atë të Shqipërisë, janë grumbulluar të hënën, Kosova grumbullimin e fillon të enjten. Stërvitja e parë do të mbahet prej orës 17:00 në Hajvali. Të premten janë planifikuar dy stërvitje, prej orës 10:30 dhe prej orës 17:00, sërish në Hajvali. Të premten mund të mbahet edhe një konferencë e selektorit Giresse.

Deklarimi i selektorit Giresse po pritet me shumë interesim. Përgjegjësit e përfaqësueses të hënën e të martën nuk kanë dhënë asnjë shpjegim për zgjedhjet e bëra nga Giresse e po ashtu për mungesat. Disa kanë refuzuar të flasin e disa nuk e kanë hapur fare telefonin.

Ka pasur shumë komente, një pjesë e konsiderueshme negative, lidhur me listën e Kosovës për ndeshjet me Rumaninë dhe Bjellorusinë. Më 16 qershor, Kosova e pret Rumaninë në “Fadil Vokrri”. Më 19 qershor është ndeshja Bjellorusi – Kosovë, që luhet në Budapest. Të dy ndeshjet u takojnë kualifikimeve për “Euro 2024”.

Lojtarë të rëndësishëm të Kosovës, si Florent Hadërgjonaj, Arbër Zeneli, Valon Berisha, Zymer Bytyqi, nuk janë në listë për ndeshjet e këtij muaji. Ka pasur pyetje edhe për mungesën e Arbnor Mujës, që fitoi dy trofetë në Belgjikë, Albion Rrahmanit, Mirlind Dakut e ndonjë tjetri.

Ndërkohë në përfaqësuese janë përfshirë lojtarë si Amar Gërxhaliu, Betim Fazliji, Mirlind Kryeziu, Bersant Celina, Florian Loshaj, Samir Ujkani, që kanë luajtur pak apo nuk kanë luajtur fare te skuadrat e tyre për kohë të gjatë.

Kosova ka nisur zbehtë kualifikimet për “Euro 2024”. Mori barazim premtues ndaj Izraelit në Tel-Aviv më 25 mars, ndërsa më 28 mars dëshpëroi duke luajtur 1:1 me Andorrën në Prishtinë. Shpresohet në reagim në dy ndeshjet e qershorit.