Chelsea ka arritur të bëjë diçka që pakkush mendoi se ishte e mundur: shpenzoi 1 miliard euro për lojtarë dhe nuk arriti të përmirësohet fare.
Në fakt, ekziston një moment që skuadra e cila ende mbante statusin e kampionit të Evropës, 18 muaj më parë, është përkeqësuar edhe më shumë pas shpenzimeve të mëdha në përforcime, me të cilat mahniti botën e futbollit. Duke iu afruar gjysmës së kampionatit në Premier League, Chelsea është në vendin e 12-të – mes Wolverhamptonit dhe Brentfordit – pozitë në të cilën përfundoi edicionin e kaluar. Kjo pavarësisht se shpenzoi 250 milionë euro në verën e vitit 2022, 350 milionë euro në janar të këtij viti dhe më shumë se 400 milionë euro tjera para fillimit të këtij edicioni.
Përkundër kësaj shifre marramendëse, po del se Chelsea mund të ketë nevojë të shpenzojë edhe më shumë para dhe atë në afatin kalimtar të janarit.
“Realiteti ynë është në mes të tabelës. Dhe nëse duam të ngjitemi më lartë atëherë duhet të shtyjmë veten. Kështu që kur të hapet afati kalimtar i janarit do të shohim se çfarë mund të bëjmë dhe të intervenojmë nëse është e mundur”, ka pranuar trajneri i Chelseat, Mauricio Pochettino.
Deklaratat e trajnerit nga Argjentina kanë ardhur pas humbjes së Chelseat 2:0 nga Evertoni, e cila për ekipin nga Londra është e shtata këtë edicion në kampionat. Gjëja alarmante është se skuadra shumë e transformuar e Chelseat ende duket e mangët në repartet kryesore, pavarësisht shpenzimeve të mëdha për 29 lojtarë që nga maji i vitit 2022, kryesisht në kontrata të gjata për të shpërndarë kostot e tarifave të transferimit.
Pochettino ka pasur vetëm një sulmues në dispozicion për pjesën më të madhe të këtij edicioni. Bëhet fjalë për Nicolas Jackson, senegalezin 22-vjeçar të transferuar në pjesën e dytë të edicionit të kaluar nga Villarreali. Finalizimi i Jacksonit nuk ka qenë i duhuri dhe ai ka luftuar për të përballuar kërkesat për të udhëhequr sulmin e një ekipi si Chelsea, në një fazë të hershme të karrierës. Pritej shumë nga sulmuesi francez Christopher Nkunku, por ai nuk është parë që nga një problem serioz i gjurit në fazën përgatitore, ndërsa Armando Broja ka qenë në ekip dhe jashtë tij për shkak të lëndimeve.
Chelsea pati 16 goditje kundër Evertonit, por vetëm katër ishin në portë. Në anën tjetër të fushës, mbrojtjen e mban të bashkuar një 39-vjeçar, Thiago Silva, i cili duhej të pushonte kundër Evertonit, sepse ishte ndeshja e tretë e Chelseat në një javë.
Qendërmbrojtësit Axel Disasi dhe Benoit Badiashile u larguan nga klubi francez Monaco këtë vit, por ende nuk janë stabilizuar. Kapiteni Reece James po ka vazhdimisht telashe me lëndimet, ndërsa Ben Chilwell është jashtë fushës për shkak të dëmtimit.
Robert Sanchez është disi portieri i parë i Chelseat, pasi e mbylli edicionin e kaluar si portieri numër dy te Brightoni. E vetmja zonë ku Chelsea ka cilësi është mesfusha. Megjithatë Enzo Fernandez dhe Moises Caicedo, të cilët kushtojnë rreth 250 milionë euro së bashku, nuk e kanë dëshmuar ende veten. Pochettino tha se projekti i Chelseat i financuar nga Todd Boehly kërkon durim.
“Është një projekt i ri, një ekip i ri me shumë rrethana kundër nesh”, tha Pochettino. “Ky është realiteti, shumë probleme dhe rrethana që nga fillimi i sezonit. Nuk është aq e lehtë të ndërtosh diçka të re. Kjo është arsyeja pse duhet të jemi të fortë, të jemi të zgjuar dhe të marrim vendime për t'u përpjekur të përmirësohemi në pjesën e dytë të sezonit”.
Megjithatë, pronarët e rinj nuk mund të parashikojnë që të kenë dy edicione rresht jashtë Ligës së Kampionëve dhe kjo duket gjithnjë e më e mundshme edhe nëse ka një shans që Anglia të ketë pesë skuadra në garën kryesore të Evropës, që zgjerohet në 36 klube vitin e ardhshëm.
Pochettino zakonisht ka një javë të plotë për t'u përgatitur për ndeshjet, por nuk po tregon rezultat. Skuadra ka fituar vetëm pesë nga 16 ndeshjet në ligë. Orari i ndeshjeve të ardhshme për Chelsean gjatë kalendarit festiv në futbollin anglez duket i mirë: Sheffield United, Wolverhampton, Crystal Palace dhe Luton janë kundërshtarët para vitit 2024 dhe nëse Chelsea futet në vitin e ri përfundi vendit të dhjetë në tabelë atëherë Pochettino do të duhet t’u përgjigjet disa pyetjeve të vështira të pronarëve të klubit.