Igor Kokoshkov ka punuar gjatë në NBA. Slloveninë e ka udhëhequr drejt titullit të kampionit të Evropës në basketboll, ndërsa e ka drejtuar edhe Gjeorgjinë. Tani është përzgjedhës i Serbisë, dhe së fundmi është emëruar trajner i Fenerbahçes, gjigantit turk të Euroligës. Karriera e suksesshme në basketboll e ka sjellë këtë trajner serb edhe në Kosovë, përkatësisht në Mitrovicë. Prej Mitrovicës ishte larguar i kënaqur.
Kokoshkov, që ka edhe shtetësi amerikane, te Fenerbahçe do të punojë me një basketbollist nga Kosova, Kenan Sipahin (Spahiun). Edhe Spahiu këtë verë është bashkuar me gjigantin evropian të basketbollit, pas një periudhe në Spanjë. Spahiu është zhvilluar në Turqi dhe kohë pas kohe është ftuar nga Përfaqësuesja e Turqisë.
“Për herë të parë isha në Kosovë. Në ndonjë moment gjatë ndeshjes edhe kemi humbur, por e kam ditur se do të jetë vështirë pasi rruga ishte e mundimshme. Kemi fjetur në Prishtinë, ndërsa kemi luajtur në Mitrovicë, që është rreth një orë larg. Kjo nuk ka ndodhur për arsye të sigurisë, por pasi FIBA ka vlerësuar se salla në Prishtinë nuk është adekuate. Por ne kemi pasur kushte shumë të mira, kemi qenë në hotel të mrekullueshëm dhe në asnjë moment nuk kemi pasur asnjë shqetësim. Nuk ka pasur asnjë provokim. Të kënaqur e lëshojmë Kosovën”, kishte thënë Kokoshkov për mediat serbe, më 12 shtator të vitit 2016.
Më 10 shtator të atij viti në palestrën “Minatori” në Mitrovicë ishin përballur Kosova e Sllovenia, që drejtohej nga Kokoshkov. Sllovenia fitoi 91:81. Te Kosova ishte dalluar Justin Doellman me 30 pikë. Kokoshkov kishte lavdëruar tifozët e Kosovës dhe kishte pranuar se ishte e vështirë paraqitja para tyre.
Sllovenia ndaj Kosovës e kishte luajtur ndeshjen e parë kualifikuese për “Eurobasket 2017”, të cilën garë e kishte fituar më pas. Për të ishte titulli i parë dhe historik.
Kokoshkov prej vitit 2000 punon në NBA. Ka qenë asistent i trajnerëve te LA Clippers, Detroit Pistons, Phoenix Suns, Cleveland Cavaliers, Orlando Magic, Utah jazz. Ishte kryetrajner te Phoenix Suns e së fundmi asistent te Sacramento Kings. Vitin e kaluar u emërua përzgjedhës i Serbisë.