Prishtinë, dhjetor – Videot me ushtrime në shtëpi ishin në modë për javë të tëra gjatë 2020-s. Video të tilla kanë publikuar vetë sportistët, por edhe federatat sportive të vendit, e madje edhe Komiteti Olimpik i Kosovës. U organizua edhe një lloj konkursi për videon më të mirë me ushtrime të kryera në shtëpi.
Ishte një formë e shfaqjes së asaj që po bënin sportistët në një periudhë të vështirë për të gjithë, e sidomos për ata. Në vitin kur e gjithë shoqëria u godit rëndë nga pandemia COVID-19, u lëkund fuqishëm edhe sporti në përgjithësi, përfshirë edhe sportin kosovar. Gjatë 2020-s sporti ka humbur shumë nga shkëlqimi, por mbijetoi. Tashmë janë kthyer të gjitha aktivitetet, si në vend ashtu edhe në skenën ndërkombëtare. Rastet me koronavirus po përballohen edhe në sport, si në të gjitha sferat e tjera.
Sporti ka ndryshuar goxha shumë në kohë pandemie, por sportistët janë përshtatur me rrethanat e reja dhe u janë kthyer shpejt aktiviteteve. Disa sportistë nuk e kanë ndërprerë aktivitetin asnjëherë. Disa i kanë ndalur ushtrimet për javë të tëra e janë kthyer ndërkohë. Ndonjë edhe mund të ketë vendosur të mos merret më me sport.
Garat në Kosovë tashmë po mbahen pa ndonjë telash, ndonëse numri i rasteve me koronavirus vazhdon të jetë i lartë, disa qindra në ditë. Sidomos në sportet ekipore, edicioni 2020/2021 është në zhvillim e sipër. Është pushimi i zakonshëm mes dy edicioneve.
Kthimi i “normalitetit”, përkatësisht i një normaliteti në rrethana të reja, nuk ishte proces i lehtë. Pandemia ka bërë që aktivitetet sportive të zhvillohen pa praninë e shikuesve. Nuk dihet se kur do të lejohen tifozët në stadiumet dhe palestrat kosovare. Mungesa e tifozëve e ka edhe koston financiare, ndonëse në Kosovë ajo është fare e vogël. Në rrethana normale, të hyrat nga shitja e biletave ishin të vogla. Por, pikërisht mungesa e tifozëve ka humbur goxha shumë nga shkëlqimi i sportit.
Në vend se të dëgjohen tifozët duke anuar, në palestra e stadiume dëgjohen fjalët e lojtarëve dhe komunikimi i trajnerëve me lojtarë. Motivi i sportistëve nuk është i njëjtë pa tifozë në tribuna, por e rëndësishme është që sporti po zhvillohet.
Telashet e futbollit
Pas rasteve të para me koronavirus në Kosovë, aktivitetet sportive u pezulluan më 13 mars. Vendimi ishte pjesë e masave të Qeverisë në tentim për ta luftuar përhapjen e koronavirusit. Në atë kohë u pezullua sporti gati në të gjithë Evropën e në të gjithë botën. Bjellorusia e vazhdoi kampionatin e futbollit dhe përnjëherë doli në qendër të vëmendjes sa i takon sportit ndërkombëtar.

Në Kosovë skuadrat pushuan për disa javë, ndërsa futbollistët nisën ngadalë me ushtrime individuale. Disa ushtronin në shtëpi e disa në ambiente të hapura. Gradualisht lojtarët nisën të ktheheshin në stadiume. Pas një kohe, disa skuadra nisën ushtrimet në formë ilegale. Por, e rëndësishme ishte që kampionati të vazhdonte dhe ai vazhdoi.
Ishte bërë bujë kur lojtari i parë që luante për Kosovën (grupmosha U-21), Valdrin Mustafa, ishte infektuar me koronavirus. Mustafa luan në Gjermani. Ishte kohë kur secili rast me koronavirus në fakt përjetohej rëndë. Në mars u morën vendimet për shtyrje të aktiviteteve ndërkombëtare, duke përfshirë edhe ndeshjen e Kosovës ndaj Maqedonisë së Veriut.
Sa i takon futbollit të vendit, stërvitjet u lejuan më 18 maj, ndonëse shumë klube kishin nisur edhe më herët. Më 2 qershor u rikthyen ndeshjet e futbollit në vend. Kampionati përfundoi, e po ashtu gara e Kupës së Kosovës.
Nuk pati raportime për raste me COVID-19, ndonëse kishte dyshime për raste të tilla në disa skuadra. Se gjendja, megjithatë, nuk ishte krejt bardh u kuptua kur erdhi koha që skuadrat të luanin ndeshje ndërkombëtare. Pati shumë telashe për Prishtinën, Dritën, por edhe për Gjilanin.
Prishtina udhëtoi dy herë për në Gjibraltar, me dy skuadra të ndryshme, por në të dyja rastet kishte lojtarë me COVID-19 dhe ndeshja parakualifikuese e Ligës së Evropës me Lincolnin nuk u zhvillua. Prishtina humbi me rezultat zyrtar, ndërsa situata ishte thuajse absurde kur lojtarët e Kosovës në testimin në vend dilnin negativë, ndërsa në Gjibraltar testimi prodhonte rezultat pozitiv.
Drita po ashtu e humbi ndeshjen finale të raundit parakualifikues të Championsit me rezultat zyrtar, për shkak të rasteve me COVID-19. Por, Drita vazhdoi në Ligën e Evropës dhe bëri hap tutje. Ndërkohë, Gjilanit i ishte shtyrë ndeshja e Ligës së Evropës, por ajo ishte zhvilluar një ditë më vonë. Te Gjilani ishte regjistruar një rast me koronavirus, kurse kjo skuadër debutoi me fitore në Evropë.
Kosova kishte dy skuadra të eliminuara nga kupat evropiane për shkak të rasteve me koronavirus, nga tri sa morën pjesë gjithsej. Asnjë vend tjetër nuk ka pasur më shumë telashe, marrë për bazë numrin e skuadrave.
Sa i takon futbollit, viti ishte i ngarkuar edhe me rastin gjyqësor të kryetarit të FFK-së, Agim Ademi. Shumë energji është shpenzuar për atë rast që nuk i ka shërbyer ndonjë gjë futbollit. Përkundrazi. Për një kohë pritej që Ademi të përfundonte në burg, por ai mbeti në liri dhe vazhdon të udhëheqë me federatën më të madhe sportive në vend.
Edicioni 2020/2021 nisi pa testim të lojtarëve dhe pa shikues në tribuna. Gradualisht të gjithë u përshtatën me situatën e re dhe gara për kampion po vazhdon. Investimet në skuadra janë rritur dhe krizë financiare, të paktën në Superligë, nuk kanë pasur skuadrat.
Për përfaqësuese, viti 2020 nuk ishte pozitiv. Përfaqësuesja A nuk arriti as për së afërmi synimet, ndërsa dëshpëroi edhe ajo U-21. Përfaqësuesja e futbollisteve shënoi disa fitore, por pësoi edhe humbje të thella.

FBK-ja, e vetmja që ndërpreu kampionatin
Federatat e tjera kishin reagim të ndryshëm pas pezullimit të garave. Federata e Basketbollit e Kosovës, si asnjë tjetër, mori vendim për ta ndërprerë kampionatin. Kështu, Kosova nuk ka kampion në basketboll për vitin 2020, derisa Kupën e Kosovës e ka fituar Peja.
“Në kohë si kjo, kur vendi ynë po përballet me një armik të padukshëm dhe të pabesë, komuniteti i basketbollit duhet të tregojë përgjegjësi, unitet dhe solidaritet. Prandaj, pas konsultimeve me të gjitha palët e interesit dhe pas konstatimit se shëndeti i tifozëve, stafit dhe lojtarëve duhet të jetë prioritet i yni, Bordi i FBK-së ka vendosur njëzëri që t’i anulojë garat e edicionit 2019/2020 në Superligën e Kosovës dhe Superligën e femrave. Për sportin tonë ky vendim është posaçërisht i dhimbshëm, duke qenë se u detyruam ta marrim atë në kulm të një edicioni garues me konkurrencë të fortë, me lojë të paparashikueshme në kuptim të rezultatit dhe në të cilin shikuesit e patën fjalën kryesore”, kishte thënë kryetari i FBK-së, Arben Fetahu, me rastin e vendimit për anulim të garave në Superligë. Vendimi ishte marrë më 31 mars. Më pas u anuluan garat edhe në ligat e tjera dhe në kategoritë e reja.

Edicioni 2020/2021 nisi më zbehtë sesa zakonisht. Skuadrat janë të mbushura me lojtarë të huaj, por shumica jo të cilësisë së lartë. Skuadrat e basketbollit kanë hequr dorë nga garat evropiane për shkak të vështirësive që solli pandemia. Ndërkohë, janë larguar edhe nga Liga Ballkanike. Është bërë bujë firmosja e një marrëveshjeje me Federatën e Basketbollit të Shqipërisë për themelimin e Ligës Unike, me skuadra nga Kosova e Shqipëria. Plani ishte që kjo ligë të fillonte në nëntor, por nuk ka nisur ende dhe nuk dihet saktë kur do të nisë. Në FBK janë arsyetuar me faktin se skuadrave në Shqipëri nuk u lejohen aktivitetet.
Në basketboll janë anuluar garat ndërkombëtare për kategori të reja, kurse përfaqësuesja A para pandemisë shënoi dy fitore e në pandemi i humbi dy ndeshje në kuadër të raundit të parë të parakualifikimeve për Botëror.
Hendbolli, volejbolli…
Në hendboll, gara e edicionit 2019/2020 u kompletua. Gjatë një muaji u luajtën ndeshjet e plejofit dhe të Kupës, ndërsa u shpallën kampionët dhe fituesit e Kupës.
Kampionati i ri ka nisur, kurse pesë skuadra garuan në Evropë. Hapi i synuar para nuk u bë.
“Kampionatin e kaluar e kemi kompletuar me sukses të plotë. Kemi respektuar të gjitha kërkesat e institucioneve të vendit dhe të asociacioneve ndërkombëtare të hendbollit. Kemi formuar Task-Forcën për përballje me COVID-19. Tashmë e kemi nisur kampionatin e ri që po zhvillohet sipas planit. Kemi pasur pesë skuadra në Evropë, si në asnjë sport tjetër, ndërsa rezultatet kryesisht ishin solide. Aktivitete kemi pasur edhe me përfaqësuesen e meshkujve, ku në janar në Itali kishim rezultat pozitiv”, ka thënë Izet Gjinovci, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Hendbollit të Kosovës.
Në janar, Kosova, në fazën e parë kualifikuese për Botëror, barazoi me Italinë, humbi nga Rumania dhe e mposhti Gjeorgjinë. Nuk avancoi tutje, por u vlerësua sukses pozita e dytë në grup. Ndërkohë, në vjeshtë, Kosova humbi nga Mali i Zi dhe Suedia në kualifikime për Evropian.

Garat e përfaqësueseve të hendbollisteve dhe të kategorive të reja janë shtyrë apo janë anuluar.
Edhe në volejboll është kompletuar kampionati i kaluar dhe tashmë ka nisur kampionati i ri. Volejbollistet e Dritës kanë garuar në Evropë, por i kanë humbur dy ndeshjet e luajtura në Gjilan ndaj një skuadre çeke.
Në sportet e tjera ka pasur më pak aktivitete. Sa u takon garave ndërkombëtare, në karate, boks e taekwondo janë fituar medalje në kampionate evropiane për kategori të reja. Ndërkohë, në atletikë u fituan medalje ballkanike.
Komiteti Olimpik i Kosovës, si organizatë ombrellë, ka organizuar shumë aktivitete gjatë vitit sfidues. Por, KOK-u ka pasur më pak punë – ngjarja kryesore e vitit është shtyrë. Lojërat Olimpike “Tokio 2020” janë zhvendosur për vitin e ardhshëm.
Në fillim të vitit, Kosova mori pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore për të Rinj në Lozanë. Nuk kishte ndonjë sukses.
“Boksierët shkuan në Londër në garat kualifikuese për Lojërat Olimpike, ku Donjeta Sadiku fitoi në xhiron e parë, duke mundur një kundërshtare favorite. Por, përhapja e koronavirusit në mesin e boksierëve të shteteve të ndryshme detyroi organizatorin t’i ndërpresë garat”, ka thënë Besim Hasani, president i KOK-ut.
“Pandemia që filloi të përhapej në tërë Evropën arriti edhe në Kosovë, e cila u mbyll në tërësi. Kjo krizë arriti me shumë të panjohura, me shumë sfida. Por, sikur era e fortë që e lakon lisin e nuk mund ta shkulë, ngjashëm më duket ndikimi i pandemisë në sport – na lakoi, por nuk na gjunjëzoi e as nuk na ndali”, ka theksuar Hasani.
Ai ka lavdëruar ekipin e xhudos për kreativitetin e shfaqur me rastin e mbylljes së vendit. Rastin e xhudistëve, Hasani e ka përmendur edhe në komunikim me drejtues të komiteteve olimpike të vendeve të tjera.
Hasani ka folur edhe për shumë organizime “online” të KOK-ut, për datat e shënuara dhe për trajnimet e mbajtura.
“Sa i përket arritshmërisë së sportistëve, duhet veçuar dy medaljet nga Kampionati Evropian i Xhudos, ku Distria Krasniqi e Loriana Kuka u stolisën me medalje të bronzta. Në kategoritë e reja kemi mbi dhjetë medalje nga karateja, boksi e taekwondo. Pandemia ka ndikuar të kemi më pak rezultate në shumë fusha, e në veçanti nga sportistët elitarë. Paramendoni sikur ekipi i të rriturve në xhudo mos të prekej nga pandemia, pikërisht në ditët kur duhej të nisej për në Evropian. Do të kishim dyfish apo trefish më shumë medalje, e mbase edhe me ngjyrë tjetër”, ka theksuar Besim Hasani.
Izolimi i xhudistëve
Masa të menjëhershme pas rasteve të para me COVID-19 mori ekipi i Kosovës në xhudo. Nxënësit e Driton Kukës u izoluan në Pejë, në sallën e klubit Ippon. Aty qëndruan për javë të tëra, pa kontakt me të tjerët, dhe pa ndalur stërvitjet. Garat e xhudos nuk janë mbajtur nga shkurti e deri në tetor. Në muajt e parë u fituan medalje nga Distria Krasniqi e Nora Gjakova, ndërsa pas rifillimit të garave medalje fituan Distria e Loriana Kuka për të rriturit dhe Laura Fazliu për të rinj.
Distria, që ishte sportistja më e suksesshme e vitit, fitoi medalje të bronztë në Evropianin për seniorë, njëjtë si Loriana, që u kthye pas një lëndimi që e mbajti gjatë jashtë garave.
Në muajt e fundit xhudistët morën pjesë në kampe të ndryshme në Turqi, Kroaci, Austri, Slloveni e në Shqipëri. Një kamp u mbajt edhe në Pejë, ku morën pjesë edhe xhudiste nga Sllovenia, Bullgaria e Çekia.
Me gjithë kujdesin e shtuar dhe izolimin për kohë të gjatë, koronavirusi depërtoi në ekipin e xhudos në momentin më të keq, pak para Evropianit, që ishte gara kryesore e vitit. Kështu ekipi i Kosovës për në Evropian u tkurr në tri garuese, ndërsa dy prej tyre fituan medalje bronzi. Me ekip të kompletuar, numri i medaljeve me shumë mundësi do të ishte dukshëm më i madh.

Por, prapë xhudistët ishin dukshëm mbi nivelin e sportistëve të tjerë të vendit. Ata po i vazhdojnë përgatitjet për Lojërat Olimpike, që janë shtyrë për vitin e ardhshëm.
“Marrë parasysh çka ka ndodhur në të gjithë planetin, sfidat në sport mund t’i quajmë shumë të mëdha. Njerëzit e zakonshëm janë izoluar, kurse ne përveç kësaj kemi pasur obligime, pasi nuk e kemi ditur se a do të mbahen Lojërat Olimpike. Kemi pasur sfidën e mbajtjes së performancës, që ka qenë e vështirë. Fillimisht jemi izoluar me 15 garues, me ata që janë kualifikuar për Lojërat Olimpike dhe garues me perspektivë. Faktikisht ia kemi dalë. Mirëpo, në momentin që kemi filluar të dalim dhe të lëvizim në mënyrë të lirë, virusi nuk na ka anashkaluar as neve. Kjo ka ndodhur në prag të Evropianit dhe është infektuar më shumë se gjysma e ekipit. Në vend se të garojmë me nëntë garues, sa i kemi pasur të planifikuar, kemi marrë pjesë me tri xhudiste. Jemi kthyer me dy medalje”, ka thënë trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka. Ai ka pritur të artë nga Distria Krasniqi, ndërsa për Loriana Kukën thotë se e ka arritur maksimumin. Ka vlerësuar edhe Laura Fazliun, që ka fituar dy medalje evropiane në grupmoshën U-21 e U-23.
“Ishte e vështirë për ta mbajtur formën dhe mendoj se kemi arritur maksimumin, marrë parasysh çfarë ka ndodhur disa ditë para se të fillonte Kampionati Evropian”, ka shtuar Kuka.
Shtyrja e dy ngjarjeve më të mëdha
Në futbollin evropian ka pasur shumë zhvillime gjatë vitit pandemik. Garat në kampionatet e mëdha janë vazhduar, ndërsa me shumë peshë ishte zhvillimi i edicionit në Champions. Konfederata Evropiane e Futbollit gjeti modalitetet e pranuara nga të gjithë dhe organizimi i garave u vlerësua i suksesshëm. Në sportet e tjera ka pasur gara të anuluara, por edhe shumë gara të mbajtura. Me rëndësi sporti i ka mbijetuar pandemisë.
Dy ngjarjet kryesore të 2020-s janë shtyrë për vitin 2021. Bëhet fjalë për Lojërat Olimpike që do të mbahen në Tokio të Japonisë dhe për Evropianin e futbollit që do të mbahet në shumë vende. Kosova nuk do të jetë në Evropian, por ngjarja pritet të ketë shumë publicitet, si zakonisht. Ndërkohë, Kosova do të jetë në Lojërat Olimpike dhe synohen medalje, të paktën nga xhudistët.
“Në vitin 2020 kemi mësuar se duke punuar së bashku, me frymë të kompromisit dhe bashkëpunimit, duke vepruar si ekip dhe me objektiva të njëjta, komuniteti evropian i futbollit mund ta tejkalojë secilën pengesë. Është mësim që do të na shërbejë shumë në të ardhmen”, ka thënë së fundi presidenti i UEFA-s, Aleksandar Çeferin.
Arritja e unitetit duket e largët për sportin kosovar. Por, një vit i vështirë po kalohet dhe shpresa ka për dukshëm më tepër sukses në vitin e ardhshëm.
“Të shpresojmë se në vitin 2021, në vitin e Olimpiadës së Tokios, do të jemi pa pandemi, do t’i kthehemi jetës normale dhe do të shkojmë në Tokio me mbi gjashtë norma dhe të paktën do ta përsërisim suksesin e arritur në Rio”, thotë Besim Hasani, kryetar i KOK-ut.
Për sportistët kosovarë shpresohet që kreativitetin e shfaqur në videot me ushtrime nga shtëpia të kenë mundësi ta shfaqin në arenat më të mëdha sportive. Dhe ta prezantojnë shtetin në mënyrën e duhur.