I mjaftuan pak ditë tek ekipi Priping nga Prishtina për ta fituar trofeun e parë në pingpongun e Kosovës.
Menjëherë pasi iu bashkua ekipit nga Anglia, Nahom Asgedom u shpall fitues i turneut “Dita e Pavarësisë”, të mbajtur para një jave në Junik. Asgedom këtë sukses e arriti duke realizuar nëntë fitore në po aq duele, ndërsa në gjysmëfinale dhe finale mposhti lojtarët më të mirë të Kosovës. Në gjysmëfinale Asgedom ishte më i mirë se Fatih Karabaxhaku, ndërsa në finale triumfoi ndaj Kreshnik Mahmutit.
19-vjeçari thotë se nuk do të jetë trofeu i fundit. Asgedom synon ta ndihmojë Pripingun ta fitojë titullin e kampionit në Kosovë. Ai te skuadra prishtinase erdhi si përforcim, kurse për herë të parë po luan jashtë Anglisë.
Asgedom beson se mund ta udhëheqë Pripingun drejt sukseseve, ndonëse pranon se nuk do të jetë mision i lehtë.
“Është hera e parë që jam në Kosovë dhe që jam larguar nga Anglia për të luajtur për një ekip të një vendi tjetër. Më kanë pritur shumë mirë të gjithë në klub, përfshirë edhe kryetarin dhe po ndihem rehat këtu. Turneu ku debutova ishte shumë i fortë dhe më herët nuk kam përjetuar një konkurrencë të tillë, por jam i lumtur që fitova. Ky sukses erdhi vetëm pak ditë pasi iu bashkova ekipit”, ka thënë Asgedom.
Priping është themeluar para tre vjetësh, ndërsa vazhdon që në radhët e veta të ketë lojtarë të huaj. Para Asgedomit, pjesë e Pripingut ishte anglez Chris Doran.
Asgedom thotë se ka pasur njohuri për ekipin nga Prishtina dhe për këtë arsye nuk ka hezituar ta pranojë ofertën.
“E kam parë këtë ekip më herët pasi ka qenë në Londër dhe nëpërmjet një kontakti tim biseduam dhe u pajtova të vija në Kosovë për të luajtur. Sigurisht që kam ardhur këtu për ta ndihmuar ekipin ta fitonte titullin dhe ta mbronte kupën. Shpresoj t’ia dalë mbanë”, ka insistuar Asgedom.
Ai është nga Eritreja, por si foshnjë është vendosur në Angli bashkë me familjen. Ai thotë se me pingpong merret tashmë shtatë vjet dhe synimet i ka të mëdha në të ardhmen. Në Angli, Asgedom është pjesë e ekipit Green House. Ai fillimisht ishte marrë me futboll, përpara se ta zbulonte pingpongun në shkollë.
“Po, kam luajtur futboll fillimisht, sport të cilin ende e luaj nganjëherë. Me sportin e pingpongut kam filluar prej moshës 12-vjeçare në shkollë. Më ka pëlqyer shumë dhe tani është pjesë e pandashme e imja. Jam nga Eritreja, ku edhe jam i lindur, por me familjen jemi zhvendosur në Angli dhe synimet si lojtar pingpongu i kam të mëdha”, ka treguar Asgedom.
Te Pripingu kanë thënë se edhe këtë vit e kanë vazhduar traditën e transferimit të lojtarëve të huaj. Krahas sukseseve, në klub duan që ta ngrenë nivelin e anëtarëve. Asgedom është njëri prej disa lojtarëve të huaj te Pripingu, ekip që ka shfrytëzuar si është më së miri afatin kalimtar të janarit. Kryetari i klubit, Kastriot Orana thotë se këto lëvizje do ta ndihmojnë Pripingun për ta mbyllur sezonin me suksese të mëdha. Ai thotë se nuk e ka të vështirë të gjejë lojtarë të huaj, të cilët i siguron nëpërmjet një platforme të themeluar nga disa ish-pingpongistë.
“Këtë vit i kemi të regjistruar disa lojtarë të huaj pasi ndryshon kalendari i federatës dhe duam të kemi lojtarë të qasshëm për të luajtur për klubin pasi vetëm një i huaj mund të paraqitet. Ardhja e lojtarëve të huaj është edhe avancim i lojtarëve tonë pasi duke stërvitur me ta e ngrenë nivelin. Nuk është vështirë t’i gjejmë, është një platformë e krijuar nga disa ish-pingpongistë, ku vendos kërkesat dhe kushtet, pastaj paraqiten lojtarë të ndryshëm. Ne janar kishim 10 kërkesa për të qenë lojtarë të ekipit tonë, madje edhe prej shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën”, është shprehur Orana.