Sport

Selmani në mision për ta kthyer Trepçën në rrugën e duhur

Ilir Selmani ka qenë edhe më parë trajner i KB Trepçës. Selmani të hënën është kthyer në krye të ekipit nga Mitrovica dhe misioni i tij nuk është aspak i lehtë.

Tekniku mitrovicas mori drejtimin e Trepçës pas largimit të Alek Jonçevskit. Roli i kryetrajnerit do të jetë i përkohshëm për Selmanin, i cili pastaj do t’i bashkohet shtabit teknik të trajnerit të ri, që pritet brenda një kohe të shkurtër të caktohet nga kryesia e klubit. Selmani është trajneri i tretë këtë edicion te Trepça, që nisi me synime të mëdha, por nuk po ka rezultate të mira, pavarësisht transferimeve të bujshme që i bëri. Para Selmanit e Jonçevskit, Trepça u drejtua nga bullgari Lubomir Minchev, i cili u largua. Aktualisht, Trepça zë vendin e katërt në tabelë me 27 pikë të mbledhura pas 18 ndeshjeve të luajtura.

Selmani tashmë ka nisur punën dhe thotë se synimi i tij është ta kthejë Trepçën te fitoret, ndonëse pranon se nuk do të jetë aspak lehtë. Trepça së fundi i ka humbur dy ndeshje në shtëpi, nga Bashkimi dhe Sigal Prishtina, me mbi 30 pikë epërsi.

“Marrëveshja është që të jem në krye të ekipit derisa të gjendet një trajner i ri, pasi kam angazhime të shumta në shkollë dhe me gjeneratat e reja. Në momentin që vjen trajneri i ri, atëherë unë nuk do të largohem, por do të jem pjesë e shtabit teknik deri në fund të kampionatit”, është shprehur Selmani, i cili të hënën mbrëma ka mbajtur stërvitjen e parë me ekipin. “Sigurisht që nuk do të jetë lehtë aspak për mua, por do të punoj dhe do të angazhohem maksimalisht për të mirën e ekipit”.

Gjatë kohës sa do të jetë në krye të Trepçës, Selmani do të fokusohet në kthimin e vetëbesimit te lojtarët, të cilët, sipas tij, janë të kalibrit të lartë dhe mund ta bëjnë dallimin në secilën ndeshje. Ai ka pranuar se presioni është i madh duke pasur parasysh se pritshmëritë ishin tejet të mëdha, sidomos në qytetin e Mitrovicës, i cili njihet për përkrahjen e fuqishme të ekipit të basketbollit.

“Pritshmëritë kanë qenë të mëdha dhe rezultatet nuk ishin të duhurat, përkundër investimeve të mëdha dhe punës profesionale të drejtuesve të klubit. Po shpresoj t’i ndryshojë gjërat në aspektin pozitiv dhe për këtë do të angazhohem me tërë qenien time. Synimi është ta kthej besimin te lojtarët, të cilët janë shumë të mirë dhe të nivelit të lartë. Pra do të fokusohem për ta thyer këtë barrierë psikologjike, në mënyrë që të kthehemi në rrugën e duhur”, ka thënë Selmani. “Jam optimist se së bashku do të mund t’ia dalim, pasi kemi edhe përkrahjen e qytetit tonë që jeton për basketbollin. Gjatë kësaj periudhe do të punojmë fuqishëm për ta dëshmuar veten si ekip pretendent”.

Selmani pranon se Trepça nuk e meriton pozitën aktuale, por thotë se edicioni është i gjatë dhe deri në fund ka edhe shumë lojë. Sipas tij, Trepça sërish në fund do të jetë në gjendje ta dëshmojë veten si njëra prej favoriteve kryesore, karshi Golden Eagle Yllit e Sigal Prishtinës.

“Ka ende kohë për përmirësim dhe reflektim, pasi sezoni është i gjatë. Deri në plejof ka edhe shumë ndeshje në të cilat ekipi do të rikthehet gradualisht për të qenë gati për gjëra më të mëdha”, u shpreh Selmani. “Sigurisht që nuk e kam shkopin magjik për t’i ndryshuar gjërat, por do të jap gjithçka nga vetja”.

Ndeshja e parë e Selmanit në krye të Trepçës nuk do të jetë aspak e lehtë. Në vikend, Trepça do të jetë mysafire e skuadrës së Pejës në ndeshjen që i takon xhiros së 19-të në Superligë.

Ai shpreson që Trepça nga ky udhëtim të kthehet me fitore.

“Është kohë e shkurtër për të ndryshuar diçka, por ne do të përgatitemi për ndeshjen me Pejën që do të jetë një derbi. Do të angazhohem që lojtarëve deri para ndeshjes t’ua kthejë vetëbesimin dhe pastaj të shpresoj që të kthehemi me fitore nga ky udhëtim. Do të shohim si do të shkojnë gjërat”, u shpreh Selmani.