Sport

Sava Thaka vë në shërbim të Skenderajt përvojën e fituar në liga të forta

Bie në sy në secilën fotografi. Dallohet edhe në lojë e po ashtu në secilin vend ku paraqitet. Shtati prej 197 centimetrash e bën Sava Thakën të veçantë në sportin ku gjatësia ka shumë rëndësi.

Korçarja Sava Thaka tani është pjesë e volejbollit kosovar. Është pjesë e skuadrës së Skenderajt. Te Skenderaj, pos shtatlartësisë, ka sjellë edhe cilësinë që ka, e që vlerësohet lart, si dhe përvojën e fituar në liga të forta nëpër botë.

Më 15 tetor, KV Skenderaj dha njoftimin e papritur që njëra prej lojtareve kryesore të Kombëtares së Shqipërisë do të luajë për këtë skuadër në edicionin 2020/2021. Në verë ishte dhënë lajmi se Sava ka vazhduar kontratën me skuadrën nga Izraeli, Ashdod. Por, situata me koronavirus vazhdon të ketë ndikim të madh në sport dhe Skenderaj ka shfrytëzuar rastin duke arritur marrëveshje me 28-vjeçaren.

“Sava zgjodhi t’i bashkohet Skenderajt përkundër shumë ofertave nga e gjithë Evropa, duke ardhur me qëllimin për ta ndihmuar klubin tonë në arritjen e synimeve. Mirë se vjen Sava dhe faleminderit që zgjodhe KV Skenderajn”, thuhet në njoftimin e klubit drenicas.

Pas përvojës në Shqipëri, Poloni, Sllovaki e Izrael, Sava për herë të parë po luan në kampionatin e Kosovës. Pritjet prej saj janë shumë të mëdha.

“Ka qenë një telefonatë e trajnerit Ylli Kadriu që më ofroi si mundësi t’i bashkohesha ekipit të Skenderajt dhe me kënaqësi pranova”, ka thënë Sava Thaka për KOHËN.

Në fillim të edicionit, Skenderaj nuk ka arritur rezultatet e synuara, por shtatlarta është optimiste për ditë më të mira.

“Ardhja në Kosovë ndodhi pa planifikuar në fakt, por gjithmonë kam pasur dëshirë t’i bashkohem volejbollit kosovar. Ndodhi këtë sezon. Ne kemi luajtur vazhdimisht ndeshje miqësore me disa nga ekipet e Kosovës dhe me përfaqësuesen po ashtu. Kështu që pak a shumë e kisha një ide për nivelin e volejbollit këtu në Kosovë”, ka theksuar Thaka.

Pas karrierës në Shqipëri, së fundi te Barleti i Tiranës, Sava në edicionin 2016/17 luajti për KSZO Ostrowiec të Polonisë. Më pas një vit ishte te Spisska Nova Ves në Sllovaki. Në edicionin 2018/19 luajti prapë në Poloni për skuadrën Wloslawskie Toarzystwo Siatkowski. Edicionin 2019/2020 e kaloi te Maccabi Ashdod në Izrael. Tek Ashdodi është dalluar me paraqitje të mira, por edhe në Poloni e Sllovaki. Në Izrael, sidomos, kishte shumë pikë të fituara për ndeshje. Te Skenderaj ka ardhur me synim të qartë.

“Dëshira është të fitojmë kampionatin dhe kupën, pse jo. Por, edhe arritja në finale do të ishte rezultat i kënaqshëm”.

Image

Asaj i është bërë pritje e ngrohtë në Skenderaj.

“Shumicën e vajzave të Skenderajt, e po ashtu trajnerin, i kam njohur edhe më parë. Kështu që përshtypja e parë mund të përkufizohet si ‘mikpritje e ngrohtë’”, thotë volejbollistja e Shqipërisë.
Sava shpreson të ketë ndikim në lojën e Skenderajt dhe në ngritjen e cilësisë në volejbollin kosovar. Premton maksimumin në secilën ndeshje e secilën stërvitje.

Pak sportistë zgjedhin Kosovën për të luajtur në kulm të karrierës, e sidomos nëse kanë përvojë në liga të vlerësuara evropiane. Por, Sava ka marrë këtë hap në këtë periudhë të vështirë për të gjithë, kur edhe udhëtimi paraqet sfidë.

“Në të gjitha vendet kam kaluar momente të bukura. Por, po e përmend Izraelin, ku kam luajtur së fundi”, ka thënë Sava kur është pyetur për vendin ku ka kaluar më së miri.

Sava Thaka ka luajtur në të gjitha grupmoshat e Shqipërisë. Prej vitit 2013 është me të rriturat. Ka arritur edhe disa suksese, por pretendon për më shumë.

Sava vlerëson nivelin e volejbollit në Shqipërisë, ndërsa thotë se Kombëtarja me gjeneratën e re ka potencial për rritje të mëtejme.

Ajo është mësuar që me shtatlartësinë që ka të bjerë në sy.

“Gjatësia natyrisht që ndikon në volejboll, është ndihmë ndonjëherë. Në rrugë njerëzit komentojnë, sidomos kur më shohin për herë të parë. Por, për mua është diçka normale”, thotë Sava Thaka, njëra prej volejbollisteve më të gjata në histori të volejbollit kosovar.