Sport

Rekordi i veçantë nuk i ka ndihmuar futbollistit kosovar që të konsiderohet nga përfaqësuesja

Njëri prej lojtarëve më kreativë në kampionatin e Norvegjisë, është ky një prej vlerësimeve të fundit që i janë bërë Liridon Kalludrës. 29-vjeçari luan në mesfushë, ndërsa shquhet për pasimin e mirë, pamjen që ka për lojën dhe organizimin e skuadrës. Ai luan për Kristiansundin në kampionatin e Norvegjisë. Dy lojtarë të Kosovës aktualisht bëjnë karrierë në kampionatin e Norvegjisë. Të tjerë lojtarë të kampionatit norvegjez në të kaluarën ishin te Kosova. Por jo edhe Kalludra, ndonëse luan në nivel të lartë për këtë ligë dhe shquhet me konsistencë. Ai nuk është kontaktuar ndonjëherë nga zyrtarë të Kosovës. Është i befasuar për këtë. Vlerëson se e ka merituar të paktën t’i ofrohet një rast për të shfaqur cilësitë që ka.

Kalludra është nga Mitrovica, i rritur në Suedi dhe ka një dekadë që luan në Norvegji. Në vitin 2010 i ishte bashkuar skuadrës Kristiansund. Në vitin 2015 kaloi gjashtë muaj te Sarpsborgu, për t’u kthyer sërish te Kristiansundi. Vazhdon të luajë për këtë skuadër, ndërsa në verë firmosi kontratën e re të vlefshme deri në 2023.

“Jemi shumë të lumtur që kemi firmosur me Liridonin. Ai është shumë i rëndësishëm për ne dhe njëri prej lojtarëve më kreativë në elitë. Ai ka rol të rëndësishëm në stilin tonë të lojës dhe është kryesori kur skuadra e ka topin në posedim. Shumë prej sulmeve të mira mundësohen nga Liridoni. Kjo ka ndodhur prejse kemi kaluar në Eliteserien”, ka theksuar Kenneth Leren, drejtor sportiv te Kristiansundi.

“Liridoni është DNA-ja e Kristiansundit. Erdhi në klub në vitin 2010 dhe deri më tani ka luajtur 263 ndeshje. Është në krye të listës për më së shumti ndeshje për skuadrën”, ka theksuar Kjetil Thorsen, menaxher i përgjithshëm i klubit. Në edicionin e ri, Kalludra i ka luajtur edhe 22 ndeshje. Pra shifra e tij e ndeshjeve është 285, sipas klubit.

“Kam më tepër ndeshje në fakt. Por është mirë kur klubi të vlerëson dhe kur ke më së shumti paraqitje. Do të thotë se je i rëndësishëm për atë klub. Unë vazhdimisht e ndiej respektin që klubi ka për mua”, ka thënë Kalludra të hënën për KOHËN.

Ai ka luajtur fillimisht në Suedi për skuadra si Uddevalla e Ljungskile. Më pas te Kristiansundi luajti në kategoritë më të ulëta të Norvegjisë. Prej vitit 2017 është në elitë. Këtë vit i ka katër gola e nëntë asistime në 22 paraqitje. Të dielën dha një pasim mjeshtëror në barazimin 2:2 me Molden. Kristiansundi është i gjashti në kampionatin norvegjez.

“Po shpresojmë të dalim në Evropë. Ekipin e kemi të mirë, por kemi lëshuar pikë të rëndësishme. Mua më ka ecur mirë deri më tani. Shpresoj për paraqitje Të tjera të mira”, ka thënë Kalludra. Ai thotë se për Norvegji klubi i tij është Kristiansundi. Por pranon se ka pretendime të luajë në ndonjë ligë më të fortë. Në Norvegji luhet futboll më agresiv, që nuk u përshtatet shumë futbollistëve si Kalludra. Por ai megjithatë ka gjetur veten në Norvegji.

“Kam luajtur mirë ndër vite, por kurrë askush nuk ka pyetur për mua nga Kosova. Nuk më ka kontaktuar askush. Jam çuditur për këtë të them të drejtën. Po çuditen edhe në klub. Më kanë thënë se pse nuk më fton Kosova. Nuk kam ditur se çka t’iu them. E di që ka lojtarë te Kosova që bëjnë karrierë në Norvegji. Janë lojtarë të mirë, por edhe unë mendoj se e kam merituar një rast. Sa për të parë se sa vlej si lojtar”, thotë Liridon Kalludra. Ai nuk ka hequr dorë nga ëndrra që të luajë për Kosovën dhe në ndonjë ligë tjetër evropiane. Por derisa të bjerë në sy të drejtuesve të FFK-së, nëse bie ndonjëherë, do të vazhdojë të luajë për Kristiansundin dhe të udhëheqë skuadrën norvegjeze në fushën e lojës. Te skuadra me 17 vjet jetë mban një rekord të rëndësishëm. Ka mbajtur më së shumti fanellën e tij.