Barazimi me Moldavinë dhe seria prej katër ndeshjeve pa fitore, kanë zvogëluar entuziazmin për përfaqësuesen e Kosovës në futboll.
Por të përzgjedhurit e Bernard Challandesit shpresojnë që sot të kthehen në rrugën e sukseseve. Në stadiumin “Fadil Vokrri” nga ora 20:45, Kosova luan ndaj Greqisë, ish-kampiones së Evropës, në kuadër të Ligës së Kombeve.
Kosova fitoren e fundit e ka shënuar pikërisht në “Fadil Vokrri”, më 14 tetor të vitit të kaluar ndaj Malit të Zi. Më pas humbi nga Çekia në udhëtim dhe nga Anglia në shtëpi. Në janar, me ekipin B, Kosova humbi nga Suedia B.
Është pritur fitore ndaj Moldavisë, të enjten, por ndeshjen e zbehtë “dardanët” e mbyllën me rezultatin 1:1.
Te Kosova nuk është gjendja më e mirë e mundshme. As për së afërmi madje, raporton KOHA. Për shkak të kufizimeve në udhëtim shkaku i pandemisë, Kosovës i mungojnë lojtarë titullarë si Milot Rashica, Benjamin Kololli, Hekuran Kryeziu, Herolind Shala, Leart Paqarada por edhe Elbasan Rashani, që aktivizohet rregullisht.
Për shkak të lëndimit mungon edhe sulmuesi kryesor, Vedat Muriqi.
Selektori Challandes ka ftuar për ndeshjen ndaj Greqisë Rron Brojën e Armend Thaçin. Në dispozicion ka vetëm 18 lojtarë.
“Na mungojnë shumë lojtarë për ndeshjen me Greqinë dhe çdo mungesë është e madhe për ne. Por shpresoj që futbollistët që do të jenë në fushë, ta kryejnë punën siç duhet”, ka thënë kapiteni Amir Rrahmani.
Kosova nuk mund të llogarit në përkrahjen e zhurmshme nga tribunat, që nuk i ka munguar në dy ciklet e fundit në ndeshjet si vendas. Për shkak të pandemisë, ndeshja luhet pa shikues.