Në verën e vitit 2013 iu bashkua një klubi plotësisht të panjohur. Erdhi në një vend për të cilin nuk kishte shumë informata dhe as që i ka shkuar në mendje se do të qëndrojë gjatë.
Por pikërisht kështu ndodhi. Hendbollisti kroat, Ante Kukrika vazhdon të jetë pjesë e klubit më të mirë në vend, Besa Famgas. Veterani Kukrika, që mbushë 38-vjet së shpejti, është në pritje të kompletimit të edicionit të shtatë me Besën dhe po ashtu të fitojë titullin e shtatë të kampionit.
Prej se ai është bashkuar me Besën, ekipi pejan ka dominuar plotësisht hendbollin vendorë. Ndërkohë ka bërë edhe hapa para në skenën evropiane, që edhe ishte synimi i angazhimit të Kukrikës dhe Goran Biljakas, tashmë të larguar nga Besa.
Në sportin modern qëndrimi për shtatë vjet në një klub zakonisht i shndërron lojtarët në ikona të atij klubi. Madje janë të rralla rastet kur lojtarët luajnë për shtatë vjet në klubet ku janë rritur e lëre më në klube të huaja. Prej të huajve më gjatë në Kosovë ka luajtur vetëm basketbollit boshnja, Fikret Hanxhiq, që ishte pjesë e Trepçës për mbi një dekadë.
Kukrika Besën më nuk e llogarit klub të huaj. As që ndihet i tillë në Pejë dhe te Besa Famgas. Ai ishte kapiten i skuadrës për tri vjet, ndërsa tashmë kapiten është Nikola Prce, ylli i hendbollit të Bosnjë-Hercegovinës.
Kukrika është kroat nga Bosnjë-Hercegovina që tashmë e llogarit Pejën si shtëpi të tij.
“Sinqerisht kur kam ardhur as që e kam ditur se ku po vijë. Çdo gjë ndodhi shpejtë dhe falë Zotit ka dalë shumë më mirë se që kam pritur”, ka thënë Kukrika të enjten mbrëma për Koha.net.
Besa Famgas e ka paraqitur të enjten një fotografi të Kukrikës me pamje të tij nga shtatë vitet e kaluara në klubin pejan.
“Është përshtatur çdo gjë që unë të qëndrojë për kaq kohë këtu. Kemi luajtur mirë në kampionatin vendorë si dhe në Evropë. Klubi ka qenë i kënaqur me mua dhe po ashtu unë i kënaqur me klubin. Kështu që nuk ka pasur arsye për të ndërruar mjedis”, ka theksuar Kukrika.
Ai thotë se Besa dhe Peja janë më shumë se klub dhe qytet për të. Ai vetëm në dy vitet e parë është ndier pak si i huaj, ndonëse pranon se është pranuar shumë mirë që prej fillimit.
“Më pas jam ndier si në shtëpi dhe kështu vazhdoj të ndihem ende. Kam qenë tri vite kapiten ndërsa këtë vit ia kam lëshuar pozitën Nikola Prces. Ende jam në Pejë dhe mendoj se kam dhënë më të mirën për këtë klub, njëjtë si klubi për mua. Peja çdo herë do të jetë shtëpia ime e dytë, njëjtë si Kosova. Kam njohur shumë njerëz të mirë dhe kam më shumë miq këtu se në Çapljinën time ku jam i lindur”.
FHK-ja planifikon që në qershor të përfundojë edicionin, nëse kjo lejohet nga autoritetet shëndetësore. Besa ka mbajtur trajnerin dhe lojtarët e huaj me synim për të vazhduar dominimin. Me Kukrikën në përbërje kjo është më e lehtë.
“Sidomos do të falënderoja një zotëri të vërtetë, Hamzë Idrizin, për çdo gjë që ka bërë për mua dhe për klubin. Tërë jetën do të jem falënderues ndaj tij”, thotë Kukrika.