Sport

Sheremeti paraqet në libër rrugëtimin e jashtëzakonshëm që ia mundësoi sporti

Fatmir Sheremeti (Seremeti) ka pasur emocione të mëdha derisa është paraqitur në arenat më të mëdha sportive. Ai për kohë shumë të gjatë ka prezantuar Suedinë në sportin e goalballit.

Për 37-vjeçarin shumë emocional ishte edhe procesi i paraqitjes së rrugëtimit të tij jetësor në faqe libri. Sheremeti ka menduar se të shkruajë për shumë momente emocionale që ka përjetuar, për gjëra të mira e për disa shumë të rënda, do të ishte e lehtë. Por pasi ka nisur të shkruajë, ka kuptuar se do t’i duhet të menaxhojë edhe emocionet e shumta.

Javën e kaluar është përuruar libri i Sheremetit, me titullin: “Nga errësira në sukses”. Libri është në gjuhën suedeze dhe paraqet tregimin jetësor të Sheremetit.

Një i ri me shumë talent futbolli, që humbi shikimin papritur, e mendoi vetëvrasjen, e kaloi periudhën e vështirë përmes goalballit dhe përmes këtij sporti arriti majat dhe hapi rrugën për suksese të tjera në jetë.