Pamundësia e shfrytëzimit të palestrës “Sezai Surroi” në Prizren po i penalizon skuadrat e këtij qyteti, të cilat janë të detyruara që të gjejnë “shtëpi” në ndonjë qytet tjetër, si për stërvitje ashtu edhe ndeshjet si vendas.
Punimet për rinovimin e palestrës në Prizren kanë filluar më 16 dhjetor, ndërsa ende nuk ka një datë të saktë se kur do të jetë gjithçka gati në mënyrë që klubet të kthehen. Dhe kjo po godet jo pak klubet, sidomos ato të basketbollit.
Në xhiron e 21-të të Superligës së Kosovës në basketboll, Ponte Prizreni është i detyruar që të luaj në Mitrovicë si vendas. Kjo, për shkak se palestra e Suharekës është e ngarkuar të shtunën. Ponte Prizreni ka shfrytëzuar raportet e mira që ka me Trepçën, dhe ndeshjen ndaj kësaj skuadre do ta luajë në shtëpinë e ekipit mitrovicas.
“Pa dyshim se ecurisë negative të skuadrës i ndikoi edhe rinovimi i palestrës ‘Sezai Surroi’ ku të gjitha ndeshjet po i zhvillojmë si mysafir, e po ashtu edhe stërvitjet nga 16 dhjetori jemi duke i kryer në Suharekë. Duke pasur parasysh temperaturat e ulëta dhe palestrën e ngarkuar me aktivitete në Suharekë të shtunën, menaxhmenti i klubit ka vendosur që ndeshjet t’i zhvillojë në Mitrovicë si vendas”, thuhej në njoftimin e Ponte Prizrenit, të lëshuar të martën.
Te Ponte Prizreni nuk e kanë përjashtuar mundësinë që edhe ndeshjet tjera si vendas t’i zhvillojnë në Mitrovicë, duke shtuar se gjithçka varet nga temperaturat dhe ritmi i punëve që po kryhen në palestrën “Sezai Surroi”.
“Do të shohim, ka gjasa që edhe ndeshjet e tjera si vendas t’i luajmë në Mitrovicë. Ndërsa me stërvitje do të vazhdojmë në Suharekë. Kemi vendosur në Mitrovicë edhe për shkak të kushteve më të mira. Po shpresojmë që sa më shpejt të kryhen punët në palestrën tonë dhe të rikthehemi”, është shprehur drejtori i Ponte Prizrenit, Arbnor Rifati.
“Prej se kanë filluar punimet kemi stërvitur në Suharekë. Punimet po shkojnë ngadalë dhe nuk ka ndonjë datë konkrete edhe pse po shtyhet nga java në javë”.
Krahas Ponte Prizrenit në palestrën e qytetit ndeshjet si vendas dhe stërvitjet i zhvillojnë edhe Bashkimi në të dyja konkurrencat, pastaj klubi i hendbollit Prizreni dhe disa skuadra tjera.
Edhe KB Bashkimi e KBF Bashkimi gjatë kësaj periudhe kanë qenë të detyruar që si vendas të zhvendosen në Suharekë, ndonëse ekipi i meshkujve një ndeshje e ka zhvilluar edhe në Rahovec. Kjo ndodhi pasi palestra në Suharekë nuk kishte temperaturën e kërkuar për ta zhvilluar ndeshjen dhe Peja vendosi të mos dalë në parket.
Përderisa basketbollistet e Bashkimit stërvitjet i zhvillojnë nëpër salla të shkollave, ekipi i basketbollistëve kryesisht ushtron në Suharekë. Por disa ditë, për stërvitjet e paradites, e ka shfrytëzuar edhe palestrën “Sezai Surroi”, ndonëse ajo është kantier ndërtimi.
Menaxhmenti i palestrës bën të ditur se brenda një muaji pritet që gjithçka të jetë gati si për zhvillimin e ndeshjeve, ashtu edhe të stërvitjeve. Këtë e ka paralajmëruar menaxheri Edon Godeni. Ai ka thënë se klubet duhet ta mirëkuptojnë këtë situatë, pasi po bëhen investime në rinovimin e palestrës e cila do të jetë model për të gjithë. Sipas Godenit, punët e vrazhda tashmë janë kryer dhe kanë mbetur detajet e fundit, siç është ndriçimi.
“Punët po ecin sipas ritmit të parashikuar dhe nëse vazhdohet kështu atëherë brenda një muaji palestra do të jetë gati për t’u shfrytëzuar. Ka raste që disa ekipe e shfrytëzojnë para dite nëse munden, por kryesisht të gjitha janë të detyruara që të stërvitin dhe të luajnë diku tjetër”, është shprehur Godeni. “Kanë mbetur detajet e fundit, përpara se palestra të lëshohet në shfrytëzim. Janë duke punuar në instalimin e ndriçimit dhe besoj se prej muajit të ardhshëm palestra do të jetë e gatshme, pasi është bërë një punë shumë e mirë”, është shprehur Godeni.
Në fakt, skuadrat e Prizrenit edhe sezonin e shkuar nuk ishin në gjendje ta shfrytëzonin palestrën “Sezai Surroi” gjatë pjesës vjeshtore, për shkak se ishte shndërruar në qendër vaksinimi.
“Edhe sezonin e kaluar kemi luajtur e stërvitur në Suharekë për shkak të vaksinimit gjatë pjesës vjeshtore. Nuk kishim zgjidhje tjetër. Ndërsa, edhe tani këtë po e bëjmë. Por, me rëndësi është se palestra po bëhet e mirë dhe më nuk do të kemi telashe siç kemi pasur deri më tani”, është shprehur Arbnor Rifati.