Pepe Reina ka përfaqësuar disa nga klubet më ikonike të Evropës gjatë dy dekadave të fundit. Por gjithmonë ishte një ekip në të cilin ish-portieri spanjoll dëshironte të kthehej një ditë.
Aventura e dytë e Reinas në Villarreal filloi 20 vjet pasi ai për herë të parë i vuri dorëzat për “El Submarino Amarillo” - nëndetësen e verdhë. Derisa 40-vjeçari bën shaka se flokët e tij mund të kenë ndryshuar pak që atëherë, pasioni i tij nuk ka ndryshuar.
“Është si një ëndërr e realizuar, sepse që kur jam larguar kam menduar për këtë shumë herë çdo vit”, thotë Reina. Ai u kthye në verë me synimin për t'u pensionuar në klub, por është bërë zgjedhja e parë qëkur Geronimo Rulli u transferuar tek Ajaxi në janar.
“Ajo që po bëj është të rikuperoj ndjenjat që nuk i kam pasur nga perspektiva personale vitet e fundit dhe kjo është shumë e rëndësishme. Është me rëndësi të jem absolutisht i lumtur me atë ndjenjën e përkatësisë në ekip”.
Reina ishte transferuar nga Barcelona në vitin 2002 dhe ndihmoi Villarrealin të kualifikohej në Ligën e Kampionëve për herë të parë në vitin 2005, para se të largohej për në Liverpool, ku qëndroi deri në vitin 2014. Ai fitoi trofe me Liverpoolin si dhe me Napolin e Bayern Munichun dhe ishte gjithashtu pjesë e ekipeve fituese të Kupës së Botës dhe Kampionatit Evropian të Spanjës, përpara se të përfaqësonte Milanin, Aston Villan dhe Lazion. Shumë gjëra kanë ndryshuar edhe për Villarrealin që nga ajo kohë.
Klubi arriti në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve pasi Reina u largua nga një skuadër që mburrej me Marcos Sennan, Juan Roman Riquelmen, Diego Forlanin dhe Juan Pablo Sorinin, që u rikthye nga rënia në vitin 2012 dhe mundi Manchester United për të fituar Ligën e Evropës në vitin 2021.
“Ishte një klub i vogël në ato ditë dhe unë kisha, le të themi, synime më ambicioze dhe garuese në mendje”, thotë Reina. "Por me kalimin e viteve ne të dy jemi rritur”.
Kthimi i Reinas përkon me sezonin jubilar të klubit dhe të shtunën Villarreali do të festojë 100-vjetorin e tij, përpara se të përballet me Real Betisin një ditë më vonë në kuadër të La Ligas.
75 vitet e para të Villarrealit u kaluan larg ligës më të mirë. Megjithatë vetëm një herë klubi ka përfunduar jashtë shtatëshes së parë që kur u kthye në La Liga në edicionin 2012/13. Skuadra po i afrohet 200 ndeshjeve në garat evropiane. Ka pasur gjithashtu shumë përmirësime jashtë fushës, duke përfshirë rinovimin e stadiumit “El Madrigal”, i cili është riemërtuar “Estadio de la Ceramica”.
“Është një klub që nuk ka të njëjtin buxhet si Real Madridi, Barcelona apo Atletico Madridi, për shembull”, thotë Reina. “Por është një klub ku ndjenja e përkatësisë së lojtarëve është shumë e rëndësishme, ku puna që kemi bërë me akademinë për shumë vjet ka gjeneruar shumë asete dhe është një klub që ende po rritet dhe po rritet shumë shpejt”.
Reina dëshiron të qëndrojë në Villarreal përtej pensionimit, pasi ka ambicie për t'u bërë trajner.
“Ky është opsioni për të cilin kam ëndërruar”, shpjegon ai. “Ky ishte qëllimi im përfundimtar, diçka për të cilën kam menduar për shumë vjet dhe shpresoj se do të jem në gjendje ta ndihmoj klubin të vazhdojë të rritet”.