Për edicionin e kaluar Astrit Selmani ia kishte vënë vetes synimin që të realizojë 15 gola. E arriti këtë shifër dhe e udhëhoqi skuadrën Varbergs BoIS drejt promovimit në elitën e Suedisë në futboll.
Për edicionin e parë në Allsvenskan, synimi i 23-vjeçarit ishte shënimi i dhjetë golave. Tri xhiro para fundit e ka tejkaluar synimin dhe ka ndihmuar Varbergsin që të mbetet në elitë. Selmani ka arritur në shifrën e 12 golave e pesë asistimeve në 22 ndeshje.
Me ngritjen e nivelit janë rritur edhe synimet e sulmuesit energjik. Ai tani synon të luajë për Kosovën dhe të transferohet në ndonjë ligë më të madhe evropiane.
Pas shpërthimit këtë vit Selmani ka shpresuar se do të ftohet nga Kosova për ndeshjet e nëntorit. Ftesë nuk erdhi. Madje nuk e kontaktoi askush. Kjo e ka mërzitur paksa, por ai është i vendosur të zhvillohet tutje. Dhe nuk heq lehtë dorë nga ëndrra që të luajë për Kosovën.
“Nuk ka pasur ftesë, nuk ka pasur asnjë kontakt në fakt. Unë po vazhdoj me stërvitje dhe shpresoj të vazhdoj edhe me gola e paraqitje të mira. Natyrisht ëndërr e imja mbetet që të luaj për Kosovën, si e të gjithë lojtarëve që janë nga Kosova. Unë jam i gatshëm, nëse më vjen ftesa. Shpresoj që ajo të vijë”, ka thënë Selmani për KOHËN, të martën.
Selmani beson se paraqitjet e mira nuk do të kalojnë pa rënë në sy të drejtuesve të Kosovës. Ai vlerëson se mund të japë kontribut për përfaqësuesen. E di që konkurrenca në përfaqësuese është e madhe dhe se ka shumë të tjerë, si ai, që presin në rend për një ftesë.
Në edicionin e parë në elitë të Varbergsit, Selmani është zgjedhur kapiten i skuadrës. Nuk ndodh shpesh që një 23-vjeçar të jetë kapiten.
“Unë i kam shënuar 12 gola dhe kam pesë asistime. Synimin e kisha për dhjetë gola, që e kam tejkaluar tashmë. Vjet kam synuar 15 gola në kategorinë e dytë dhe e kam arritur këtë shifër. Unë kam shumë vetëbesim dhe gjithnjë luaj për të fituar, për të shënuar gola. Tani i kam edhe tri ndeshje dhe shpresoj të vazhdoj me paraqitje të mira”, ka theksuar Selmani.
“Para fillimit të kampionatit klubi më ka zgjedhur kapiten. Klubi ka vendosur kështu pasi unë shtyj skuadrën para. Flas me të gjithë, kam raporte të mira me të gjithë dhe angazhohem shumë për skuadrën. Këto kërkohen prej një kapiteni. Vrapoj shumë, angazhohem shumë dhe në klub e vlerësojnë këtë. Jam i njohur këtu në Suedi si lojtar që angazhohem maksimalisht deri në fund”, ka shtuar Selmani.
Ai është i lindur në Malmo. Ka luajtur për skuadra suedeze si BK Olympic, Angelholms, Kristianstads, Rosengard e Torns. Prej vitit 2016 e deri në fund të vitit 2018 luajti në kategorinë e tretë të Suedisë. Vjet me kalim te Varbergsi, luajti në kategorinë e dytë, Superettan. Shënoi 15 gola në 27 paraqitje. Me të njëjtën skuadër po luan në elitë, Allsvenskan.
Selmani ka edhe një vit kontratë me Varbergs. Por nuk është i sigurt që do të qëndrojë te kjo skuadër.
“Jam i koncentruar në këto tri ndeshje. Puna ime është të luaj mirë. Menaxheri merret me të tjerat. Është e vërtetë që po më kërkojnë skuadrat më të mira në Suedi, por po ashtu ka oferta edhe nga shumë vende evropiane. Të shohim se çka do të ndodhë. Do të ulem dhe do të bisedoj me menaxherin për të vendosur për të ardhmen”, ka theksuar Selmani, njëri prej lojtarëve kosovarë me formën më të mirë këtë vit.