Sport

Real Madridi vlerëson të ardhmen pas “edicionit të mirë”

Real Madridi nuk është mësuar me humbje të mëdha në Ligën e Kampionëve.

“Mbretërit e Evropës” janë zakonisht ata që kalojnë kundërshtarët dhe ngrenë trofeun në fund. Klubi më i suksesshëm me 14 trofe të Kupës Evropiane, Real Madridi kishte arritur në pesë nga nëntë finalet e fundit të Championsit, duke i fituar të gjitha. Këtë herë, megjithatë, Reali nuk pati kurrë një shans në humbjen 4:0 ndaj Manchester Cityt në ndeshjen e dytë gjysmëfinale të së mërkurës, duke u eliminuar 5:1 në total ndaj një skuadre që ishte superiore që në fillim. E vetmja gjë që i mbetej Realit, përveç lavdërimit të rivalit të tij, ishte të fillonte të vlerësonte atë që shkoi keq dhe të planifikonte atë që do të vijë pas këtij edicioni.

“Ishte një natë e vështirë për ne”, pranoi sulmuesi Vinicius Junior, i cili shënoi golin e fitores për Realin kundër Liverpoolit në finalen e Ligës së Kampionëve të vitit të kaluar. “Duhet të mësojmë nga ajo që ndodhi në këtë ndeshje, në mënyrë që të mos ndodhë edicionin e ardhshëm. Për të arritur në një gjysmëfinale është shumë e vështirë dhe ne gjithmonë ia dalim, kjo nuk është e lehtë për ekipet e tjera”.

Me sukseset e tij të fundit ende të freskëta, nuk kishte ende thirrje për një ndryshim të plotë, edhe pse Real Madridi u mposht thellë nga City i Pep Guardiolës në ndeshjen e dytë në Manchester.

“Kjo skuadër bëri shumë mirë vitin e kaluar dhe këtë vit, ne mundëm Cityn në gjysmëfinale dhe fituam titullin, por këtë herë nuk e patëm atë motivin për të luajtur në një tjetër finale”, tha trajneri i Realit, Carlo Ancelotti. “Jam i bindur se kjo skuadër do të bëjë më mirë edicionin ardhshëm dhe ne tashmë jemi të fokusuar në Championsin e vitit tjetër, kur duam të jemi sërish ndër pretendentët kryesorë”.

Megjithatë, kishte pyetje për të ardhmen e Real Madridit, pasi as qëndrueshmëria e Ancelottit nuk është e sigurt për edicionin tjetër. Kontrata e tij skadon në qershor të vitit të ardhshëm, por Përfaqësuesja e Brazilit po insiston ta angazhojë trajnerin italian dhe thuhet se Federata braziliane po pret fundin e edicionit për të bërë shtytjen e saj. Presidenti i Realit, Florentino Perez, ka thënë se dëshiron të mbajë trajnerin e tij, dhe Ancelotti ka thënë publikisht se është i lumtur aty ku është.

“Presidenti i klubit ishte mjaft i qartë 15 ditë më parë”, tha Ancelotti pas humbjes nga City. “Pra, askush nuk ka asnjë dyshim. Atë që presidenti më thotë privatisht, nuk do ta them këtu”.

Ancelotti të mërkurën kaloi Alex Fergusonin për më së shumti ndeshje si trajner në Champions, me 191 sosh. Ai gjithashtu ka një rekord prej 107 fitoresh që nga rinovimi i turneut në edicionin 1992/93, dhe ka fituar më së shumti tituj të Kupës Evropiane - dy me Realin dhe dy me Milanin.

“Nuk ka dyshim se Ancelotti duhet të qëndrojë. Ai e meriton atë për gjithçka që ka bërë dhe për gjithçka që ai ende bën për këtë klub”, tha Luka Modriq.

Por ka dyshime edhe për të ardhmen e Modriqit dhe lojtarëve të tjerë kyç, të cilëve u përfundon kontrata në fund të sezonit, si Karim Benzema dhe Toni Kroos. Të tjerë pa kontratë në qershor do të jenë Marco Asensio, Nacho Fernandez, Dani Ceballos dhe Mariano Doaz.

“Ne kemi ende shumë lojtarë që janë të motivuar për të fituar shumë gjëra”, tha mbrojtësi Dani Carvajal. “Duhet të vazhdojmë të punojmë shumë për t’u rikthyer më të fortë edhe për një tjetër finale”.

Humbja ndaj Cityt praktikisht përfundoi edicionin e Realit, sepse skuadra tashmë është jashtë garës për titull në La Liga, kur kanë mbetur edhe katër ndeshje deri në fund të edicionit. Reali është ende në një betejë për vendin e dytë me Atletico Madridin, pasi Barcelona fitoi titullin. Reali e mbylli edicionin me tre trofe - Superkupën e UEFA-s, Kupën e Botës për Klube dhe Kupën e Spanjës.

“Ishte një sezon i mirë”, tha Ancelotti. “Kanë mbetur edhe katër ndeshje dhe ne duhet të japim maksimumin. Shpresojmë të përfundojmë mirë. Arritja në një gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve është një sukses, sepse vetëm katër skuadra mund ta arrijnë atë”.